Maqedonia

Maqedonia prin në Evropë për lindjet nga të miturat

Në Maqedoninë e Veriut shkalla e lindjeve te të miturat është ndër më të lartat në Evropë, edhe atë 15.7 lindje në 1.000 raste që është tre herë më e lartë se mesatarja prej 6 në 1.000 lindje për vendet e BE-së. Të dhënat e organizatës “HERA” tregojnë se numri më i madh i nënave të mitura janë rome. Ndër arsyet kryesore për këtë është qasja e ulët dhe jo-adekuate në informacione në lidhje me shëndetin reproduktiv.

Në vend pacientja më e re që ka abortuar është 13 vjeçe ndërsa qindra të mitura abortojnë çdo vit. Sipas të dhënave, që të mos kuptohet, një pjesë e tyre këtë e bëjnë në ambiente të pasigurta dhe johigjienike, gjë që ndikon keq në shëndetin e tyre. Që të mos vihet deri këtu, mjekja Jadranka Georgievska thotë se duhet punuar në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

“Duhet që të rinjve t’u jepen informacione për kontraceptivët, orale dhe hormonale ndërsa tek adoleshentët më pak rekomandohen pranimi i spiraleve intrauterine, gjithashtu rekomandohet edhe kondomet. Gjithsesi që duhet edukim seksual dhe edukim për kontracepsionin, metodat e reja për kontracepsion, do të kishin rol të rëndësishëm në parandalimin e shtatzënive tek adoleshentët”, deklaroi Jadranka Georgievska, gjinekologe.

Sipas gjinekologëve, shtatzënia e paplanifikuar tek të miturat mund të lë pasoja afatgjata në shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik, marrë parasysh moshën e tyre të njomë. Ky fenomen kryesisht është i përhapur në vendet e pazhvilluara ekonomikisht.

Për këtë, aktivistja dhe edukatorja seksuale Elena Saveska për ALSAT tha se mes tjerash vajzat e reja përveç që ndruajnë të kërkojnë informacione në lidhje me shëndetin e tyre reproduktiv, ata vështirë gjejnë shërbime mjekësore adekuate.

“Kur bëhet fjalë për parandalimin e shtatzënisë së paplanifikuar, mund të flasim për disa gjëra të cilat ndikojnë në shtatzëninë e paplanifikuar, siç është mos pasja qasje shërbime dhe informata të cilat do të ishin të nevojshme për të rinjtë. Gjithashtu bëhet fjalë për mos-pasje të shërbimeve të nevojshme në rrethinën e tyre por gjithashtu bëhet fjalë për njohuritë e tyre për shëndetin reproduktiv”, tha Elena Saveska, edukatore seksuale.

E vetmja mënyrë që të rinjtë në Maqedoninë e Veriut mund të mësojnë në lidhje me mënyrat e mbrojtjes nga shtatzënia e paplanifikuar është përmes edukimit jo-formal. Përfshirja e edukimit gjithëpërfshirës seksual si lëndë e posaçme në arsimin formal filloi si pilot-projekt por deri tani, asgjë konkrete nuk është ndërmarrë.