Shqipëria

Shqipëri: Nuk ka më bileta ‘low cost’ nga aeroporti i Tiranës

Vitet e fundit të fluturoje nga Rinasi nëpër Europë ishtre mjaft e lirë, si rrjedhojë e hyrjes së operatorëve me kosto të ulët (low cost).

Për data të caktuara ishte e mundur që të gjeje një bilete vajtje ose ardhje për 20 euro, ose 40 euro vajtje-ardhje, sidomos në destinacionet drejt Italisë.

Mesatarisht, edhe në destinacione të tjera, si Gjermania, apo Franca, mund të blije bileta vajtje-ardhje 50-100 euro. Vetëm në periudhat e sezonit, si në verë, apo për festat e fundvitit, biletat ishin më të shtrenjta.

Por, këtë vit, çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas një vëzhgimi të “Monitor” në faqet zyrtare të kompanive ajrore në vend, është pothuajse e pamundur të gjesh bileta të lira. Me përjashtim të destinacioneve italiane në ditë të caktuara, përgjithësisht një biletë vajtje-ardhje tashmë kushton mesatarisht midis 110-200 euro.

Biletat më të lira janë në destinacionet italiane, ku mund të gjesh edhe me 70 euro-100 (dy drejtime) për në maj, por më pas në qershor çmimet dyfishohen. Në gusht, nëse i pret sot arrijnë 400-500 euro (dy drejtime) për të gjitha destinacionet.

Por, burime nga “Wizz AIr”, operatori më i madh në treg kanë pohuar më herët për Monitor se duke qenë se pas pandemisë ka ndryshuar algoritmi për blerjen e biletave, nëse shikon çmimet për një afat më të gjatë se 3 muaj, automatikisht ato janë më të shtrenjta, pasi supozohet që personi që do të presë biletën kaq herët e ka të sigurt që do të udhëtojë.

Gjithsesi, përgjithësisht në gusht, çmimet shtrenjtohen ndjeshëm, kurdo që t’i presësh. Shtrenjtohet ndjeshëm Gjermania me “Wizz Air”, që është operatori më i madh në vend, me gati 60% të tregut, në Hamburg për datat 7 e 9 maj bileta vajtje ardhje kushton 115 euro.  Në qershor, për vajtje në datën 10 dhe kthim në 13, çmimi rritet në 180 euro. Për në Baden po të Gjermanisë, ku vitin e kaluar një biletë vajtje-ardhje në qershor e gjeje me 40 euro, në 10 qershor 2023, vetëm vajtja është 310 euro dhe kthimi 80 euro!

Për në Berlin, në fillim të majit bileta po me “Wiiz Air” kushton 135 euro (vajtje-ardhje). Për në 9-13 qershor, çmimi rritet në 200 euro.  Vitin e kaluar biletat drejt destinacioneve gjermane i gjeje dhe me 70 euro (dy drejtimet). Tashmë është e pamundur, që të blesh një biletë, që kushton më pak se 100 euro.  Për në gusht të këtij viti (vajtje me datë 5 dhe kthim në datën 8), bileta për në Berlin arrin në 485 euro.