Integrimi
Konferencë mbi emigrimin e trurit nga atdheu – kthimi i dijes dhe përvojave
Në Bernë, Lidhja Shqiptare në Botë, më 25 mars 2023 organizoi një konferencë me temën: “Emigrimi i trurit nga atdheu – kthimi i dijes dhe përvojave” ku morën pjesë referues fushash të ndryshme profesionale
Lidhja Shqiptare në Botë, më 25 mars tuboi në Bernë një numër specialistësh të fushave të ndryshme të cilët referuan lidhur me një temë tejet të rëndësishme për Kosovën. Ndonëse konferenca mbahej në mërgatë tema e trajtimit lidhej kryekëput me Kosovën, prej nga, vitet e fundit, po emigron truri nga atdheu, shkruan albinfo.ch. Pikërisht për këtë mërgimtarët, të brengosur për këtë fakt po hulumtojnë për mundësinë e kthimit të dijes dhe përvojave sërish në atdhe.
Nazmi Jakurti, kryetar i LSHB, në cilësinë e organizatorit, zbërtheu fazat e emigrimit të shqiptarëve në Zvicër, duke nxjerrë në pah vlerat e bashkatdhetarëve tanë në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe të ndikimit ekonomik të tyre në vendin e prejardhjes. Ai bëri gjithashtu të ditur se shqiptarët, që dikur kishin ardhur si krahë pune në Zvicër dhe gjithandej shteteve perëndimore, sot janë bërë një vlerë e shtuar e këtyre vendeve në cilësinë e kuadrove profesioniste fushash të ndryshme, duke marrë si shembull edhe, pikërisht, panelistët e kësaj tribune.
Në udhëheqje të moderatores Alketa Gashi – Fazliu në këtë tribunë referuan për mundësitë e tyre për kthimin e trurit në Kosovë: Dajana Berisha, drejtoreshë Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare; Prof. Ing. Rexhep Gashi, kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër; Dr. Med. Flamur Mushica, radiolog në Langenthal të Zvicrës dhe në Prishtinë; dhe Orhan Spahiu, jurist dhe kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Herë pas here programin e begatoi me muzikë të luajtur në piano prof. Ermira Lefort.
Konferenca pati karakter debati me ç’rast, pas paraqitjes së referuesve, fjalën e morën edhe të pranishëm të tjerë në Qendrën e kongreseve “Allresto” të Bernës.
Në fillim, fjalën e mori zonja Dajana Berisha, e cila falënderoi z. Jakurti për kontributin e tij, si pasardhës i aktivitetit të madh të vëllezërve Mikel e Simon Kuzhnini, të cilët dijen dhe përvojën e tyre, në vazhdimësi u përpoqën ta kthejnë në Kosovë dhe në gjithë trojet shqiptare, për çka edhe në vitin 2015 publikisht u vlerësuan nga shoqëria kosovare për kontributin e tyre jetësor në funksion të zhvillimit ekonomik, politik, social e kulturor të Kosovës.
Në kontekst të temës për kthimin e trurit në Kosovës, zonja Berisha përkujtoi dhe vlerësoi lart edhe ditën e intervenimit të NATO-s në Kosovë, për ta shpëtuar vendin prej gjenocidit, spastrimit etnik që veç kishte filluar të ndodhte. Falë luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s, ndonëse ndodhën vrasje masive të civilëve, përfshirë këtu edhe fëmijë, gra e burra, mërgata sërish mobilizohet në mbledhje fondesh e në lobim për zhvillimin e Kosovës.
Më tej, zonja Berisha bëri të ditur se termi diasporë është i shtrirë gjithandej, kështu që në një studim ajo kishte vërejtur se nga rreth 43 milionë klikime vetëm për këtë term, rreth katër milionë e katërqind mijë klikime i referoheshin diasporës kosovare, që flet qartë se sa e “nxehtë” është kjo temë dhe sa e rëndësishme është diaspora për vendin e origjinës., shkruan albinfo.ch Ajo, gjithashtu zë në gojë edhe studiuesit dhe profesionistët e teorive që për diasporat shohin dhe vlerësojnë mundësi të ndryshme e potencial të fuqishëm për përfshirjen dhe kontributin e komuniteteve diasporake në zhvillimet ekonomike e sociale të vendeve të origjinës, duke shtuar tashmë edhe transferimin e njohurive në vendin e origjinës.
Mirëpo, zonja Berisha, për mbajtjen e trurit në Kosovë, insiston që qeveritë të investojnë më shumë në zvogëlimin e papunësisë të të rinjve në Kosovë, e cila aktualisht është rreth 50%, duke i ndihmuar ata me grante, subvencione, rikualifikime etj, që dukshëm edhe nuk mjaftojnë. Prandaj ajo theks të veçantë u vë zhvillimeve ligjore, të cilat trajtojnë ikjen e trurit të të rinjve nga Kosova dhe kthimin e trurit nga mërgata në Kosovë.
Sa i përket migracionit, zonja Berisha e sheh si çështje problemore edhe mungesën e të dhënave për migracionin, si një nga pengesat më të mëdha që pengon formulimin e kthimit cilësor dhe të informuar për politikat e qarkullimit. Pra, mungojnë të dhëna të besueshme, të qasshme dhe sistematike për sa i përket vëllimit, karakteristikave, moshës dhe përbërjes së aftësive të emigrantëve, gjë që është një parakusht për një proces gjithëpërfshirës të politikave, thotë Dajana Berisha.
Megjithatë, Berisha ikjen e trurit e sheh edhe si një mundësi zgjidhjesh inovative, duke krijuar nga kjo një rrëfim pozitiv që do të ndryshonte nocionin e ikjes së trurit prej një disfate kombëtare në një dukuri zhvillimore. Në këtë kontekst më shumë vëmendje mund t’u kushtohet historive të suksesshme të diasporës, të dhënave të diasporës, qasjeve të angazhimit të diasporës, praktikave krahasuese ose politikave novatore, tha mes tjerash në ekspozenë e saj Dajana Berisha.
Inxhinieri Rexhep Gashi shprehet i shqetësuar me gjendjen aktuale të resurseve natyrore në Kosovë, sidomos pas një vizite që i ka bërë minierës “Trepça”, burimet e së cilës aktualisht përpunohen jashtë shtetit dhe përfitimet janë tejet të vogla për vendin. Ai thotë se gjatë studimeve të tij në nivelin botëror për koncentrimin e arit, argjendit dhe mineraleve të tjera në minierat e Kosovës nuk ka hasur askund të ketë më shumë se në minierat e Kosovës. Ndërkaq ne këto sot ua shesim vendeve të tjera në formë të zhavorrit, derisa ato, ta zëmë Mali i Zi i përpunon e i fisnikëron dhe merr përfitime të mëdha, punë të cilën duhet bërë në Kosovë. Një faj për këtë anomali ua lë edhe mediave në Kosovë, që nuk sjellin ekspertë të fushave të këtilla në programet e tyre.
Veç kësaj z. Gashi kritikon edhe politikat e punësimit në Kosovë, ku nuk punësohen njerëzit e duhur në vendet e duhura të punës. Prandaj ai, në ekspozenë e tij, ofron mundësi bashkëpunimi nga distanca, pa pasur nevojë të shkëputjes nga puna këtu në Zvicër. Por, sugjeron që në Kosovë të investohet më shumë në traditën e punës, në lidhjen akademike dhe biznesore me Bashkimin Evropian, në transferin e diturisë, sepse një popull që nuk ka dituri është i destinuar të dështojë.
Radiologu Flamur Mushica nuk dyshon aspak në aftësitë e kolegëve të tij në Kosovë, por kushtet e avancimit profesional në Zvicër janë më të mira. Shi për këtë z. Mushica më 2009 kishte ardhur për të pasuruar njohuritë e tij në fushën e radiologjisë, por që ishte ndalur nga mentori i tij për të punuar në Zvicër. Ai thotë se nuk është penduar sepse nga punësimi këtu ka përfituar shumë në aspektin profesional. Kështu, ai tani punon si kryemjek (Oberarzt) i Radiologjisë në një spital të Zvicrës.
Zoti Mushica foli për zhvillimin e shpejtë të Radiologjisë dhe ajo që sot lidhet me këtë temë është Inteligjenca Artificiale e cila së shpejti do të jetë bazë e radiologjisë, ndërkaq mbetet detyrë jona që këtë temë ta fusim edhe në edukimin e studentëve në Kosovë, pa pasur nevojë që ta lëshojmë vendin e punës këtu në Zvicër.
Ka disa vite që në Zvicër ekziston një shoqatë e mjekëve shqiptarë, e cila i ka bërë disa punë shumë të mira, në mesin e të cilave vitin e kaluar e ka pasur Swiss Medical School që e ka mbajtur me 4 dhe 5 nëntor, ku target kanë qenë studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë si dhe mjekët e rinj. Qëllimi ka qenë që secili nga ne të japë përvojat e veta. Ta zëmë, unë kam marrë pjesë me një ligjëratë për emergjencat në radiologji dhe në një Vorkshop për interpretimin e imazheve.
Meqë prej vitesh dr. Mushica është përgjegjës për specializantë, ai tërheq një paralele me specializantët në Kosovë, për të cilët thotë se në teori janë shumë të fortë, me potencial të madh teorik, por kur vijnë në shkallën e praktikimit atëherë ngecin, ose edhe dështojnë sepse u mungojnë pajisjet përkatëse dhe metodologjia e mbajtjes së praktikës.
Një ndihmesë konkrete dr. Mushica e ka dhënë duke mbajtur rreth 50 ligjërata online për disa teknikë të radiografisë në Gjilan, pasi që Spitali rajonal i Gjilan e ka marrë dhuratë nga një spital i Luksemburgut një aparat CT, të një niveli madje më modern seç e ka sot Langenthali ku punon vetë ai. Falë këtij aparati dhe në bazë të matjeve të fizicistëve rreth 50 % është ulur niveli i rrezatimit të pacientëve.
Juristi Orhan Spahiu, në saje të disa studimeve ku krahason Kosovën me disa vende të tjera sheh se dallimi nuk është shumë i madh, pra problematika e ikjes së trurit është dukuri e pothuaj shumë shteteve në Ballkan dhe në botë. Ai thotë se disa studime tregojnë se vendimi për t’u kthyer në vendin e origjinës më lehtë merret nga një individ që e ka mundësinë e kthimit në shtetin mikpritës, sesa një individ që nuk e ka të zgjidhur një status të tillë, shkruan albinfo.ch. Duke iu referuar gjithmonë studimeve z. Spahiu thotë se vendimi për t’u riatdhesuar merret më lehtë në pesë vitet e para të migrimit, kështu që çdo vit që kalon migranti pas vitit të pestë më me vështirësi vendos për t’u kthyer në vendin e tij të origjinës. Një kthim bëhet edhe shumë më i vështirë kur migranti ka kaluar mbi dhjetë vjet në Zvicër, që i bie se ai tashmë është integruar dhe nuk mund ta marrë një vendim për kthim.
Por kur është në pyetje kthimi i trurit në Kosovë z. Spahiu jep një version të tij që është më lehtë i realizueshëm dhe, natyrisht, dobiprurës për vendin e origjinës. Në këtë kontekst ai merr shembullin e dy panelistëve: z. Gashi dhe z. Mushica të cilët me ligjëratat online ose edhe në vendin e origjinës ndihmojnë trurin e mbetur në Kosovë që ai, falë përvojës së këtyre në mërgatë, të përfitojë dhe dijen e fituar ta zbatojnë në vendin e tyre të punës.
Orhan Spahiu sjell po ashtu statistika të kthimit të trurit në vendin e origjinës si rezultat i ngritjes ekonomike të vendit të origjinës. Pra në një kohë kur Turqia ka arritur të reflektojë zhvillim më të madh ekonomik, atëherë, përveç që është ndalur ikja e trurit, truri edhe është kthyer në atdhe. Por, më vonë është parë se me dobësimin e ekonomisë ka filluar sërish ikja e trurit.
Ai merr shembuj edhe nga Gjermania, Spanja e Portugalia që kanë problematika të ngjashme të kthimit të trurit. Pra, për të pasur kthim të trurit në vendin e origjinës, ose duhet pasur zhvillim të mjaftueshëm ekonomik (çka ne nuk e kemi në Kosovë), ose investime shtesë të mërgatës në vendin e origjinës, çka një gjë e tillë kërkon edhe funksionim të mirëfilltë të ligjit, sepse investitori kërkon siguri maksimale për investimet e veta.
Pra, nëse duam të marrim një ofensivë për kthimin sa më të shpejtë të trurit në Kosovë, atëherë këtë duhet ta bëjmë përmes personave që e kanë lëshuar Kosovën dhjetëvjetëshin e fundit dhe që ende i kanë lidhjet e pashkëputura familjare me Kosovën, por që në shtetet Perëndimore kanë arritur të marrin dije dhe përvoja të reja që mund të jenë të dobishme për Kosovën. Për t’u arritur kjo, gjithsesi, duhet energji, durim, financa dhe zhvillim ekonomik.
Lidhur me këtë temë pati edhe një debat nga të pranishmit të cilët po ashtu, me sugjerimet dhe propozimet e tyre dhanë kontribut në realizimin e kësaj konference për mundësinë e kthimit të trurit në vendin e origjinës. Me këtë rast profesoresha Ermira Lefort preferoi që patentet e zbuluara të shkencëtarëve shqiptarë në mërgatë të kenë një garanci, pra në shtetin e origjinës të garantohet e drejta e autorit në çdo fushë.
Në këtë drejtim zonja Dajana Berisha tha se ligjet ekzistojnë por si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, problemi qëndron më shumë te zbatimi dhe te monitorimi. Fatkeqësisht ne jemi shoqëri që nuk e kemi të kultivuar kulturën e ndëshkimit ligjor për problemet e shumta që ndodhin.
Qamil Isufi u shpreh i zhgënjyer me funksionimin e ligjit në Kosovë, sidomos kur është fjala për të drejtat autoriale dhe ngjashëm. Ai po ashtu tha se asnjë qeveri e deritashme nuk ka sjell një projekt konkret për mërgatën për ta kthyer trurin dhe dijen në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Përkundrazi në Kosovë janë shitur dhe asgjësuar edhe ato pak fabrika që dikur kanë gjeneruar vende pune, siç ishin fabrika për prodhimin e pllakave të qeramikës ose Magnohromi, Amortizerët, Elektromotorët etj.
Nazim Rexhepi nga sindikata UNIA shpreh pakënaqësi për mangësitë e ligjeve në Kosovë, si p.sh. kontrata kolektive e sigurimit, respektimi i orarit të punës dhe pagesa dinjitoze e të rinjve. Pra ai insiston që ligjet të zbatohen sa më shpejt në Kosovë.
Valon Baraliu, kirurg nga Gjermania tha se problemi ynë është krahasimi. Ne krahasohemi me Zvicrën, Gjermaninë etj. kështu që krijojmë përshtypjen se jemi prapa, ndonëse edhe kjo është relative, sepse ka fusha ku jemi prapa, por ka edhe fusha ku jemi përpara. Mirëpo ne duhet të insistojmë në aplikimin dhe funksionimin e ligjeve në Kosovë, në kontrollimin e medieve që të mos krijojnë armiqësi ndaj diasporës dhe t’i propagandojnë vetëm rastet negative, duke mos dhënë shembuj të përditshëm kur mjekët në Kosovë shpëtojnë jetë njerëzish dhe edukimi i gjeneratave të ardhshme si dhe ruajtja e gjenezës së tyre, si gjuha, kultura etj.
Alban Zeqiri shpreh brengën se angazhimi ynë me vetëkontribute mund të na lodhë një ditë, sepse një angazhim i tillë në vendlindje është i kushtueshëm.
Për të pranishmit organizatori shtroi një apero.
Teksti dhe Fotot: Xhevdet Kallaba
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce Pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?