Kosova

Kurti takon Ramën  

Marrëveshja e arritur në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ishte në fokus të takimit që Kurti zhvilloi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

Takimi me Ramën u zhvillua në një ambient jozyrtar, ku Rama përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një foto, theksoi se për çka diakutuan.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkruan Rama.

Ai njoftoi po ashtu se bashkë me Kurtin ranë dakord që mbledhja e radhës e dy qeverive të mbahet në muajin qershor.