Kosova

Për dy muaj, 52 mjekë u larguan përfundimisht nga Kosova

Avazi i ikjes së mjekëve është bërë top temë në Kosovë, ku trendi i ikjes së mjekëve dhe infermierëve nga Kosova po vazhdon çdo ditë, përcjell albinfo.ch.

Pagat e ulëta, kushtet e punës e mungesa e specializimeve, thuhet se janë faktorët kryesorë të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi.

Shifra alarmante janë shënuar nga ikja e mjekëve edhe deri më tani në këtë vit.

“52 mjekë gjatë vitit 2023 janë larguar nga puna për të shkuar jashtë vendit”.

Kështu ka bërë të ditur kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Njëra ndër arsyet e ikjes së mjekëve, sipas Sejdiut, është çështja e pagave.

Ai ka thënë se ka shumë arsyeje që çojnë profesionistët deri në largimin e vendit.

“Arsyet e mjekëve janë të shumta që po largohen nga vendi i punës për jashtë vendit. Vitin e kaluar përmes një sondazhi kanë qenë kushtet e punës, kualiteti i specializimeve dhe paga, por këtë vit ka ndryshuar ky sondazh dhe është arsyeja e parë është mundësia e punësimit, e dyta është çështja e pagave dhe e treta kushtet e punës“, u shpreh Sejdiu.

E fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vjet, ku mjekët dhe infermierët destinacionin kryesor për të ushtruar profesionin e tyre e kishin Gjermaninë.

Në Kosovë, paga e një mjeku specialist, sipas Ligjit për paga arrin në 1260 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.