Gruaja

7 Marsi, ditë e shënuar edhe për mësimin e shqipes në Zvicër

Më 7 mars 1987, në Ditën e Mësuesit, z. Xhafer Shatri hapi Shkollën e parë shqipe të pavarur në Gjenevë. Aty punuan mësueset vullnetare: Remzie Selimi – Zymeri, Hidajete Dërmaku dhe mësuesi Sejdi Sopi

Në kujtim të hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe kombëtare laike në Korçë më 7 mars 1887, sot, 7 marsi  2023 u është kushtuar mësueseve të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër.

Sot, 7 Mars 2023 tashmë është një Ditë e Shënuar për Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues dhe historinë e saj në Zvicër.

Më 7 mars 1987, në Ditën e Mësuesit, z. Xhafer Shatri hapi Shkollën e parë shqipe të pavarur në Gjenevë. Aty punuan mësueset vullnetare: Remzie Selimi – Zymeri, Hidajete Dërmaku dhe mësuesi Sejdi Sopi, për të hapur krahët e pushtuar tash mbi tri dekada  hapësirën gjeografike zvicerane.

Duke qenë pjesë e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues, mësuese për 28 vjet pandërprerë në kantonin Jura, mund të them se mësimi dhe ruajtja e Gjuhës Shqipe nuk mund të mendohet pa Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” qysh nga vitet ’90 të shekullit që lëmë pas si bartëse organizative e mësimit shqip në Zvicër.

Një plejadë mësuesish e mësuesesh të shquar/a dhe prindër atdhetarë derdhën djersën e mundin pa kursim vetëm e vetëm për të qenë më pranë fëmijëve shqiptarë, që të kenë mundësi edhe ata të mësojnë gjuhën shqipe.

Cilësia e mësimdhënies në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues është bërë e mundur me ndihmën dhe kontributin e pakursyer të Prof Dr Dr Basil Shader, pedagogut dhe albanologut zviceran.

Dëshira deri në përkushtim e mësueseve; me pagesë nga prindërit, pa njohje zyrtare nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pa marrëveshje midis dy shteteve Kosovë – Zvicër mësimi plotësues i gjuhës shqipe përballet me probleme të mprehta. Indiferenca jonë shkakton baltosje të vlerave tona.

Gjithë fëmijëve jashtë atdheut u mungon gjuha shqipe, pa fajin e tyre e flasin pak dhe nuk e shkruajnë dot.

Të nderuar mësues e mësuese, 7 Marsi, dita e nderimit të mësuesit, më jep kënaqësinë t’ Ju përcjell me shumë respekt dhe mirënjohje urimet më të sinqerta për Ju, familjet tuaja dhe nxënësit e nxënëset që mësoni.

GËZUAR 7 MARSIN!

Dhe e mbyll ligjëratën duke shoqëruar me disa intervista të mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe të cilat me kënaqësi iu përgjigjen ftesës. Mirënjohje!