Lajme

Pse një francez me trashëgimi zvicerane u refuzua për nënshtetësinë

Edhe pse një pasaportë zvicerane mund të merret përmes prejardhjes, kjo lidhje familjare nuk bëri që një shtetas francez dhe fëmijët e tij të kualifikoheshin për natyralizim të lehtësuar. Ja pse

Procesi i lehtësuar, i quajtur gjithashtu “i thjeshtuar” ose “i shpejtë”, është i rezervuar për disa të huaj.

Kjo kategori përfshin shtetasit e huaj të gjeneratës së tretë, gjyshërit e të cilëve ishin zviceranë, bashkëshortët e shtetasve zviceranë, si dhe fëmijët e prindërve zviceranë, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch,

Pra, pse francezit iu mohua kjo e drejtë?

Pavarësisht nga emri i saj, kjo lloj procedure natyralizimi nuk është as e thjeshtë dhe as e shpejtë (asgjë në Zvicër nuk është). Ajo kërkon një barrë të caktuar provash, së bashku me kushtet e tjera që duhet të plotësohen.

49-vjeçari fillimisht e paraqiti kërkesën e tij në një konsullatë zvicerane në qytetin e tij të lindjes në Lyon në vitin 2017, duke e motivuar atë nga fakti se stërgjyshja e tij kishte lindur zvicerane dhe se babai i tij ishte natyralizuar përmes një procesi të shpejtë.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kreu hetimin e tij dhe hodhi poshtë kërkesën e tij, duke gjetur se aplikanti nuk kishte lidhje mjaft të ngushta me Zvicrën, një kusht kryesor për natyralizim të lehtësuar, përcjell tutje albinfo.ch.

Në fakt, ai as nuk kishte shkelur në tokën zvicerane në 10 vitet e fundit – edhe pse vetëm 150 km e ndajnë Lionin nga Gjeneva – dhe njohuritë e tij për vendin u konsideruan “vetëm mesatare”, sipas autoriteteve.

Burri kundërshtoi vendimin e SEM duke apeluar në autoritetin më të lartë gjyqësor të vendit, Gjykatën Federale.

Megjithatë, në vendimin e saj të dhënë të enjten, Gjykata mbajti anën e SEM, duke theksuar se i vetmi kusht që francezi plotësoi është njohja e një prej gjuhëve kombëtare të Zvicrës – frëngjishtja.

Jo vetëm që iu refuzua ankesa, por burri duhet të paguajë edhe 2000 franga shpenzime ligjore, përcjell tutje albinfo.ch.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë fundi i rrugës për kandidatin e pasuksesshëm. Ai mund të riaplikojë për shtetësi, por lloji i ‘zakonshëm’ dhe jo i lehtësuar, ku pengesa për natyralizim është shumë më e lartë. Së paku, kandidati i refuzuar mund të gjejë ngushëllim në një rast të bashkatdhetarit të tij, i cili ka jetuar në Gjenevë për 40 vjet, por aplikimi i të cilit për shtetësi u refuzua për shkak të një dënim për shpejtësinë që mori në 2017.

Çfarë do të thotë saktësisht të kesh ‘lidhje të ngushta’ me Zvicrën?

Kushtet janë shumë specifike dhe shkojnë përtej lidhjeve të thjeshta të gjakut.

Sipas Gjykatës Federale, një person që pretendon lidhje të ngushta duhet të provojë “të paktën tre qëndrime në Zvicër me kohëzgjatje minimale prej pesë ditësh gjatë gjashtë viteve para aplikimit”; të jetë në gjendje të flasë një gjuhë kombëtare në baza ditore; të ketë njohuri “elementare” të gjeografisë, historisë dhe politikanëve zviceranë dhe të “mbajë kontakte me zviceranët”.

Fakti që burri dështoi në “njohjen elementare” të vendit nuk është shenjë e mirë për sa i përket marrjes së nënshtetësisë zvicerane.

Siç e dinë dhjetëra mijëra kandidatë të tjerë për natyralizim, kjo lloj njohurie dhe interesimi për gjithçka “zvicerane” tregon një integrim të mirë – ose të paktën gatishmëri për t’u përshtatur me vlerat dhe mënyrën e jetesës lokale.

Në fakt, integrimi – i përcaktuar nga SEM si pjesëmarrje “në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të shoqërisë” – është një kusht thelbësor për shtetësinë dhe një faktor i madh në dhënien ose mohimin e pasaportës zvicerane.

Pa dyshim, se si interpretohet kjo kërkesë në jetën reale u lihet komiteteve lokale të natyralizimit, të cilët kanë qenë të njohur për të bërë gjykime arbitrare në mjaft raste.

Nga veshjet e vrapimit te djathërat

Disa nga shembujt e këtyre vendimeve subjektive përfshijnë një familje nga Kosova, me banim afatgjatë në Zvicër, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për shtetësi, për shkak të zakonit të tyre që të veshin xhaketë në qytet dhe të mos përshëndesin kalimtarët.

Një rast tjetër kishte të bënte me një britanik, aplikimi i të cilit u refuzua sepse ai nuk mund të jepte përgjigje të sakta për pyetjet rreth origjinës së një pjate zvicerane, raclette.

E gjithë kjo dëshmon se kriteret për të marrë një pasaportë zvicerane janë shumë kërkuese, gjë që mund ta bëjë francezin të ndihet pak më mirë për të mos marrë të tijën.