Lajme

Protestat kundër termocentraleve në kantonet zvicerane

Mijëra njerëz marshuan rrugëve të qyteteve zvicerane, si pjesë të protestave kundër djegies së lëndëve fosile.

Qytetarët u mblodhën në Cyrih për të kundërshtuar specifikisht termocentralin në Birr, në kanton të Aargau që do punojë me vaj e gaz dhe kundërshtuan edhe termocentralin me gaz natyror në Muttnez në kantonin e Basel, i cili do të përdorë gazin natyror nga Katari, shkruan Swissinfo.ch, përcjell Albinfo.ch.

Protesta të ngjashme u organizuan edhe në qytete të tjera zvicerane të premten në mbështetje të grevës për ndryshimet klimatike, në mënyrë që të bëhet thirre për veprim në nivel internacional.

“Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, termi krizë energjetike është përmendur nga të gjithë. Megjithatë, nuk është një krizë e përgjithshme energjetike, por një krizë fosile dhe bërthamore”, ka thënë përfaqësuesi i grevistëve, Corentin Mottet për transmetuesin publik nga kantoni Valais.

Protestuesit u shprehën se qeveria federale ka dështuar të fillojë ndryshimet socio – ekologjike gjatë krizës së koronavirusit dhe tash duhet të veprojë për të ndaluar valën e lëndëve djegëse, raporton Swissinfo.ch, përcjell Albinfo.

Mbi 8500 qytetarë llogaritet të kenë marrë pjesë në këtë protestë që u lejua edhe nga policia.