Lajme

Shpërthim me granatë në Gjykatën Themelore të Podgoricës

RTCG

Në shpërthimin e paradites së të premtes në Gjykatën Themelore të Podgoricës mbeti një person i vrarë dhe tetë të tjerë u plagosën. Viktima është edhe personi (Mladen Bulatoviq – 40 vjeçar) i cili e aktivizoi granatën brenda objektit të Gjykatës së Podgoricës, ndërsa të lënduar mbetën punonjës të gjykatës e një avokat, raporton televizioni publik i Malit të Zi, përcjell Albinfo.ch.

Serxhan Koraq nga Drejtoria e Policisë së Malit të Zi i ka thënë televizionit publik se përthimi ndodhi në orën 11:35.

“Në ora 11:35 kemi marrë njoftim se në ndërtesën e Gjykatës Themelore është aktivizuar një mjet shpërthyes dhe se ka të lënduar. Kemi konstatuar se M.B. (40), i cili ka aktivizuar mjetin shpërthyes, është vrarë”, ka thënë Koraq.

Motivet që çuan Bulatoviqin deri te sulmi me granatë në Gjykatë ende mbesin të paqarta për autoritetet e Malit të Zi, megjithatë është bërë e ditur që ai arriti të aktivizojë mjetin shpërthyes përpara pikës së kontrollit të policisë që merret me sigurimin e objektit të Gjykatës së Podgoricës.

Të premten e tre marsit, 40 vjeçari Mladen Bulatoviq nuk pritej të paraqitej para trupit gjykues të kësaj gjykate. I njëjti vite me radhë ishte dënuar për vepra të ndryshme, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Podgoricës, Ivana Beciq për Televizionin Publik të Malit të Zi. “Bëhet fjalë për një person i cili është dënuar para kësaj gjykate për veprën penale të mosdhënies së ushqimit, me dënim në shërbim publik në qershor të vitit 2022, ndërsa çështja e formuar për zbatimin e këtij dënimi është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë. juridiksioni i të cilit është në dhjetor 2022”.

Sulmi i ditës së sotme ngjalli edhe reagime sa i përket sigurisë së objektit në fjalë. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Podgoricë, Zheljka Jovoviq, ka përmendur faktin se tash e tre vjet paralajmëron për mungesën e sigurisë nëpër gjykata.