Lajme

49 qiraxhinj duhet të lëshojnë banesat e tyre për t`u bërë vend azilkërkuesve

49 qiramarrës në komunën Windisch (Aargau) duhet të lirojnë apartamentet e tyre për të siguruar strehim të ri për azilkërkuesit

Për shkak se kantoni i Aargaut po planifikon strehim të ri për për 100 azikërkues në komunën Windisch, u është ndërprerë kontrata e banimit 49 qiramarrësve në një ndërtesë, trasnmeton albinfo.ch. Komuna nuk dëshiron ta pranojë këtë dhe po kundërpërgjigjet “me ashpërsi”.

Sipas komunës së Windisch-it, pronari tashmë ka njoftuar 49 qiramarrësit e tri pronave për të lënë banesat deri në fund të qershorit.

Komuna i ishte përgjigjur tashmë kantonit në një takim më 17 shkurt se ky veprim nuk do të pranohej “nëse qiramarrësit do të hidheshin në rrugë për të akomoduar azilkërkuesit”, kanë deklaruar nga zyra komunale të hënën.

Sipas komunës, ajo “kundërshton me forcë dëbimin e banorëve të saj nga shtëpitë e tyre”, përcjell albinfo.ch. Sidomos për njerëzit që tashmë janë në një situatë të rënduar financiarisht, do të jetë e vështirë ose e pamundur të gjejnë strehim në banesa me çmime të ulëta, thuhet në deklaratë.

Këshilli bashkiak pret që kantoni të heqë dorë nga ndërrimi i subjektit të qirasë për pronat në fjalë. Një deklaratë nga kantoni nuk është ende e disponueshme.