Shqipëria

Shqipëria e Mali i Zi nesër mbajnë mbledhje të përbashkët, nënshkruajnë 10 marrëveshje  

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi do të mbajnë nesër mbledhjen e përbashkët, ku janë paralajmëruar të nënshkruhen 10 marrëveshje,.

Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, njofton se mbledhja e përbashkët do të zhvillohet në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU), në Podgoricë.

Në orën 10:30 do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve para godinës së CANU-së, ndërsa në orën 10:45 do të jetë nisja e seancës së përbashkët.

Ndërsa në orën 13:00 do të bëhet nënshkrimi i deklaratës së përbashkët dhe marrëveshjes bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.

Po ashtu bëhet e ditur se do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive është zhvilluar në Shkodër, më 3 korrik 2018.