Maqedonia

Maqedoni: U vonohen pagat, mjekët paralajmërojnë protestë  

Sindikata e Qendrës Klinike në Shkup ka paralajmëruar protesta dhe grevë të personelit mjekësor nëse deri nesër Fondi Shëndetësor nuk i lëshon pagat e muajit janar.

Nënkryetari i kësaj Sindikate, Sefedin Aliu, thotë se vonesa e pagave ka rënduar edhe më shumë gjendjen socio ekonomike të personelit shëndetësor.

“Shëndetësia ekonomikisht është në nivel shumë të ulët dhe të vonohen pagat, është e padurueshme dhe jo rastësisht e thashë se atë që na e mundëson dhe ligji, ditën e hënë nëse nuk ka pagesë të rrogës ne do të dalim në protesta, por pse jo dhe grevë. Ka premtime nga Fondi se nesër do të ketë pagesa të pagave për muajin e kaluar, nëse ajo ndodh do vazhdojmë me aktivitete të tjera, por ka s’ka rroga ne prapë do të protestojmë që mos të ndodhin më kësi gjërash. Jemi të detyruar, njerëzit bukë nuk kanë. Larg jemi nga ajo për të biseduar për standard më të larta, pagat e personelit shëndetësor janë për mëkat – shumë të vogla. Jemi në kontakt me anëtarësinë, dhe do të veprojmë në përputhje me atë se cfarë e kërkon situata”, tha Aliu, transmeton alsat, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë Sindikata e Spitalit 8 shtatori për nesër ka paralajmëruar protestë të qetë gjysmë orëshe. Drejtuesja e Sindikatës madje tha se po ushtrohet presion ndaj tyre që të mos dalin në protestë.

“Kemi caktuar protestë të qetë për nesër nga ora 13 -13.30 në të cilin protest ne do ta shprehim pakënaqësinë për mos marrjen e pagës e cila është vonuar dhjetëra ditë. Bankat nuk pyesin përse vonojnë pagat, kemi presione, duhet t’i paguajmë kreditet  duhet të paguajmë kontributet të tjera mujore, faktikisht kemi rritje kamate, njerëzit janë të pakënaqur dhe këtë protest ë e bëjmë është për t’i [ërfaqësuar të gjithë të punësuarit në Spitalin “8 shtator” . njoftimin për protest e dorëzuam në arhivë që të premten, por nga fillimi kishim presione nga menaxhmenti ndërsa morëm informata nga të punësuarit se përballen me presione me qëllim që nesër të mos dalin në protest”, shtoi Renata Gjakonoviq, Sindikata e pavarur e Spitalit “8 shtatori – Shkup.

Ditë më parë ministri i Financave, Fatmir Besimi, deklaroi se nëse deri të hënën Fondi Shëndetësor nuk e zgjidh problemin, paratë për pagat e punonjësve shëndetësorë do të transferohen direkt nga thesari, ndërsa pasi të zgjidhet problemi ato mjete do t’i kompensojë Fondit. Problemi me pagat erdhi pas sulmeve kibernetike të Fondit Shëndetësor, duke paralizuar pothuajse tërësisht këtë institucion.