Lajme

Cyrihu, më shumë banorë se kurrë më parë

Në vitin 2022 popullsia është rritur me 6705 persona. Kjo rritje është dukshëm më e lartë se në vitin 2021 (+1596) ose në vitin 2020 (+728)

Në fund të dhjetorit 2022, qyteti i Cyrihut kishte 443,037 banorë. Kjo ka tejkaluar rekordin e fundit, atë të vitit 1962, shkruan albinfo.ch. Sidoqoftë, Cyrihu dikur ishte edhe më i madh: nëse shikoni të dhënat mujore, edhe më shumë njerëz kanë jetuar në qytet, për shembull, në korrik të vitit 1963, përkatësisht 445,321 njerëz.

Aktualisht, proporcioni i të huajve në qytet është 33.1 për qind. Kjo është vlera më e lartë që nga viti 1913, thuhet në një komunikatë për shtyp, të lëshuar nga autoritetet e qytetit.

Rritje e madhe e popullsisë, sidomos tek të huajt

Në vitin 2022 popullsia është rritur me 6705 persona. Kjo rritje është dukshëm më e lartë se në vitin 2021 (+1596) ose në vitin 2020 (+728). Në vitin 2022, numri i zviceranëve u rrit me 260 dhe ai i të huajve, me 6,445. Rritja e popullsisë ishte 4 për qind te zviceranët dhe 96 për qind te të huajt.

Rritja e fortë e popullsisë në vitin 2022 ka ndodhur kryesisht për shkak të imigrimit. Me këtë bazë rritja ka qenë 14 për qind krahasuar me një vit më parë. Me gati 45,000 ardhje të reja, rritja në vitin 2022 ishte më e larta, që nga viti 2007.

Shkalla e lindjeve është dukshëm më e ulët që nga janari 2022

Në vitin 2022, në qytetin e Cyrihut kanë lindur 4538 foshnja, që është 14 për qind më pak se një vit më parë. Edhe pse numri i femrave nga 15 deri në 49 vjeç është rritur vitin e kaluar, që nga janari 2022 shkalla e fertilitetit, pra numri i të porsalindurve për grua në këtë grupmoshë, ka qenë dukshëm më i ulët se në vitet e mëparshme. Shkalla e fertilitetit ishte dukshëm më e ulët në të gjitha grupmoshat.

Rreth 2800 njerëz nga Ukraina
Në fund të vitit 2022, 2825 njerëz me nacionalitet ukrainas jetonin në qytetin e Cyrihut. Kjo do të thotë se rreth një e treta e rritjes së popullsisë në vitin 2022 (+6705 persona) ka ardhur si rezultat i imigrimit nga Ukraina, përcjell albinfo.ch. Numri i ukrainasve në Cyrih u rrit ndjeshëm, veçanërisht në mars dhe prill 2022.