Kosova
Kur edhe “praktikantët” janë më të mirë se ti!*
Dëgjohej shpesh nga opozita që anëtarët e qeverisë aktuale janë praktikantë, por kur praktikantët janë më të mirë se qeveritë e deritanishme, të cilat ishin të stërmbushura me “profesionistë”, atëherë çfarë ishin ata?
I. 2 vite qeverisje. Po bëhen 2 vite qeverisje të qeverisë Kurti 2. Gjatë këtyre gati 2 viteve janë bërë disa gabime por edhe përparime në disa fusha. Në një përzgjedhje të vogël do të përshkruhen shkurt në vijim.
- Tabelat
Qeveria aktuale pasi që erdhi në pushtet vendosi ta zbatojë ligjin në tërë Republikën e Kosovës, pa marrë parasysh presionin ndërkombëtar dhe presionin e opozitës për ta shtyrë vendimin. Kryeministri u tregua i gatshëm për kompromis dhe e respektoi kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e shtyu zbatimin për një afat sa i kërkuan. Pak para skadimit të afatit, erdhi kërkesa tjetër për ta bërë edhe një shtyrje. Qeveria nuk pranoi. Argumente të mira për shtyrjen e zbatimit të vendimit nuk kishte. Nuk është arsye të thuhet se qytetarët nuk janë të informuar mirë kur secili nga ta e di që ato tabela janë ilegale. Gjithsesi kanë qenë të informuar më së voni pas shtyrjes së parë të zbatimit. Me të drejtë qeveria vendosi të mos e shtyjë edhe njëherë zbatimin e ndalesës. U arrit që Serbia mos të lëshojë tabela të reja. Pra, çështja shkoi një hap përpara. Taktikisht ishte një hap i mençur shtyrja e ndëshkimit. Kështu nuk flitej më për ndalesën e tabelave, por vetëm për mosndëshkimin për një kohë. Pra, nga shtyrja e ndalesës u kalua në shtyrjen e përkohshme të shqiptimit të gjobave dhe mosprodhimi i tabelave të reja nga Serbia. Në negociata të vështira avancohet pak nga pak, me vendosmëri dhe argumentim të mirë.
- Korrupsioni
Një nga pengesat më të mëdha në zhvillimin e Republikës së Kosovës është korrupsioni. Përderisa të gjitha qeveritë e kaluara menaxhonin korrupsionin, qeveria aktuale filloi seriozisht ta luftojë këtë dukuri shkatërruese për shtetin. Këtë e dëshmon edhe indeksi i perceptimit të korrupsionit i “Transparency International”. Gjithashtu edhe Zvicra e cila e ndihmon Kosovën shumë në këtë temë, shprehet e kënaqur me ngritjen e nivelit antikorrupsion në Kosovë. A mund të bëhet më shumë në këtë drejtim? Gjithsesi që po. Por, së paku po duket që ka filluar të merret me seriozitet luftimi i korrupsionit. Kjo është parë edhe në aksione të shumta të policisë, ku janë arrestuar me mijëra persona.
- Nepotizmi
Po duket që edhe kjo qeveri nuk është ashtu siç duhet të ishte sa i përket nepotizmit. Edhe pse ndoshta kjo dukuri nuk është aq e “zhvilluar” si në qeveritë e kaluara që kanë stërmbushur administratën me persona të pakualifikuar dhe sot një pjesë e madhe janë vetëm ngarkesë për buxhetin e shtetit. Edhe kjo qeveri nuk po duket me qenë imune ndaj punësimit të familjarëve. Nëse ata familjarë me të vërtetë paskan qenë të kualifikuar për ato pozita dhe kanë konkurruar me profesionistë të tjerë dhe në fund paskan qenë më të mirët, atëherë nuk duhet ta kishin problem t’i arsyetonin në mënyrë objektive këto emërime e punësime.
- Shëndetësia
Ky sektor ishte me vite të tëra në mjerim. Mungonin gjërat më elementare për trajtimin e pacientëve nëpër spitale. Tani edhe pas dy viteve të qeverisjes nga qeveria aktuale nuk po duket që ka ndryshuar diçka për të mirë. U vazhdua me keq menaxhim apo me mos menaxhim të shëndetësisë. Punëtorët e shëndetësisë vazhdojnë të ikin nga Kosova, njëjtë sikur në kohën e qeverive të kaluara. Vazhdojnë të mungojnë gjërat elementare në spitale. Për një ministri të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme si kjo e shëndetësisë mbeti një kohë të gjatë pa ministër.
- Opozita
LDK-ja e gjunjëzuar nga ish-udhëheqësit, bëri disa hapa për ta reformuar partinë. Reformimi mbetet akoma më shumë dëshirë e kryesisë se sa që është bërë në fakt. Akoma duhet të merren me vetveten. Pjesa më e madhe e njerëzve kryesorë janë ata të cilët e kanë sjellë vendin në një gjendje të mjerueshme. Këtë problem e ka edhe VV-ja me kryetaren aktuale të grupit parlamentar, e cila ishe pjesë e një qeverie të kaluar. Kryetari aktual i LDK-së, si nga partia e tij ashtu edhe nga partitë e tjera akuzohej se po e mban qeverinë aktuale, pasi që nuk ishte mjaft agresiv kundër qeverisë. Qe një kohë ka filluar t’u shkoj për shtati kritikëve të tij. Kjo, fatkeqësisht në dëm të arsyes dhe opozitarizmit të mirëfilltë. Nuk bëhet opozita me cinizëm dhe me ulje të nivelit të debateve. Gjithashtu duhet të reflektohet për punën e paraardhësve. Për ta rritur besimin te populli, duhet të bëhet opozitë konstruktive dhe të mos bihet në grackën e populizmit.
Aktualisht zëri kryesor i PDK-së është kryetari i grupit parlamentar, i cili kur nuk ka argumente, fillon të ofendojë me familje.
PSD-ja e cila doli nga grupi i pakënaqur i ish-anëtarëve të LVV-së, lidhi koalicion parazgjedhor me AAK-në. Kaq ishin principet e tyre. Tash kanë mbetur vetëm një kopje e aksioneve të kahershme të LVV-së.
Kjo gjendje e opozitës më shqetëson sepse aktualisht nuk ka opozitë në Kosovë. Opozita është fondamentale për funksionimin e një demokracie dhe kontrollimin e ekzekutivit. Shpresoj shumë që të fillojnë ta marrin veten dhe të reformohen seriozisht, pasi që aktualisht opozitarizëm më shumë është duke u bërë nga disa deputetë të VV-së se sa nga partitë opozitare. Kjo ndoshta për shkak të përvojës së gjatë që e kanë në opozitë.
Dëgjohej shpesh nga opozita që anëtarët e qeverisë aktuale janë praktikantë, por kur praktikantët janë më të mirë se qeveritë e deritanishme, të cilat ishin të stërmbushura me “profesionistë”, atëherë çfarë ishin ata? Nga kjo rrjedh që ata “profesionistë” që sot janë në opozitë ose kanë qeverisur me qëllim të keq, për t’u pasuruar ose nuk kanë ditur të qeverisin. Se a është e para apo e dyta apo ndoshta të dyja së bashku, le ta vlerësojë secili për vete.
Opozita aktuale duhet të jetë konstruktive dhe jo të pyes se i kujt është kryeministri e kujt po i shërben ose të diskutojë se sa është patriot etj. Kjo është mjerim për opozitën. Sidomos kur edhe vetë presidenti i Serbisë ankohet që kryeministri është liruar nga burgu. D.m.th. nuk është i mirë për Serbinë.
Shtrohet pyetja, a është opozita aktuale alternativë për të qeverisur?
A mund të bëhet më shumë nga qeveria? Gjithsesi po. A është kjo qeveri ashtu siç dëshirojmë ta kemi? Jo, ka disa të meta. Disa nga to u cekën më lart.
A ka aktualisht alternativë? Jo. Me ndërrimin e kësaj qeverie mund ta paramendojmë se çka na pret dhe kush vjen në pushtet. Opozita aktuale nuk është alternativë as për dialogun me Serbinë. Edhe këtë e kanë dëshmuar me vite të tëra.
- Orhan Spahiu është jurist me profesion dhe punon në një zyrë avokatie, në Zvicër. Ai është po ashtu kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicrës. Ky tekst është opinion i autorit dhe nuk pasqyron patjetër qëndrimin e redaksisë.
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër