Lajme

Kapet shqiptari në Gjermani, po kërkohej prej 26 vitesh për vrasje

Krimi i vrasjes së rëndë nuk vjetërsohet: Një person i dënuar për vrasje në vitin 1997 u arrestua në aeroportin e Dyseldorfit

Një vrasës i kërkuar prej 26 vitesh është kapur nga Policia Federale në aeroportin e Dyseldorfit, transmeton albinfo. ch. 44-vjeçari donte të fluturonte për në Barcelonë kur u kontrollua rastësisht, ka deklaruar një zëdhënës i policisë të hënën.

Një urdhër-arresti nga autoritetet irlandeze për krime të lidhura me drogën i ka prishur atij fluturimin, shkruan Frankfirter Allgemeine Zeitung.

Pasi ai u bë i dyshimtë, policia federale i kontrolloi gjurmët e gishtërinjve dhe nxori në dritë të kaluarën e tij edhe më të rëndë: Sipas vendimit të gjykatës, shqiptari kishte qëlluar pë vdekje një bashkatdhetar të tij në vitin 1997 – me një emër tjetër në atë kohë, përcjell albinfo.ch. Që atëherë ai ishte në kërkim me urdhër arresti ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, për vrasje.

Policia federale i ka lëshuar një urdhër-arresti. Personi i është dorëzuar organeve të drejtësisë.

Për shkak se as në Shqipëri nuk ka parashkrim (vjetërism) për vrasjen, ai tani do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare.