Lajme
Kori nga Peja shfaqi program në Filarmoninë e Berlinit
Një koncert mbresëlënë që u mbajt të premten e kaluar u solli berlinezëve korin Siparantum. Qysh në hapje të koncertit përmes tingujve të lahutës së Anton Çivlakut në këngën “Ex Alpes”, sallën e elektrizoi fryma magjepsëse e bjeshkëve. Udhëtimi muzikor i formacionit nga Peja më pas do të shkonte shumë më larg: “Nga bjeshkët”, koncerti i parë solo i korit nga Kosova në ndërtesën me famë botërore, kaloi nëpër zhanre, kultura, gjuhë e periudha të ndryshme, nga baroku i Johann Sebastian Bach, (Come, sweat death) e deri tek Atsalum të letonezit të lindur në vitin 1992 Jekab Jancevskis.
Për dy orë rresht Memli Kelmendi dhe trupa e tij i mbajtën të mbërthyer të pranishmit. Ishin zërat e larmishëm të korit dhe solistëve të njohur të Kosovës, si Riza Jahaj, Kaltrina Miftari, Edina Pllana, Fidan Strumcaku apo Klea Dinaj, por edhe performanca me improvizime jo pa humor që krijuan një atmosferë të veçantë dhe një komunikim të rrallë me publikun.
Faruk Ajeti, Ambasador i Kosovës në Gjermani
Akustika e veçantë e sallës së Muzikës së Dhomës në Filarmoninë e Berlinit me publikun përreth skenës kishte meritat e veta. Edhe pse përfunduar në vitin 1987, disa dekada pas “vëllait të madh”, Sallës së madhe të Koncerteve, ajo është konceptuar sipas skicave të mjeshtrit Hans Scharoun. Urbanisti i famshëm nga Berlini nuk e përjetoi dot zgjerimin e Filarmonisë, që ai ia dorëzoi Berlinit në vitin 1963: Një vepër e stilit Bauhaus, që në skenën ndërkombëtare gëzon status “kult”.
Njëra nga këngëtaret, Kujtesa Nimanaj, i foli DW për emocionet e veçanta të mbrëmjes: ”Ne çdo herë kemi emocione para garave, por Filarmonia e Berlinit ka një tjetër rrezatim dhe emocionet ishin pak më të forta”.
Siparantum një histori suksesi
Siparantum është pagëzuar me emërtimin romak të Pejës, ku edhe është themeluar në vitin 2017, fillimisht si kor amator. Ideatori dhe nxitësi kryesor i tij është drejtuesi, Memli Kelemndi. 37-vjeçari i lindur në Pejë, vetë bir muzikanti, njihet në skenën muzikore të Kosovës qysh nga festivalet e fëmijëve.
Dirigjenti dhe kompozitori energjik e ka udhëhequr suksesshëm trupën e tij, që tashmë përbëhet kryesisht prej profesionistësh, nëpër shumë festivale dhe gara, prej nga shpesh është kthyer me trofe. Çmimin më të fundit kori e mori në vjeshtën e vitit 2022 në Portugali, në festivalin “Lisbon Sings”, në kategorinë e koreve mikse të vështirësisë së gradës së parë. Një vit më parë, në 2021, Siparantum kishte fituar “World Choir Games” në Belgjikë në kategorinë e muzikës bashkëkohore.
Homelands Festival sjell në Berlin kore nga e gjithë bota
Siparantum ishte ngjitur, më saktë: kishte zbritur, në skenën e veçantë të Filarmonisë së Berlinit, për herë të parë në vitin 2022. Si atëherë, sikurse edhe këtë vit, kori mori pjesë në Homelands Festival (shqip. Festivali i vendeve amtare), që organizohet çdo vit nga Akademia Ndërkombëtare e Arteve Korale me qendër në Berlin, Choralspace.
Gent Lazri, duke folur me mikrofon në dorë, pas tij janë koristet dhe koristët e korit Siparantum
Gent Lazri, vetë me prejardhje nga Shqipëria, themelues i Choralspace
Drejtori i saj, Gent Lazri, gjithashtu me prejardhje shqiptare, synon të prezantojë me këtë projekt rrënjët muzikore të vendeve amtare të komuniteteve etnike të metropolit gjerman, ku gati gjysma janë me prejardhje jogjermane. Lazri i tha DW se koret që vijnë çdo vit nga vende të ndryshme, shërbejnë edhe si ambasadorë kulturorë për vendet e tyre. “Është një urë ndërlidhëse mes popujve të ndryshëm, por edhe mes qytetarëve të Berlinit dhe kulturave të tyre”.
Përveç performancave solo të secilit ansambël, në program ka edhe shfaqje të përbashkëta kur të gjitha koret së bashku këndojnë këngët e tyre. Një shjje të parë të forcës së madhe emocionale që shkaktojnë aliazhe të tilla e solli në koncertin “Nga Bjeshkët”, performimi i Siparantum dhe Bulgarian Voices të këngës shqiptare të Lorenc Antonit, “Mirëmbrëma”.
Memli Kelmendi, i cili vetë ka vite që në skenën e muzikës korale perceptohet si “ambasador kulture i Kosovës”, kishte thënë që më parë se këtë koncert ia kishte kushtuar jubileut të pavarësisë, që vijonte pas disa ditësh (17 shkurt). Faruk Ajeti, ambasadori i Kosovës në Berlin, e ka mbështetur që në fillim perfomancën e këtij kori. Sipas tij, përveç Dua Lipës e Rita Orës, siç do t’i kujtonte ai në fjalën hapëse të koncertit, këngëtareve të famshme të muzikës pop që karrierën e tyre e kanë kulmuar në Britaninë e Madhe, suksese të tilla nga një kor “made in Kosova” janë një tregues i madh për potencialin dhe perspektivën e Kosovës”. Ajeti tha se Ambasada e tij ka përgatitur një sërë aktivitetesh të reja në Berlin dhe qytete të tjera të Gjermanisë për ta festuar këtë potencial, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Memli Kelmendi i tha DW se kur del në skenat e botës, ai dëshiron të dërgojë mesazhin se edhe në Kosovë mund të kesh sukses: “Nganjëherë është më e lehtë të vish nga Kosova e të japësh një koncert në Filarmoninë e Berlinit, sesa kur je në Berlin”, i tha ai Deutsche Welles. “Ne si shoqëri kemi arritur shumë në këto vite”, tha Kelmendi duke reflektuar për 15-vjetorin e pavarësisë. Nëse vërtet do të realizohet edhe heqja e regjimit të vizave, atëherë edhe më shumë artistë nga Kosova do të kenë mundësi të tregojnë potencialin e madh që kanë.”
Memli Kelmendi
Këtë potencial e ndjeu dhe publiku, që doli mjaft i entuziazmuar prej koncertit të korit të ri nga Kosova. Shumica dërrmuese e tij ishin shqiptarë, disa syresh kishin udhëtuar me qindra kilometra për të përjetuar këtë ngjarje. Por kishte edhe berlinezë, si për shembull, Ralf Müller, i cili i tha Deutsche Welles, se shumë shpesh shkon nëpër koncerte klasike, por në këto njëzet vjet nuk e ka përjetuar kurrë që një kor ta entuziazmojë kaq shumë. “Në çdo tingull e në çdo këngë më kaplonin mornicat”.
Müller përpiqet të gjejë fjalët për ta përshkruar energjinë që përcolli kori te publiku: “Një përzierje mes vetëpërmbajtjes, ndoshta drojë, që më pas shpërthen. Çfarë energjie! Mua më mori flakë zemra”, tha sipërmarrësi tek rëmonte në leksikun e bllokuar nga forca magjepëse e frymës së bjeshkës kosovare në Berlin.
Salla e Filarmonisë së Berlinit
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero” Në Zvicër ka pak trafik që nga pasditja e së enjtes: bora ka shkaktuar aksidente të...
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve