Muzikë

Muzika klasike shqiptare, e denjë “të shprehet” në botë

Çdo kompozitor botëror, i ka takuar një kombi, është frymëzuar dhe ka pasqyruar muzikën e tij, që pastaj është bërë repertor botëror

Ndodh të mendohet ose të më bëhet drejtpërsëdrejti pyetja: ju, me studime dhe diplomim për muzikën e epokave barok- klasike-romantike, pse jeni kaq e lidhur, jashtë vendit tuaj, me artin muzikor kombëtar? Mendoj kjo vlen dhe për disa artistë të tjerë shqiptarë që prezantojnë muzikë klasike tonën… Çdo kompozitor dhe artist botëror, i çdo epoke, i ka takuar një kombi, është frymëzuar dhe ka pasqyruar muzikën e tij, me opera, simfoni, vepra instrumentale dhe me shekuj ato janë interpretuar dhe janë bërë repertor koncertal dhe studimor botëror, gjatë jetës por edhe pas vdekjes së artistëve.

“Një atdhe përbëhet nga të vdekurit, që e kanë themeluar dhe nga të gjallët që e vazhdojnë” shkruan Ernset Renan.

Muzika shqiptare ka hershmëri në historinë saj. Prof. Ramadan Sokoli, në librin e tij “16 Shekuj” argumenton së paku kontributet e dy figurave të shquara shqiptare në artit kishtar mesjetar. I pari, Niketë Dardani, lindur rreth vitit 340 në Ramesianë të Dardanisë. Personalitet poliedrik, teolog, vjershëtor, muzikant. Vepra e tij më e njohur është himni “Te Deum Laudamos”, i përhapur në Europë më 525, dhe mbi të cilin kanë shkruar muzikë kompozitorë të tillë si G.B.Lulu, G.F.Haendel, J.S.Bach, W.A.Mozart, F.Schubert, G.Verdi, G.Mahler, etj.

Muzikanti tjetër, Jan Kukuzeli, i lindur në Durrës rreth viteve 1078-1088, njihet si një ndër figurat më të mëdha të kishës bizantine. Arsimohet dhe afirmohet, harton edhe veprën madhore të jetës së tij, shkrimin neo-bizantin. Disa nga krijimet e tij kryesore janë Himnet Aniksandri, Kënga e Kerubinëve, Psalmi 107 etj.

Sidoqoftë, përpjekjet më serioze për krijimin e një arti muzikor profesionist i gjejmë së pari tek kompozitori françeskan Pader Martin Gjoka (1890-1940), nga qyteti i Shkodrës, i cili përveç muzikës fetare, kompozoi disa vepra vokale dhe instrumentale, midis të cilave një simfoni, pjesë korale, pjesë për instrumente të ndryshëm, etj. Ndërkohë, Gjoka shquhet edhe si veprimtar i muzikës, duke formuar e drejtuar formacione të ndryshme instrumentale e vokale, (cit.nga libri 16 Shekuj).

Në këto studime shkencore muzikore-historike me datat, është thelbi që kemi hershmëri të muzikës shqiptare, njohjen dhe bashkëpunimin me emrat botërorë të artit dhe sigurisht me shumë studime të tjera tregohet vazhdimësia në gjenerata, e kësaj historie muzike shqiptare në shumë zhanre dhe deri sot.

Në një Recital timin, me repertor pianistik shqiptar në Gjenevë, vendosa si titull thënien e Beethovenit: “Në do të jesh internacional, këndoi vendit tënd”. Arti muzikor shqiptar, kompozitorët dhe interpretuesit, janë dhe duhet të jenë “kombëtarë dhe ndërkombëtarë” në skena shqiptare dhe të huaja. Duke mos rendur vetëm pas studimeve, koncerteve brenda dhe jashtë vendit, vetëm për profesionalizmin me artin klasik botëror, por dhe me muzikën klasike shqiptare plot vlera specifike të motiveve, ritmeve dhe emocionalisht kaq mbresëlënëse për spektatorin e huaj. Më ka ndodhur që në koncerte por dhe në Kongresin Europian të pianistëve, të konkurseve, të Cd që kam realizuar me vepra të kompozitorëve shqiptarë për piano “E jona muzikë” interesimi i muzikantëve të huaj, ka qenë tepër vlerësues e admirues, deri për të më kërkuar partitura shqiptare për interpretim.

CD “E jona muzikë” është pjesë e Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Washington. Në repertorët e koncerteve interpretohen vepra të shumë shekujve më parë deri në shekullin e XXI.

Me një hapje të vonuar drejt botës, të muzikës klasike shqiptare, (për arsye sistemi dhe situatash që dihen) është gjithnjë dhe më shumë koha të prezantohet me dashuri, vetëbesim, mision, kjo muzikë e jona. Siç jam shprehur në mesazhin e CD për artistët dhe artdashësit e huaj: “E Jona muzikë” le të jetë dhe “e juaja”…. janë tinguj epikë e lirikë të vendit tim, të një populli të vogël me sfida të mëdha, por dhe me botë shpirtërore krijuese, me art të madh gjithashtu. Talenti dhe veprat e kompozitorëve shqiptarë, të artistëve shqiptarë, le të ofrojnë në artin botëror muzikën klasike shqiptare. Pranë një CV artistike ku tingëllon bukur “Origjina: Shqiptar” le të tingëllojnë në repertorin e koncerteve tona, jashtë vendit kudo edhe muzika klasike shqiptare, vepra dhe muzikë identike, që në çdo element, denjësisht mund të qëndrojnë pranë çdo repertori të huaj (vlerësime këto dhe nga profesionistë dhe kritikë muzikorë të huaj).

Historia e muzikës klasike shqiptare, kompozitorët profesionistë me emër, me veprat e tyre meritojnë plotësisht, këtë njohje dhe mirënjohje të vonuar edhe në këto 30-40 vite diaspore shqiptare. Mund të zgjasë shumë dekada, ndoshta dhe shekull, si për gjithë kompozitorët e huaj, por vetëm duke e prezantuar dhe interpretuar, ajo mund të bëhet botërore si për gjithë muzikën klasike të artistëve dhe kulturat e shteteve të tjera. Ndërsa për ne, artistët vokal dhe instrumental, e mbyll urimin me thënien e Beethovenit~? “Në do të jesh internacional, këndoji vendit tënd”?.