Lajme
Ordinanca “Physio in Motion” ofron shërbime osteopatike dhe të fizioterapisë
Osteopatia është një metodë manuale për mes të cilës mund të trajtohen sëmundje të ndryshme, ekzaminimi dhe trajtimi kryhen ekskluzivisht me duar. Një metodë të tillë mjekësore mund ta gjeni në ordinancën “Physio in Motion” në Vjenë te fiziteraputi dhe osteopati shqiptar, Besim Nezaj
Para se të vinte në Austri, Besim Nezaj kishte diplomuar për fizioterapi. Në Vjenë, pas nostrifikimit të diplomës, ai filloi studimet për osteopati në “Wiener Schule für Osteopathie”. Më pastaj, Besimi themeloi ordinancën “Physio in Motion”.
Osteopati nga Skivjani i komunës se Gjakovës, përpiloi një koncept të fizioterapisë, i cili është adekuat për selitë e seniorëve, (shtëpitë e pleqve) qofshin ato edhe me pacientë në moshë të shtyrë, me kujdes të vazhdueshëm. Bashkëpunimin me rezidenca të ndryshme, ai e filloi mirë dhe e vazhdon edhe sot e tutje. Më vonë, Besimi Nezaj, vazhdoi edhe studimet e osteopatisë për fëmijë në “Osterreichisches Zentrum für Kinder”, kurse studimet e masterit, ai i përfundoi në Universitetin e Kremsit.
Albinfo.at: Meqë osteopatia është një metodë e re mjekësore, mund të na thoni se çfarë nënkupton ajo?
Besim Nezaj: Osteopatia është një formë manuale e të trajtuarit të pacientit si tërësi, si në diagnostikim, po ashtu edhe në terapi. Trupi i njeriut është kompleks në funksionimin e tij. Aftësia për t’u vetërregulluar, vetërikuperuar dhe vetëshëruar është baza themelore e osteopatisë. Kështu që osteopati apo osteopatja janë faktikisht në shërbimin e trupit. Qëllimi esencial është ndikimi në strukturë, funksion dhe në aspektin psiko-emocional të pacientit, interakcioni i këtyre tri aspekteve në raport me njëri-tjetrin dhe manifestimi i tyre në pasqyrën klinike të pacientit. Nëpërmes trajtimit osteopatik ndihmohet korrigjimi i kufizimeve dhe bëhet rivendosja e mirëqenies trupore dhe psiko-emocionale. Për të realizuar një gjë të tillë, nevojitet një bazament i gjerë i njohurive anatomike, fiziologjike pato-fiziologjike dhe nga të gjitha fushat e tjera të mjekësisë, të cilat janë të përfshira edhe në planprogramin shkollor të osteopatisë. Krahas kësaj, nevojitet trajnim i pandërprerë, për të ushtruar ndjesinë e duarve, si në diagnostikim, po ashtu edhe në terapi, gjithmonë bazuar në njohuritë e anatomisë së trupit, në radhë të parë. Ndërkohë, osteopatia pediatrike është një specializim që mund të studiohet vetëm nga osteopatet me shkollim të përfunduar.
Albinfo.at: Që ta sqarojmë paksa për lexuesit, cilat janë rastet më të shpeshta të pacientëve që vijnë tek ju dhe çfarë shërbimesh kërkojnë?
Besim Nezaj: Rastet më të shpeshta janë pacientët me probleme në aparatin e lëvizjes, meqenëse ajo është ideja e terminologjisë së profesionit, edhe pse fusha e veprimit është më e gjerë, përkatësisht, jo e kufizuar. Ndikimi i një aspekti në tjetrin janë baza e të menduarit osteopatik. Struktura ndikon në funksion dhe anasjelltas. Kështu që shumicën e rasteve vijnë pacientët me probleme në aparatin e lëvizjes e në anamnezë dalin në pah dhimbje dhe simptome të tjera. Trajtimet që përfshihen më së shumti janë: Migrena ose çdo lloj tjetër i kokëdhimbjeve, problemet në aparatin e tretjes, respirator apo urogjenital, rritja e tensionit në sistemin autonom nervor e njohur si simpatikotoni, e cila shume shpesh di të manifestohet edhe si atak i përcjellë me ankth dhe shtrëngime në kafazin e kraharorit. Të gjitha këto e shumë raste të tjera, por gjithmonë të sqaruara nga fushat e tjera të mjekësisë, kurdo që kjo është e domosdoshme.
Për këtë arsye është shumë i preferuar një bashkëpunim me fushat e tjera të mjekësisë. Kjo është një temë shumë delikate ende në Austri. Ekzistojnë dy grupe mjekesh: Ata që siç thotë populli: „Bëjnë be“ në osteopati dhe grupi tjetër, të cilët “as që e zënë në gojë emrin e osteopatisë”. Por, kjo po ndryshon dita ditës për të mirë. Shumë shpesh mjekët njihen në mënyrë të mirëfilltë kur kanë vetë nevojë për trajtim osteopatik, përkatësisht kur janë vetë pacientë. Në momentin e parë, janë skeptik e me pastaj e rimendojnë bindjen. Me osteopati pediatrike trajtohen gratë shtatzëna, dhe bebet, përkatësisht fëmijët. Simptomat më të shpeshta janë: dhimbjet e shpinës në pjesën lumbale ose dhimbjet e kokës te gratë shtatzëna, kurse te bebet: Torticollisi, kontrakcionet në aparatin e tretjes, vaji i vazhdueshëm me bërtitmë , etj.
Albinfo.at: Në cilin vit është hapur ordinanca dhe sa ka qenë e vështirë për të hapur një biznes të tillë në Vjenë?
Besim Nezaj: Ordinancën e kam hapur në vitin 2007. Si çdo fillim tjetër, kisha vështirësitë e mia. Por, puna është rritur në mënyrë suksesive, duke përjashtuar vitin 2020 për shkak të pandemisë. Aktualisht ordinanca “Physio in Motion” ka 17 punëtorë.
Albinfo.at: Si çdo profesion, edhe ky juaji me siguri ka vështirësitë e veta. A mund të na tregoni disa prej tyre?
Besim Nezaj: Te pjesa dërmuese e pacientëve suksesi është i menjëhershëm, por sfidë e vërtetë janë rastet ku nuk mund të ndihmohet që nga fillimi. Rastet e tilla të shtyjnë ta mendosh edhe më thellë problemin, të konsultohesh me kolegët, me specialistë të ndryshëm të fushave të mjekësisë, varësisht nga natyra e problemit, pastaj gjurmimi në ueb -faqe, shfletimi i literaturës etj.
Albinfo.at: Përveç tretmanëve osteopatike, ju ofroni edhe tretmanë fizioterapeutike, masazhe dhe procedura te ndryshme fizikale për pacientët. Është kështu?
Besim Nezaj: Në ordinancën tonë në Vjenë ofrojmë vetëm tretmanë osteopatike, kurse fizioterapi dhe të gjitha procedurat e tjera fizikale, i ofrojmë në Breitenfurt dhe në Purkersdorf. E nga fundi i vitit 2023, në Vjenë, do të hapim një ordinancë me përmasa relativisht të mëdha, ku do të ofrojmë komplet të gjitha shërbimet.
Fizioterapia është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme në shumë fusha të mjekësisë, si në trajtim akut, po ashtu edhe në atë kronik të problemeve, e sidomos në rehabilitimin e pacientëve.
Albinfo.at: Cilët pacientë, janë klientët tuaj?
Besim Nezaj: Kemi pacientë me prejardhje të ndryshme, por numri më i madh i pacientëve është nga Vjena. Kemi edhe shqiptarë, por, ka edhe pacientë që vijnë nga viset e tjera të Austrisë, e ndonjëherë edhe nga shtetet e tjera të Evropës.
Albinfo.at: Kur duhet një pacient të drejtohet tek ju?
Besim Nezaj: E mira do të ishte që pacientët të vijnë rregullisht, pa ndodhur problemet, por një gjë e tillë ndodh më rrallë, sepse njerëzit janë të preokupuar me problemet e përditshmërisë. Përpos kësaj, terapitë osteopatike janë të kushtueshme dhe paguhen vetëm nga sigurimet shtesë, përkatësisht private, kurse për ato të fizioterapisë, u kthehet pacientëve vetëm një shumë e caktuar e të hollave nga sigurimi bazë shëndetësor.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë qendrën tuaj, ku dhe si mund t’ ju gjejnë?
Ordinanca “Physio in Motion” gjendet në Vjenë, përkatësisht në rrugën Laudengasse 26/8, 1180 në Vjenë.
Më shumë informata mund të gjeni te faqja: https://www.physioinmotion.at/
P:s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025