Lajme

Prishtina mbetet destinacioni kryesor nga Aeroporti i Bazelit

Kryeqyteti i Kosovës renditet përpara Londrës, Stambollit, Amsterdamit dhe Barcelonës

Aeroporti binacional (Zvicër-Francë) po rimëkëmbet nga pandemia. Kështu, në vitin 2022, 7 milionë pasagjerë fluturuan nga Euroaeroporti Basel-Mulhouse, ka njoftuar menaxhmenti i EAP për mediat të enjten, transmeton albinfo.ch. Krahasuar me një vit më parë, kjo është një rritje prej 94 për qind.

Megjithatë, krahasuar me 2019-ën, vitin e fundit “normal” para Koronës, minusi është ende 23 për qind.

Kur bëhet fjalë për destinacionet, Prishtina është ende në krye të listës. Kështu, kryeqyteti i Kosovës renditet përpara Londrës, Stambollit, Amsterdamit dhe Barcelonës shkruan bz.ch.

Kryeqyteti kosovar Prishtina ka qenë cak i 520,000 pasagjerëve, i ndjekur nga ish-lideri Londra me 389,000 pasagjerë dhe Stambolli me 380,000 pasagjerë.

Edhe Easyjet vazhdon të dominojë mes linjave ajrore. Kjo kompani ajrore me kosto të ulët ka një pjesë të tregut prej mbi 58 për qind nëkëtë aeroport, transmeton albinfo.ch. Wizz Air (që ka 11 për qind), e specializuar në Evropën Lindore, si dhe Sun Express, Enter Air dhe Corendon vijojnë në listë, secila me një pjesë tregu prej rreth 3 përqind.

Në Easyjet, megjithatë, numri i pasagjerëve ka pësuar rënie për rreth një të katërtën në krahasim me vitin 2019. Rivali i tij, Wizz Air, nga ana tjetër, ishte në gjendje të rritej. Rënie të lehtë ka shënuar edhe trafiku i mallrave nga Basel-Mulhouse.

Aeroporti gjithashtu ka ofruar sot një perspektivë për vitin aktual, përcjell albinfo.ch. Sipas saj, priten 7.4 milionë pasagjerë – që është larg nga viti rekord 2019 kur kishte mbi 9 milionë pasagjerë.