Lajme

Ku është kafeja më e shtrenjtë në botë

Ishulli i famshëm i Indonezisë, Bali, u ofron vizitorëve të tij mundësinë të shijojnë kafenë më të shtrenjtë në botë, të njohur si “Kopi Luwak” e marrë nga kokrrat e kafesë që fermentohen në stomakun e maceve civet.

Kafja e përftuar nga kokrra, e cila nuk tretet dhe fermentohet në stomakun e maceve civet, e quajtur edhe Luwak ose Musang (Paradoxurus) në Indonezi, përmban më pak kafeinë sesa varietet tradicionale të kafesë.

Për prodhimin e kafesë luwak, maceve civet zakonisht u jepen fruta arabica ose robusta.

Kokrrat e kafesë, të cilat fermentohen në stomakun e maces, pastrohen pas fermentimit dhe kalojnë nëpër procese të tilla si larja, tharja, qërimi i guaskës së jashtme dhe pjekja.

Kafeja Luwak kushton deri në 1.000 dollarë për kilogram, në varësi të proceseve të prodhimit dhe cilësisë së saj.

Shija e kafesë lidhet me motin

Ni Ketut Budiani, i cili punon në një fermë lokale kafeje në rajonin Ubud të Balit, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se kjo kafe e jashtëzakonshme u përgatit pas një procesi të gjatë.

Ai thotë se procesi i përpunimit të kafesë zakonisht zgjat një javë. Budiani shpjegon se sekreti i përftimit të kafesë së mirë varet nëse moti është me shi apo jo.
Sipas tij, aroma e kafesë do të jetë më e mirë në qiell të hapur. “Nëse moti nuk e lejon këtë dhe më pas e thajmë brenda, atëherë shija e kafesë do të jetë e ndryshme”, tha Budiani.

Kokrra e kafesë në barkun e maces civet deri në mëngjes

Duke thënë se Luwak është një “kafe speciale”, Budiani tha se kjo kafshë e pazakontë ha frutat e kafesë të mbledhura nga pemët gjatë natës dhe i mban në stomak deri në mëngjes.

Budiani përshkroi gjithashtu procesin me të cilin kokrrat e kafesë ndahen nga jashtëqitja e maces Civet.

Ai tha se kokrrat e kafesë lahen me ujë të nxehtë pasi të dalin nga stomaku i kafshës, pastaj zihen për një kohë dhe se kokrrat e ziera të kafesë preferohet të lihen të thahen në diell dhe më pas të qërohet lëvozhga.

Mundësi të ndryshme kafeje dhe çaji lokal

Ferma e kafesë u ofron vizitorëve të saj shumëllojshmëri të gjerë të opsioneve të çajit ekzotik dhe lokal si dhe kafe Luwak dhe Bali.
Çaji i bërë nga lëvozhga e frutave tropikale mangosteen, rosella dhe xhenxhefili i kuq janë disa nga opsionet që turistët mund t’i shijojnë.