Kosova
Si më tutje, pas tërmetit Escobar?
Nëse trysnia e ashpër shtohet dhe këmbëngulësia e qeverisë Kurti vazhdon, mund të shkohet deri në votëbesim në parlament, apo dorëheqje, me zgjedhje të reja...
Si më tutje pas tërmetit Escobar?
Qëndrimi i djeshëm «befasues» i të dërguarit special të SHBA-së, Gabriel Escobar, se një shtet apo një parti nuk mund t’u ikë obligimeve ndërkombëtare, dhe se me apo pa qeverinë aktuale dhe liderin e saj, Albin Kurti, do ta realizojnë asociacionin serb në Kosovë, përmban një tërmet politik në vete. Në fakt, ky deklarim konstituon një kthesë në sytë e opinionit publik, sidomos kur shihet një rreshtim i pozicioneve euro-atlantike.
Kjo trysni tani publike hap po ashtu ngadalë edhe për opinion përmbajtjen e marrëveshjes franko-gjermane si dhe kompetencat që parashihen për asociacionin e ardhshëm të komunave serbe, pa asnjë siguri se njohja reciproke, pra ajo e Kosovës nga Serbia, do të bëhet realitet në një afat relativisht të arsyeshëm.
Së pari, ky qëndrim reflekton qëndrimin e ri perëndimor dhe doktrinën e frenimit (containment) të influencës ruse në Ballkan (lexo Evropë), respektivisht të Serbisë, për ta izoluar sa më shumë carin e Rusisë, Vladimir Putin, sidomos pas vetos gjermane në NATO ndaj dërgimit të pajisjeve ushtarake të rënda në Ukrainë. Ky akt e ka forcuar pozicionin rus në fushën e betejës.
Së dyti, fjalët e Escobar se kanë partnerë të tjerë në Kosovë për ta bërë marrëveshjen me Kosovën janë tendencioze. Kjo lë të kuptohet se tashmë është punuar në këtë drejtim me përfaqësues të partive të tjera politike në Kosovë, ashtu siç pati vepruar më herët Richard Grenell, kur përgatiti grushtshtetin në Parlament që rrëzoi qeverinë e parë Kurti.
Së fundi, kompromiset e bëra nga qeveritë e mëhershme po dalin sot në shesh. Dihen fort mirë arsyet që i kanë shtyrë ato drejt atyre kompromiseve, sepse nuk kanë ditur më mirë, por sepse “ua kanë nxënë bishtin me derë”, me aferat e numërta të korrupsionit dhe pasurimin e tyre për shumë pak kohë.
Cilët janë skenarët e mundshëm?
Nëse trysnia e ashpër shtohet dhe këmbëngulësia e qeverisë Kurti vazhdon, mund të shkohet deri në votëbesim në Parlament, apo dorëheqje, me zgjedhje të reja në perspektivë. Një skenar i tillë do të mund ta vejë Albin Kurtin dhe VV në listën e zezë amerikane, gjë që do ta dëmtonte shumë Kosovën dhe, rrjedhimisht do ta forconte pozicionin e Beogradit, sidomos në rrafshin e perspektivave të saj evropiane.
Por si të veprohet?
Përgjigjja e Kosovës duhet të reflektohet me veprimin reciprok në shumë drejtime.
- Të vazhdohet në forcimin e shtetësisë së Kosovës, duke shtruar çështjet jetike dhe dilemat si dhe opsionet në Kuvend, për të gëzuar më shumë legjitimitet, duke i afruar krerët politikë të opozitës në procesin e negociatave, por edhe në vendime të ndryshme me rëndësi për Kosovën. Demokracia e mirëfilltë është pikërisht të qeverisurit me opozitën. Afrimi në këso kthesa edhe nga vetë partitë kosovare opozitare është interes historik kombëtar. Veç kësaj, mbështetja e qeverisë do t’ua ngre imazhin formacioneve të tyre në sytë e popullit kosovar, si subjekte që nuk mbrojnë vetëm interesat e tyre partiake apo individuale, por atë të Kosovës dhe popullit të saj, i cili e përjeton me shumë stres gjithë këtë situatë. Rreshtimi me Qeverinë e Kosovës përbën po ashtu një mesazh, i cili do të merrej ndryshe nga negociatorët ndërkombëtarë që luajnë pikërisht me kartën: në mos me ty, kemi plot partnerë të tjerë me të cilët do ta bëjnë.
Është non sens që ajo që së fundi do t`i afrohet Perëndimit në raport me negociatat me Serbinë (i ashtuquajtur „kompromis“) të mos hapet e të diskutohet me lidershipin e partive të tjera politike. Duhet të kërkohet, pra, kompromis brendakombëtar, edhe pse është fakt që sjellja e disa figurave politike kosovare opozitare nuk reflekton seriozitet, por vasalitet të lirë për t’u kthyer në pushtet.
Duhet treguar vullnet të mirë negociueshëm, duke punuar bashkë që zgjidhja që do t`i ofrohet palës negociuese është në shërbim të shtetit funksional të Kosovës, dhe jo një hije e Republika srpska që ka paralizuar jetësimin e shtetit unitar të Bosnjë e Hercegovinës që nga Marrëveshja e Dejtonit.
- Nuk duhet qenë naiv dhe mosmirënjohës në aspektin simbolik se shtetbërja e Kosovës i ka shumë „borxh“ SHBA-së, dhe se Kosova nuk mund të sigurojë stabilitetin si dhe integritetin territorial të saj pa forcat e Nato-s. Po të ishte ndryshe, Kosova do ta mbronte vetë veten! Mirëpo, duhet të punohet që të vazhdojnë të kultivohen raportet e mira me SHBA-në, me BE-në, të blihet kohë, se Rusisë nuk i dihet; duke u nisur nga fakti se presioni i brendshëm dhe i shteteve aleate të saj po shtohet, siç është shembulli i shtetit të pasur të Kazakstanit, i cili është duke marrë gjithnjë e më tepër distancë me Rusinë.
Ndryshimi i realitetit rus do të ndikojë pa dyshim në kahun e negociatave Kosovë-Serbi, që me shumë gjasa do të zgjasin. Duhet të kultivohet pragmatizmi, kultura e negociatave taktike, sipas konteksteve gjeopolitike, por duke mbajtur „thikën për dorëze“ përmes forcës propozuese dhe jo justifikuese ose duke vënë këmbët në mur, sidomos kur dihen angazhimet shtetërore që janë marrë në këtë rrafsh më herët.
Në këtë rrafsh, komunikimi i qeverisë së Kosovës në raport me procesin negociues po ashtu duhet ndryshuar rrënjësisht. Ka ndodhur shpesh ku lidershipi kosovar ka artikuluar spektrin e luftës, dhe njëkohësisht duke bërë promovimin e investimeve perëndimore në Kosovë, kurse dihet fort mirë se ç’domethënie kanë qëndrime të tilla për të larguar, dhe jo afruar, investitorët potencialë. Dhe dihet se stabiliteti ekonomik e forcon dhe e funksionalizon shtetin e Kosovës.
- Duhet të integrohet, në mënyrë të vazhdueshme, minoriteti serb në institucione, duke funksionalizuar demokracinë kosovare dhe duke krijuar kushte për ata liderë serbo-kosovarë që kanë guximin për t’u afirmuar si aktorë vendas, në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në Kosovë, dhe jo të atyre të Beogradit. Është fakt historik se interesat e serbëve nga Kosova, të epitetuar deri dje në Serbi si „Kosovci“, janë shfrytëzuar si vegël e politikave të mëdha të Beogradit. Duhet sidomos të punohet në rrafsh lokal, duke hapur mundësitë e pjesëtarëve serbë të kyçen në jetën shoqërore e politike lokale, bashkë me shqiptarët dhe duke e vënë shtetin e Kosovës në afrim me vendimmarrësit serbë-kosovarë si dhe minorietin serb në brendi të Kosovës, dhe pse jo në veri. Një numër i konsiderueshëm i reportazheve perëndimore gjatë krizës së fundit në dhjetor e kanë vënë në spikamë frikën e pjesëtarëve serbë që të mbajnë qëndrime publike që nuk përkojnë me vizionet politike të Beogradit.
- Të sensibilizohet dhe të konsultohet më nga afër komuniteti shqiptar në Perëndim, pra jo vetëm figurat që janë organikisht të afërta me partinë në pushtet, ku aktorë me peshë, sikurse nga shoqëria civile, sferave ekonomike dhe politike, mund të ndikojnë së paku në një aspekt që kompromisi i mundshëm i ardhshëm kosovar të rezultojë me njohje reciproke, dhe që rrjedhat gjeopolitike perëndimore të mos shërbehen me çështje jetike kosovare, për arsye të politikave konjunkturale. Në këtë drejtim, shoqatat panshqiptare në Perëndim mund të ndikojnë në lidhjen e perspektivave evropiane të Serbisë me njohjen reciproke, por edhe të përshpejtimin të atyre të Kosovës.
Dr. Bashkim Iseni, politolog, themelues i Platformës Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor