Lajme

FMN: Perspektiva ekonomike më e mirë se disa muaj më parë

Drejtorja ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, deklaroi sot në panelin e Forumit Ekonomik Botëror se perspektivat ekonomike tani janë më të mira se sa ishin disa muaj më parë.

Georgieva tha se “potenciali i Kinës për të stimuluar rritjen” është përmirësuar, raporton Reuters, dhe se tani FMN parashikon një rritje të ekonomisë kineze prej më shumë se 4.4 për qind për vitin 2023.

Ajo shtoi se nuk sheh një “përmirësim dramatik” në parashikimin aktual të rritjes globale të FMN-së për këtë vit, i cili është 2.7 për qind.

Georgieva tha se, megjithëse FMN parashikon se 2023 do të jetë një “vit i vështirë” dhe se rritja do të vazhdojë të bjerë, ajo nuk pret një recesion global, duke përmendur tregjet e qëndrueshme të punës dhe konsumin, rihapjen e Kinës pas Covid dhe shenjat e një ulje të inflacionit, raporton “France24”.

Drejtorja e FMN-së vlerësoi se lufta në Ukrainë paraqet një “rrezik të madh” për një parashikim pozitiv, veçanërisht në Evropë./Euronews