Integrimi
Kompania e Albana Ramës në xhunglat e Amazonës, më e suksesshmja, e ngritur nga një grua
Albana Rama është në krye të kompanisë së teknologjisë ushqimore “The Rainforest Company”, më të suksesshmes në Evropë për vitin 2022, që drejtohet nga një grua
“Vizionet e mëdha janë për njerëzit që guxojnë të ëndërrojnë”, thotë në bisedë me albinfo.ch Albana Rama, themeluese dhe pronare e shumicës së aksioneve të kompanisë “The Rainforest Company” (TRC). Dhe, Albana e di se për çfarë po flet sepse ajo ka “guxuar” më shumë sesa mund të mendohet…
Me më shumë se 36 milionë euro, kompania The Rainforest Company ka mbyllur një nga raundet më të mëdha të financimit në vitin 2022 sa i përket sektorit të teknologjisë ushqimore në Gjermani dhe raundin më të madh në Evropë për një kompani të teknologjisë ushqimore që drejtohet nga një grua.
Rainforest Company është një startup nga Berlini i themeluar në vitin 2016 me pothuajse 40 punonjës, në rrafshin ndërkombëtar. Kompania me një rritje të shpejtë ka arritur të realizojë shitje prej gati 20 milionë eurosh vitin e kaluar. Shumica e aksioneve të saj i takon themelueses së kompanisë, Albana Rama.
Lidhur me këtë arritje, gazeta Handelsblatt ditë më parë publikoi një faqe të plotë në versionin e shtypur për The Rainforest Company, duke e portretizuar Albana Ramën si sipërmarrësen e ditës. (Këtu linku: https://www.handelsblatt.com/unternehmen/handel-konsumgueter/albana-rama-acai-beeren-aus-dem-regenwald-schweizer-gruenderin-kaempft-gegen-die-abholzung/28872302.html
CEO e kësaj kompanie të fuqishme, Albana Rama, e lindur në Gjakovë, i është përgjigjur me kënaqësi lutjes së Albinfo.ch për një intervistë ku ajo shpalos rrugën e saj jo të lehtë deri te kjo arritje.
Albinfo.ch: Si një vajzë nga Kosova, e rritur në Zvicër, nga ju erdhi ideja për t`u marrë me pyjet tropikale dhe pastaj edhe për të krijuar kompaninë që ka rezultuar shumë e suksesshme në këtë fushë? Keni pasur ndonjë shtytje të jashtme, ndonjë mbështetje nga dikush për krijimin e këtij biznesi?
Albana Rama: Ideja më erdhi kur shkova në vitin 2015 për herë të par në xhunglën e Amazonës. Aty isha 3 javë, ku banova me popujt autoktonë, komplet e izoluar nga bota e jashtme. Gjithmonë i kam dashur udhëtim aventurore kur eksperimenton duke bërë një pushim me njëfarë rreziku dhe më ndryshe dhe ku sheh vende aq të bukura natyrore që ta ndalin frymën. Kjo ka qenë arsyeja pse vendosa të shkoja në xhunglën e Amazonës: për të shijuar bukurinë e natyrës së virgjër dhe për t`u larguar nga “zona e komforit”, por edhe për të hapur horizontin tim intelektual dhe mental. Në çastin që e ndiej veten se po më ndalohet procesi i progresit si individ dhe po rehatohem në sukseset që i kam arritur, e vendos veten në situata jo komode për të shtyrë veten në kufijtë e mundësive të mia… Sa i përket mbështetjes, jo, nuk kisha ndihmë nga askush. Unë e lëshova punën në lëmin e financave, i mora të gjitha kursimet që i kisha dhe të gjithat i futa në themelimin e kompanisë “The Rainforest Company”, në vitin 2016. Për prindërit e mi ka qenë një tronditje kur e kanë kuptuar që jam larguar nga puna si menaxhere e financave, për të themeluar një kompani timen. Ata, që kur kanë ardhur në Zvicër kanë punuar gjithmonë shumë për të mbajtur familjen në Kosovë. Unë jam fëmija e parë që ka studiuar në Zvicër edhe që kishte një karrierë shumë të mirë në botën e financave. Kjo ishte një krenari për prindërit e mi, prandaj ata nuk mund ta kuptonin pse krejt ato që kisha arritur, po i braktisja. Por për mua paraja dhe karriera vetëm sa për të thënë se ke karrierë, nuk ishte motivimi primar.Njeriu që lind në rrethanat pa shumë oportunitete dhe rritet i pa privilegjuar, mendon që krijimi i një kompanie të madhe apo arritja e sukseseve të mëdha në biznes janë të pamundshme për të. Unë pra doja dhe dua ta vërtetoj të kundërtën. Vizionet e mëdha janë të mundshme për secilin që ka guximin që të ëndërrojë për to.
Albinfo.ch: Jeni interesuar edhe më parë për mbrojtjen e pyjeve tropikale, ushqimin e shëndetshëm, vegan, etj. apo kjo ka ardhur me kohë, gjatë themelimit të biznesit?
Albana Rama: Unë kam kaluar në ushqimin vegan para 11 vitesh. Kur isha më e re kam pasur shprehi të keqe ushqimi. Kisha më shumë peshë, lëkurën e fytyrës e kisha jo të mirë dhe nuk ndihesha mirë me veten, kjo ndikonte në vetëbesimin tim. Kur e ndërrova ushqimin dhe kalova në atë vegan, pas 3 muajsh u pa ndryshimi në lëkurë, ndihesha më aktive nga ana fizike dhe konjitive. Fitova më shumë vetëbesim dhe në përgjithësi kisha arritur një ndryshim që nuk doja ta humbisja më. Prej asaj kohe interesohem shumë për stilin e shëndetshëm dhe aktiv të jetës.
Albinfo.ch: Çfarë konsideroni si prioritet në kompaninë tuaj: prodhimin e ushqimit të shëndetshëm, mbrojtjen e pyjeve tropikale nga shkatërrimi ose mbrojtjen e bazës për jetesë, të banorëve të këtyre pyjeve?
Albana Rama: Nuk mund të them se njëra ka më shumë prioritet se tjetra. Përfundimisht, mendoj se përgjegjësia e çdo ndërmarrësi është të krijojë kompani që ka vizion afatgjatë, që krijon një përfitim social, që udhëheq me përgjegjësi për natyrën, për të gjithë aktorët e përfshirë, për ekonomi dhe politikë stabile. Kompanitë sigurisht që duhet të bëjnë profit dhe të jenë ekonomikisht të suksesshme, po ato duhet po ashtu të vlerësojnë përgjegjësinë për fëmijët dhe gjeneratat e ardhshme.
Albinfo.ch: A mund të konsiderohet megjithatë si biznes “normal” përfitues puna që bëni ju me TRC. Nëse jo, çfarë e dallon atë nga bizneset tjera. A është në radhë të parë mision, që e kryeni me pasion, më shumë se sa biznes?
Albana Rama: Asgjë që bëjmë ne nuk është “normale” për industrinë e ushqimit. 1. Zinxhiri i furnizimit sa i përket asaj si e përfitojmë lëndën e parë nga malet e Amazonës është shumë unik dhe e bën biznesin tonë më kompleks dhe me më shumë ndikim pozitiv për të gjithë. 2. Modeli i biznesit tonë është holistik (gjithëpërfshirës), pra është shumë unik pasi kompanitë zakonisht fokusohen në një lëmi ndërsa ne fokusohemi në bujqësinë e qëndrueshme, teknologji edhe inovacion, duke bashkëpunuar me shkencëtarët më të mirë në botë, si p.sh me ETH Zurich, ku punojmë tash 3 vite bashkë për të zhvilluar produkte që janë jo vetëm vegane, bio dhe te shijshme por që edhe sjellin një përfitim shëndetësor. Krahas të gjithave, ato janë të pagueshme. Megjithatë, kompania jonë është fitimprurëse, prej vitit 2018.
Albinfo.ch: Të jesh në krye të kompanisë më të madhe të këtij lloji në Evropë, të udhëhequr nga një grua, është një arritje e madhe. Si ndjehet Albana në krye të një biznesi kaq të suksesshëm? Ndjehet e plotësuar, se po bën punën që i sjell kënaqësi dhe që e ka ëndërruar?
Albana Rama: Të them të drejtën, nuk kam shumë kohë për të menduar se si po ndihem për suksesin?. Jam shumë e lumtur që kemi mundur të arrijmë deri këtu, gjithmonë pa i shkelur parimet tona etike dhe misionin tonë. Por unë jam kritikuesja më e madhe e vetvetes, sepse në atë minutë që jam plotësisht e kënaqur me arritjet e mia, stagnoj në progresin tim si sipërmarrëse por edhe si individ. Është shumë e rëndësishme të “të mos hipë suksesi në kokë” sepse mandej udhëheq sipas egos tënde e jo sipas vizionit të madh të kompanisë. Si një grua shqiptare, kosovare, e shoh si obligim të punoj për krijimin e një kompanie globale. Jo për përfitime personale por për gratë dhe vajzat shqiptare kudo qe janë për të treguar se realizimi i ëndrrave të mëdha është i mundshëm.
Albinfo.ch: Çfarë planesh keni për të ardhmen e afërt, a do të hapni “kantiere” të reja pune apo do të vazhdoni me këtë që po merreni tani?
Albana Rama: Plani ynë për dy vitet e ardhshme është ekspansioni në shtete të ndryshme të Evropës, sidomos ne Angli, Holandë, Suedi, Danimarkë, dhe hapja e më shumë pikave në shtetet ku jemi aktualisht. Kemi disa produkte të tjera që do t`i lansojmë, ndërtimi i markës është në fokus me një ripozicionim që jemi duke e përgatitur, i kemi disa bashkëpunime me disa ambasadorë të markës, të njohur në botë si p.sh me një klub të madh futbolli nga Gjermania etj. Edhe zhvillimi i ekipit me më shumë punonjës dhe menaxherë në nivelin ekzekutiv është po ashtu në fokusin tonë. Me kapitalin e ri që e kemi marrë tani edhe me investitorin Steve Koltes, që është themeluesi i CVC Capital, njëra prej kompanive “privat equity” më të mëdha në botë, ne kemi tashmë një “star investor” i cili na hapë shumë dyer.
Biografia e Albana Ramës
Albana e vogël, me gjyshen e saj në Botushë të Gjakovës, para se të vinte në Zvicër
Albana është e lindur në Gjakovë në vitin 1984, është rritur deri në moshën 7 vjeçare në Botushë, me gjyshërit nga nëna dhe me tezen. Prindërit e saj kishin emigruar në Zvicër në vitet `70 për të punuar. “Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme sa isha ne Kosovë dhe kurrë nuk kam dashur të largohem nga shtëpia ime. Kur isha 6 vjeç fillova shkollën në Kosovë. Mirëpo, kur shkollat u mbyllën në vitin 1991 për shkak të trazirave në ish-Jugosllavi, më çuan te prindërit e mi në Zvicër”, thotë Albana Rama për Albinfo.ch. Shkollën e mesme e mbarova në Winterthur. Pas saj kam qëndruar për 6 muaj në Australi dhe pas kthimit fillova studimet për ekonomi në Universitetin e Cyrihut. Gjatë studimeve në Universitetin e Cyrihut kam qenë e punësuar ne GE Capital ne Zürich dhe kam studiuar paralelisht për bacelor në ekonomi. Ky ishte edhe fillimi i karrierës sime në sektorin e financave. Pas tri vitesh, përfundova studimet ne Cyrih, e lash punën dhe u vendosa në Londër për magjistraturën në international business. Pas përfundimit të magjistraturës në Angli u ktheva prapë në Cyrih ku fillova punën si menaxhere e financave në një commoditiy trading kompani. Paralelisht vendosa të bëj arsimimin përkatës për executive në universitetin Oxford në Angli, ku diplomova për financial strategy”, rrëfen Albana Rama.
Kush është The Rainforest Company
TRC është rritur me shpejtësi që kur u themelua në vitin 2016. Produktet vegane të kompanisë, të bazuara në manaferrat açai tani janë të disponueshme në shtatë vende të botës dhe në mbi 12,000 pika shitjeje. Nëpërmjet bashkëpunimit me fermerët vendas, kompania ka në plan të parë ruajtjen e pyjeve tropikale dhe zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, favorizuese për burimet dhe mjedisin përmes korrjeve në natyrë.
“Kapitali i ri na mundëson të zgjerohemi më tej ndërkombëtarisht dhe të investojmë në gamën tonë të produkteve. Ne kemi investitorë të mëdhenj, kemi një ekip të shkëlqyer, në rritje. Filozofia jonë sipërmarrëse nënkupton të kontribuojmë në këtë – në dialog me politikën, shoqërinë dhe biznesin, në kuadrin më të afërm me konceptin e qëndrueshmërisë”, thotë CEO dhe e TRC-së, Albana Rama.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë Gjykata ka konfirmuar se prifti ishte treguar naiv, nisur nga vetë misioni i tij, por se...
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa
-
Zvicra përpiqet të tërheqë sa më shumë milionerë