Futboll

Si do të jetë Kupa e ardhshme e Botës?

Mbetet për t’u përcaktuar formati i rrugës drejt finales, teksa janë disa mundësi të ndryshme

Kanadaja, Meksika dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës janë tre vendet që do të presin Kampionatin Botëror pas 4 vitesh. Në 16 qytete të ndryshme do të luhet Kupa e Parë e Botës me 48 kombëtare, një risi që pritet të sjellë revolucionin në këtë garë.

Mbetet për t’u përcaktuar formati i rrugës drejt finales, teksa janë disa mundësi të ndryshme.

Në idenë e parë nga 12 grupet që do të jenë në total, dy skuadrat e para të çdo grupi do të kalonin më tej, së bashku me 8 ekipet më të mira të vendeve të treta, duke plotësuar grupin e 32 skuadrave që do të nisnin rrugëtimin e tyre me eliminim drejt finales me eliminim direkt. Një skemë e aplikuar dhe në Kampionatin Evropian, transmeton albinfo.ch.

Mundësia e dytë është që tetë ekipet e parat më të mira të shkojnë direkt në fazën e 16-sheve, ndërsa katër të tjerat së bashku me 12 ekipet e dyta të luajnë së bashku për të përcaktuar ekipet e tjera që kalojnë fazën, por kjo do e reduktonte numrin e ndeshjeve në 94, shkruan Supersport.

Opsioni i tretë është ndarja e skuadrave fituese në dy grupe dhe dy grupe me nga 12 ekipe dhe dy ekipet më të mira të secilit grup të luajnë gjysmëfinalet dhe finalen, por kjo do të eliminonte vendet e treta.

Në Katar i gjithë Botërori u luajt në 29 ditë, ndërsa pritet që pas katër vitesh Kupa e botës të shtrihet në 33 ditë, por kjo do e çonte në 6 numrin e ndeshjeve në ditë, çka mund të jetë e vështirë për të fiksuarit pas sportit që t’i ndjekin të gjitha ndeshjet.

Problematika mund të lidhet me oraret e ndeshjeve për shkak se do të duhej një përshtatje për vendet evropiane, për shkak të diferencës së lëvizjes së orës mes Amerikës dhe Evropës.

Ekipeve po ashtu do u duhet që të udhëtojnë shumë për të luajtur ndeshjet e tyre për shkak se ndryshe nga Botërori i Katarit, distanca mes stadiumeve është tepër e madhe, çka mund të sjellë lodhje tek skuadrat. Megjithatë e sigurt është që një tjetër botëror për të cilin do të flitet shumë duket në horizont.