Integrimi
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, “Personalitet i Vitit”, për mjekësi
Çmimi i platformës mediale albinfo.ch për “Personalitetin e vitit 2022” për mjekësi i është ndarë Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës
Për angazhimin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës është shkruar e raportuar gjerësisht. Kurse platforma mediale albinfo.ch është një promovuese e rregullt e angazhimit dhe punës së LMSHZ-së.
Duke parë sukseset individuale dhe angazhimin kolektiv të mjekeve dhe mjekëve shqiptarë të Zvicrës si dhe kryesinë e përbërë nga emra të njohur të mjekëve, albinfo.ch ka përzgjedhur Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës si Personalitetin e Vitit 2022 për mjekësi.
Kush janë drejtuesit e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës
Kryesia ka një përbërje prej shtatë anëtarëve, dy mjeke dhe pesë mjekë. Albinfo.ch sjell portretet e anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, në mënyrë që të njiheni nga afër me angazhimet dhe jetën e tyre profesionale.
Kryetari i parë i LMSHZ-së ishte kardiokirurgu Prof. Dr. Omer Xhemajli. Pas tij, detyrën e kryetarit e ka marrë Prof. Dr. Florim Cuculi. Nënkryetar është Dr. med. Mentor Bilali, sekretare Dr. med. Valbona Miftari. Kurse arkëtar është med. dent. Gazmend Haliti. Anëtarë të tjerë të kryesisë janë: Prof. Dr. med. Alban Y. Neziri, Dr. med. Afrore Suka-Qorolli dhe Dr. med. Naim Mehmeti.
Albinfo.ch ka biseduar me kryesinë mbi rëndësinë e çmimit, rrugën që kanë ndjekur deri në themelimin e shoqatës dhe çfarë mund të presim nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës. Biografinë e mjekëve që përbëjnë kryesinë dhe përgjigjet e tyre mbi pyetjet e lartshënuara mund t`i lexoni në vazhdim.
PD Dr. Florim Cuculi, kryetar i LMSHZ-së
Ka përfunduar studimet për Mjekësi në Universitetin e Bazelit. Pas një qëndrimi trevjeçar në Spitalin Universitar të Oksfordit në Angli, ai punoi si mjek i lartë (Oberarzt) nga viti 2012 dhe si mjek i lartë në Kardiologji në LUKS nga viti 2015. Në vitin 2018 u emërua shef i kardiologjisë intervente ne spitalin Kantonal në Lucern, Zvicër. Fushat e tij kryesore të trajtimit përfshijnë sëmundje komplekse të arterieve koronare (përfshirë mbylljet kronike të arterieve koronare) si dhe mbylljet e shtojcave atriale dhe zëvendësimin intervenues të valvulës së aortës.
Florim Cuculi ka ardhur në Zvicër nga Maqedonia e Veriut në moshën 14-vjeçare. Pas performancës së tij të jashtëzakonshme në kërkime shkencore dhe mësimdhënie universitare, Universiteti i Lucernit e nderoi Florim Cuculin me titullin profesor.
“Themelimi i Lidhjes është një ngjarje shumë më rëndësi për komunitetin tonë në Zvicër. Në kohën kur kam studiuar unë, mjekët shqiptarë në Zvicër kanë qenë shumë të rrallë, në ato kohë nuk do të kishte kuptim të kishim një lidhje të këtillë. Mirëpo tani që ne jemi kaq shumë me numër, ashtu si dhe në pozita drejtuese nëpër spitale zvicerane, e shoh si hap logjik që tregon integrimin tonë në këtë shoqëri.
Ndarjen e Çmimit e shoh si një ngjarje tepër të rëndësishme sepse tregon qe ne për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur të bëhemi një lidhje e vlerësuar mirë e njëkohësisht të shërbejmë si një lloj platforme për bashkëpunim. E konsideroj një sukses të madh konsolidimin e Lidhjes e cila jo vetëm që nuk është zbehur si organizim, por vazhdon të rritet e vlerësohet. Në fakt unë kam pasur frikë se ne po formojmë diçka të cilën më vonë nuk do të arrijmë ta mbajmë e do të shuhet si nisma të tjera më herët. Megjithatë nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha sepse të gjithë ne kemi obligime tona dhe bëjmë këtë punë në mënyrë vullentare. Lidhja duhet të ekzistojë si platformë për t’u takuar e për të organizuar evenimente të ndryshme shkencore dhe jo shkencore. Njëkohësisht duhet të jemi të hapur dhe i lus anëtarët dhe bashkatdhetarët tanë të na drejtohen nëse kanë ndonjë ide, të cilën mund ta përpunojmë dhe zhvillojmë së bashku”.
Dr. Mentor Bilali, nënkryetar
Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar pas 6 vjetësh studime në vitin 2008 në Universitetin e Baselit, në Zvicër. Specializimin e parë të Mjekësisë Interne e ka kryer në Klinikën universitare në Aarau në kantonin e Aargaut. Specializimin e dytë në Gastroenterologji dhe Hepatologji në Klinikën Universitare të Cyrihut, Zvicër e ka përfunduar vjeshtën e vitit 2018. Në po këtë spital ai ka punuar edhe si kryemjek dhe ka përfunduar specializimin e endoskopisë intervencionale. Që nga 1 janari 2021 ka marrë përsipër postin e drejtorit të Klinikës së Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, si drejtor mjekësor i qendrës Endoskopisë në spitalin në Langenthal dhe ordinancen Oberaargau AG në Langenthal të Bernës në Zvicër.
“Për mua personalisht dhe për LMSHZ-në, si nënkryetar, është një respekt dhe mirënjohje shumë e veçantë për kontributin e dhënë, për kolegët dhe komunitetin shqiptar në Zvicër. Si po duket, edhe vetëm brenda 4 viteve LMSHZ ka arritur të etablohet në shtetin helvetik dhe në shoqërinë shqiptare. Ky çmim na gëzon shumë, por është edhe një përgjegjësi për të vazhduar kontributin tonë me përkushtim të madh. Në të ardhmen ne do të vazhdojmë punën duke vazhduar rrjetëzimin e mjekëve në gjithë Zvicrën, të mbajmë simpoziume shkencore apo mjekësore dhe gjithashtu ligjërata informative për komunitetin shqiptar. Gjithashtu duam të kontribuojmë edhe në vende të origjinës. Këtë do ta bëjmë në mënyra të ndryshme, duke bashkëpunuar me kolegët tonë nga gjithë trojet shqiptare që përvojën tonë profesionale ta ndajmë në dobi të gjithë popullates atje”.
Dr. Valbona Hysenaj Miftari, sekretare
Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Që nga viti 2011 punon në Spitalin Psikiatrik Kantonal në Brugg të Kanton Aargau (PDAG) qendër kjo klinike universitare nën ombrellën e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Zürichut, ku ka përfunduar specializimin për psikiatri dhe psikoterapi. Subspecializimin e psikoterapise sistemike dhe familjare e ka kryer në Universitetin e Zürichut më 2016. Gjatë trajnimit specialistik si mjeke asistente ka punuar në pothuaj të gjitha departamentet e psikiatrisë së të rriturve dhe pacientëve 65+. Nga viti 2018 është kryemjeke në departamentin e sëmundjeve të varësisë, konkretisht në ambulancën për trajtim substituiv tek pacientët e varur nga heroina dhe opiatet në përgjithësi. Në pozicionin aktual është pë rgjegjëse për rreth 140 pacientë si dhe e vetmja mjeke në kantonin Aargau e licensuar nga ministria e shendetësisë e Zvicrës (BAG) për përshkrimin e heroinës farmaceutike.
“Qoftë për LMSHZ-në si institucion, apo për mua si mjeke, gjegjësisht sekretare e përgjithshme e kryesisë së LMSHZ-së, çmimi „personalitet i vitit“ ka vlerë tejet të çmuar. Andaj faleminderit shumë, albinfo.ch!
Pandemia kufizoi në minimum aktivitetet e Lidhjes. Megjithatë, në këtë periudhë dua të cek një sukses të jashtëzakonshëm që e arritëm në krye me ish presidentin tonë të parë, tashmë president nderi i LMSHZ-së, Prof. dr. Omer Dzemalin. Ai në cilësinë e presidentit të LMSHZ-së, bashkë me kryesinë e shoqatës MEDENS (shoqatë e përbërë nga mjekët e vendeve jashtë EU-se) mori pjesë në negociatat me autoritetet e FMH-së dhe MEBEKOS duke përkrahur kërkesat tona për njohjen e diplomave e jo vetëm të mjekëve shqiptarë. Puna dhe këmbëngulja jonë si dhe përkrahja nga profesor Omeri, bëri që të arrihet revizioni i nenit 69 i WBO (rregullores së trajnimit të mëtutjeshëm) me ç’rast u liruan nga provimi shtetëror të gjithë ata që kishin filluar punën në Zvicër para vitit 2010 dhe që i plotësonin kriteret për t’iu nënshtruar provimit specialistik.
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë ka mision kryesor promovimin e unitetit ndërkolegial dhe shkëmbimin e përvojave profesionale nëpërmes seminareve, simpoziumeve dhe kongreseve. Deri më tani ajo e përmbushi si është më së miri misionin që ia ka vënë vetes. Vlen të përmendet realizimi i tri simpoziumeve eminente dy në Zvicër dhe së fundmi më 4 dhe 5 nëntor „Swiss medical school 2022“ në Kosovë.
Prof, MD, DSci, PhD Alban Y. Neziri, anëtar
Ka diplomuar në Universitetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë. Specializimin në fushën e Gjinekologjisë me Obstetrikë e përfundoi në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Universitar të Bernës në Zvicër. Subspecializant në fushën e Kirurgjisë Gjinekologjike me Obstetrikë si dhe Onkologjisë Gjinekologjike. Studimet postdiplomike PhD në fushën e bioinxhinierisë mjekësore i kreu në Universitetin e Aalborgut në Danimarkë, ndërsa studimet postdiplomike Dr. Sci. në fushën e Neuroshkencës i përfundoi në Universitetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë. Aktualisht është hulumtues i lartë shkencor dhe profesor i rregullt në Departamentin për Hulumtime Bio- Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë si dhe themelues dhe udhëheqës i Qendrës Gjinekologjike “Langete” dhe operon në kuadër të spitalit të Swiss Medical Network.
Dr. Naim Mehmeti, anëtar
Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar në vitin 2004 në Universitetin e Vjenës, Austri. Specializimin e Mjekësisë Interne e ka pëfunduar në vitin 2011 në Spitalin Universitar të Cyrihut, Zvicër. Specializimin e Angiologjisë e ka përfunduar në vitin 2014 në Spitalin Universitar të Cyrihut, Zvicër. Nga viti 2014 deri ne shkurt 2017 ka punuar si kryemjek në Angiologji Spitali Kantonal Winterthur. Nga shkurti 2017 punon si kryemjek udhëheqes (Leitender Arzt) në repartin e Angiologjisë Spitali Kantonal Winterthur. Nga 2017 njëkohësisht udhëheqes i Angiologjisë ne Fachärztezentrum Glatt Wallisellen. Kurse nga marsi i vitit 2023 do të hapë klinikën e tij të angiologjisë në Winterthur. “Për mua dhe për LMSZH çmimi ka një rëndësi tepër të veçantë. Kjo tregon, që jemi duke bërë një punë të mirë dhe puna jonë po vlerësohet. Herën e parë jemi takuar në vitin 2016 për darkë, në Luzern. Ishte dëshira dhe vullneti i madh për themelimin e një organizate të mjekëve shqiptarë në Zvicër ku mjekët shqiptarë do të njiheshin me njëri me tjetërin. Të shkëmbenin përvojat e punës, të ndihmonin njëri tjetrin në avansim profesionale gjithashtu, të bashkëpunonim dhe shkëmbenim përvojat profesionale me mjekët ne vendlindje, siç ishte para pak ditesh swiss medical School ne Prishtinë. Organizime te rregullta te Simpoziumeve këtu në Zvicër si dhe të organizojmë prapë në vitin 2023 Swiss medical School në Prishtinë”.
Dr. Afrore Suka Qorolli, anëtare
Ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 2005. Nje vit ka punuar në Qendrën e Mjekësisë familjare në Therandë. Në vitin 2006 ka emigruar në Zvicër dhe një vit më pas ka filluar specializimin në Psikiatri e Psikoterapi në Qendrën Klinike Universitare të Lozanës. Për të kompletuar specializimin, punoi dy vjet në Mjekësi Interne në Neuchâtel. Pas përfundimit të formacionit specialistik universitar punon si shefe e Klinikës (Cheffe de Clinique) në institucionin Kantonal të Psikiatrisë të Neuchatel (CNP). Në vitin 2017, mbaron një formacion specifik mbi temën e suicidit dhe që nga atëherë eshte një nga ligjerueset e grupit romand mbi preventiven e suicidit (membre du GRPS – groupe romande prévention suicide). Në vitin 2022 mbron me sukses provimin specialistik dhe bëhet anëtare e Federatës së Mjekëve Helvétik (FMH). Që nga prilli i vitit 2022, punon në qendrën private të Psikiatrisë e Psikoterapisë në Yverdon kantoni Vaud dhe mban postin e shefe e servisit (cheffe d’unité).
“Zgjedhja Personalitet i vitit – LMSHZ-së, për mua si anëtare e lidhjes dhe njëkohësisht si anëtare e kryesisë, është nder dhe krenari. Brenda pak vitesh LMSHZ ka krijuar një reputacion të mirë, të besueshëm te mjekët e tjerë të rinj shqiptarë në Zvicër dhe trojet shqiptare. Komuniteti shqiptar në Zvicër është mjaft i madh dhe ne mund t’ju ofrojmë ndihmë e informata në fushën e mjekësisë. LMSHZ do t’u ofrojë mbështetje kolegëve shqiptarë kudo janë, mbështetje po ashtu komunitetit tonë dhe do të angazhohet për ngritje urash me mjekë nga vende të tjera, siç ishte kongresi i para një muaji i Swiss Médical School i organizuar në Kosovë nga LMSHZ.
M.Sc. med. dent Gazmend Haliti, arkëtar
I ka mbaruar studimet pranë Fakultetit të Mjekësisë, Dega Stomatologji në Universitetin e Tiranës në vitin 2002. Provimet e Licencës i ka mbaruar ne Universitetin „Johannes Gutenberg“ në Mainz të Gjermanisë. Në vitin 2010 mbaron studimet Master në Implantologji dhe në vitin 2017 në Parodontologji, në Berlin (DGI/STI). Në vitin 2009 themelon Ordinancen Stomatologjike „Neumarktpraxis“ në St. Gallen të Zvicrës, ku aktualisht ushtron profesionin e mjekut stomatolog. Në shtator të vitit 2022 themelon Ordinancen Stomatologjike „SaxerHaliti“ në Unterägeri, Zug.
“Është një mirënjohje për punën intensive në funksion të bashkimit të mjekëve shqiptarë në Zvicër, të cilën e vlerësojmë shumë dhe i jemi shumë mirënjohës mediumit albinfo.ch. Unë në fakt jam zgjedhur në Kuvendin e parë themelues por nuk kam marr pjesë në punimet përgatitore për atë Kuvend. Themelimit i ka prirë një angazhim i sinqertë i shumë kolegëve për t`i bashkuar mjekët rreth një organizate që çdo ditë e më shumë po shndërrohet në vatër të mjekëve shqiptarë në Zvicër. Dëshira për të qenë bashkë, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të ndihmuar vendin e origjinës përmes transferit të dijes, lobimit si dhe angazhimi në funksion të imazhit të mirë komunitetit shqiptar në Zvicër». Në këtë kontekst janë organizimi i simpoziumeve shkencore në Zvicër, në Kosovë, konsolidimi i metejshëm i „Swiss Medical School“ si dhe projekte hospitimi dhe transfer të dijes në trojet shqiptare.
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025