Botë
Mali i Zi fton mërgimtarët shqiptarë të ndalen për pushime edhe atje
Nëse dëshironi të pushoni disa ditë në Mal të Zi para se të shkoni në Kosovë e Shqipëri apo para se të ndaleni dikund në Kroaci, lexoni aventurën e gazetarit të albinfo.ch që jua sjell përjetimin e tij pesëditor nëpër vendet më të bukura të Malit të Zi
Brenda jo më shumë se një ore e gjysmë ju mund të fluturoni nga Cyrihu në aeroportin e vogël të Podgoricës. Nga aty pastaj, përmes liqenit të Shkodrës që shtrihet mes të Malit të Zi dhe Shqipërisë, ju mund të vazhdoni në drejtim të Budvës, Ulqinit dhe qyteteve të tjera bregdetare.
Megjithatë, shumë mërgimtarë shqiptarë e njohin Malin e Zi vetëm përmes rrugës tranzite të Adriatikut që kalon nga Kroacia në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. Duke parë potencialin e lartë turistik të mërgatës shqiptare, malazezët po bëjnë përpjekje serioze për ta ndryshuar këtë. Kështu Zyra Kombëtare e Turizmit e Malit të Zi, në bashkëpunim me aviokopaninë Montenegro Airlines, kanë ftuar për eksplorim përfaqësues të agjencioneve turistike zvicerane dhe gazetarë për t’u njohur me Malin e Zi.
Qyteti i vjetër i Budvës ishte ndalesa e parë që nikoqirët kishin zgjedhur në itenerarin e vizitës që duhet vizituar përfaqësuesit e kompanive turistike zvicerane. Budva është një vendbanim i lashtë që daton nga koha ilire. Qyteti u shkatërrua pothuajse plotësisht nga një tërmet në vitin 1979, por u rindërtua ashtu siç ishte më parë. Sot, Budva është një vendpushim bregdetar i preferuar edhe për shqiptarët. Për të gjithë ata mërgimtarë që kalojnë përmes Malit të Zi në rrugën e tyre të gjatë në drejtim të Kosovës e Shqipërisë, Budva është qyteti ideal për të pushuar.
Qyteti i vjetër është përplot me dyqane e restorante që presin turistë. Nikoqirët janë miqësorë dhe kanë lënë prapa të kaluarën “jugosllave”. Budva ka hotele e restorante luksoze. Zyrtari komunal i qytetit kishte rezervuar darkën për mysafirët zviceranë në restorantin më të mirë të qytetit, të njohur me emrin “Jadran”. Ky restorant, i njohur për specialitete deti, ofronte menynë e ushqimit edhe në gjuhën shqipe. Këtu duhet thënë se Qeveria e Malit të Zi ka ndjekur një politikë të fqinjësisë së mirë, sidomos në raport me Kosovën. Zyrtarët malazezë që na shoqëronin ishin të këndshëm e miqësorë.
Ulqini, “kryeqyteti” i piratëve të Adriatikut
I vendosur në majën jugore të Malit të Zi pranë kufirit shqiptar, Ulqini është një qytet i lashtë, dikur i njohur si “kryeqyteti” i piratëve të Detit Adriatik. Ulqini është i banuar me shumicë shqiptare dhe ka një ndërthurje të kulturave, kombeve dhe feve të ndryshme, të cilat jetojnë së bashku. Bërthama e qytetit është Kalaja apo qyteti i vjetër me rrugë të ngushta, mure të larta e gurë të gdhendur që i japin qytetit nga lart një pamje mahnitëse. Ulqini është një destinacion i njohur turistik gjatë verës, sidomos për shqiptarët e Kosovës që janë pushues të rregullt. Ai, krahas detit lidhet me lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës.
Plazhi më i njohur i Ulqinit është Plazhi i Madh, me një gjatësi prej 12 kilometrash që njëherësh është plazhi më i gjatë në Mal të Zi. Si miniaturë e Plazhit të Madh, në qytet gjendet Plazhi i Vogël, i cili gjatë sezonit veror arrin kapacitetin maksimal, kryesisht me turistë shqiptarë të Kosovës, të cilët e adhurojnë këtë qytet edhe për jetën e natës, e cila muajt e verës nuk përfundon asnjëherë.
Një karakterstikë tjetër e Ulqinit është se është ndër qytetet e rralla në Evropë, ku mund të gjendet në një vend uji i njelmët dhe uji i ëmbël.
Në këto dy qytete, Budvë dhe Ulqin, që tradicionalisht vizitohen nga shqiptarët, ju mund të gjeni edhe shumë më tepër se kaq, por mbi të gjitha nga këto dy qytete ju mund të eksploroni e vizitoni të gjitha pikat e tjera turistike të Malit të Zi brenda një dite. Republika malazeze është vend i vogël, por një atraksion i vërtetë turistik me qytetin e vjetër të Kotorit, rrugën serpentine (gjarpërore) dhe vende të tjera atraktive përreth një hapësire të vogël gjeografike, për të cilat mund të lexoni më tepër në vijim.
Qarshia e vjetër dhe “ushqimi hallall” i malazezëve
Rruga me kalldërm përmes qytetit të vjetër të Tivarit e mbushur me dyqane, shitës të produkteve orientale dhe me prodhues të rakisë vendore, është një përzierje mes orientalizmit dhe oksidentalizmit. Dreka ishte rezervuar në një restorant, siç e quanin vendorët; me “ushqime hallall” dhe pa alkool. Kjo mbase për faktin se zviceranët i priste një takim i gjatë në formën e “workshop-it”, i organizuar me zyrat turistike dhe drejtues të hoteleve që kishin shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm për të takuar përfaqësuesit e agjencioneve turistike zvicerane. Në mesin e byrove turistike zvicerane ishin të ftuar edhe përfaqësues të “Dardania Travel” dhe “Albanienreisen”, të cilët po shqyrtonin mundësitë e sjelljes së turistëve shqiptarë të Zvicrës dhe zviceranë në Mal të Zi.
Cetinje, qyteti i ambasadave që kishte më shumë staf diplomatik se banorë vendas
Cetinja është e njohur më shumë si qyteti i ambasadave evropiane të ndërtuara kur qyteti shërbeu si kryeqyteti i Malit të Zi. Sot i ka konvertuar këto pallate elegante në muze, akademi dhe ndërtesa administrative.
Vizita në pallatin mbretëror të mbretit Nikolla dhe jeta e tij me 12 fëmijët, veçmas vejzat e martuara me princër të sheteteve perëndimore, tregonte zgjuarsinë e mbretit për krijimin e aleancave me shtete të forta që i garantonin ekzistencën republikës së vogël ballkanike.
Rruga e vjetër që të shpie në Kotor përmes Cetinjes, duke kaluar përmes fshatit Njegusha, vendlindjes së mbretit malazez, është pjesë e rrugës alternative, e cila nuk guxon assesi të anashkalohet, sidomos nga motoristët që kërkojnë pak adrenalinë e të shmangen nga aksi i ngarkuar i rrugëve bregdetare.
Në lartësinë Kerstac do të përballeni me pamjen më të bukur të Adriatikut, nga ku përmes rrugës së njohur serpentine mund të zbritni në Kotor. Qyteti të cilin shumica e mërgimtarëve shqiptarë e njohin si vendin ku duhet shkurtuar rrugën bregdetare, duke ngarkuar veturat në anije për të dalë në anën tjetër të detit. Megjthatë, qyteti i vjetër ka një gjallëri të paparë me mure të larta e rrugë të mbushura me turistë të huaj.
Motoristët që shkojnë për Kosovë të marrin rrugën përgjatë lumit Moraça
Pasi kishim kaluar disa ditë duke parë hotele e qytete me restorante të bukura, unë po zbuloja në fund një nga rrugët më atraktive të Malit të Zi për pasionantët e motoçiklizmit. Herët në mëngjes na kishin thënë se do të niseshim në drejtim të Podgoricës. Kjo ishte rruga që kishim bërë ditën e parë të arritjes në Mal të Zi dhe nuk më entuziasmonte.
Mirëpo, me të kaluar kryeqytetin e heshtur e me shumë pak gjallëri, dalim në udhëkryqin që të shpiente në Kollashin përgjatë lumit Moraça ose përmes autostradës që sapo ishte lëshuar në qarkullim si vendi i fundit i Ballkanit që po bëhej me autostradë. Kishim për të bërë 75 km rrugë dhe me pak fat zgjodhëm të shkonim përgjatë lumit, pra rrugës gjarpërore e me shumë gjelbërim, e cila doli të ishte atraksioni me i këndshëm jo vetëm për mua, por edhe për të tjerët.
Për motoristë që kalojnë përmes Malit të Zi në Kosovë, ky është një atraksion përplot risi. Kështu ju mund të ndaleni në parkun nacional të Biogradska Gorës për një pushim të shkurtër ose të vazhdoni për Beran, Rozhajë dhe të zbritni në Pejë, nga ku mund të «fluturoni» ku të dëshironi në qytetet e Kosovës. Mjafton të merrni guximin për të zbuluar gjëra të reja dhe nuk do të zhgënjeheni.
Autor: Bekim Dalipi
E-Diaspora
-
Vritet një shqiptar në Itali dhe plagoset vëllai i tij Policia italiane arreston dy persona me kombësi maqedonase...
-
Londër: Shqiptari është gjetur pa shenja jete
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët
Jeta në Zvicër
-
Nestle sheh nevojën për veprim mbi çmimet e produkteve Nestle duhet të ndërmarrë veprime për çmimet për të inkurajuar konsumatorët të blejnë mallrat e saj,...
-
Zvicër: Bli tani, paguaj më vonë
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore?
-
Si do të përfitojnë banorët e Gjenevës nga taksat më të ulëta mbi të ardhurat
-
Gati 75% e dëbimeve të urdhëruara në Zvicër në vitin 2023 janë kryer