Futboll

SonntagsZeitung: Zvicra ka vetëm një si ai, Rroftë Granit Xhaka!

"Ky vend nuk do të ketë më një lojtar të tillë në vitet në vijim. Zvicra duhet ta shijojë sa më gjatë Granit Xhakën"

Gazeta e së dielës SonntagsZeitung në botimin e saj të djeshëm ka publikuar një koment shumë interesant dhe pozitiv në lidhje me “Fenomenin Xhaka”.

Në vazhdim, komenti i përkthyer nga albinfo.ch, me shkurtime.

 

Sërish, edhe një herë mbretërojnë emocione të forta për kapitenin e kombëtares. Dhe, Zvicra duhet ta shijojë atë (Xhakën) – për aq kohë sa të jetë e mundur.

Të gjithë e dinim këtë, apo jo? Se kombëtarja e Zvicrës nuk mund të kalojë një turne të madh pa bërë bujë Granit Xhaka. Gjesti i Shqiponjës dykrenore, tatuazhet, gjesti me “bigëzim”, një postim në Instagram, diçka do të ketë gjithmonë.

Veprimin e fundit në lojën kundër Serbisë mund ta quani si të doni: të panevojshëm, të pamend, të pavend. Është e diskutueshme se kush kë e ka ofenduar i pari. Dikush mund të ankohet që dikush si Xhaka përdor sfondin politik të prindit në fushën e futbollit ose të pyesë: a mundet Xhaka që njëherë të kursehet nga këto?

Por, një vend si Zvicra rrallë sheh një lojtar si Granit Xhaka. Ai që krijon kaq shumë emocione në të njëjtën kohë dhe ende pothuajse gjithmonë jep gjithçka në fushë kur kjo është e rëndësishme.

Ai i qëndron edhe vetes në rrugë, mjaft shpesh. Dhe akoma vazhdon. Në Arsenal për shembull, ai qe mallkuar. Tani ai dhe klubi i tij janë në krye të ligës më të madhe në botë, Premier League. Në Zvicër ai u sulmua pas shqiponjës dykrenare në vitin 2018. Dhe festoi në vitin 2021 me flokë të lyer për festën e parakohshme pas fitores kundër Francës…

Xhaka është një person që i do fërkimet. Duket se ai merr energji prej tyre, deri në djegie. Ndonjëherë skuadra zvicerane digjet, si në Kupën e Botës në Rus, transmeton albinfo.chi. Por edhe është rrëmbyer prej tij, si në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar, si tani me rezultatin magjik 3:2 ndaj Serbisë.

Ai qëndron aty. Me një gjoks të gjerë. Jep dhe merr. Dhe ai gjithashtu luan një futboll për dreq të mirë.

Pas tërheqjes nga futbolli, ky vend nuk do të ketë më një lojtar të tillë në vitet në vijim. Zvicra duhet ta shijojë sa më gjatë Granit Xhakën.