Kosova

Kurti falënderon investitorët nga KE për kontributin dhënë ekonomisë kosovare

Kurti: "World Justice Project e ka renditur Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit dhe në vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit"

Rritja e mëtejme e bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik në vend, ishte tema e takimit të sotëm të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Këshillin Evropian të Investitorëve (European Investors Council), thuhet në një komunikatë për shtyp, në faqen e internetit të Qeverisë së Kosovës.

Reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit të investimeve dhe të të bërit biznes në Kosovë, si dhe për rritjen e punësimit, u theksuan nga Kryeministri Kurti. Ai potencoi se World Justice Project e ka renditur Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit dhe në vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit.

Duke theksuar rritjen e pashembullt ekonomike të Kosovës (10.7 %), e cila është më e larta në rajon dhe më e madhja që nga paslufta e Kosovës, si dhe rritjen e GDP-së, Kryeministri i falënderoi investitorët për kontributin e dhënë në këtë rritje, thuhet më tutje në komunikatë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë bashkëbisedim u veçuan reformat legjislative, si dhe zgjidhjet konkrete për tërheqjen e investimeve. Në takimin e përbashkët me Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve (EIC), Emrush Ujkani dhe përfaqësues të EIC u theksua se dialogu i hapur, konstruktiv dhe i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe investitorëve, do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të investimeve në Kosovë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte.

Në Këshillin Evropian të Investitorëve, anëtarë nderi janë Zyra e BE-së në Kosovë, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (Luksemburg), si dhe ndërmarrjet e kompanitë evropiane nga industria bankare, telekomunikacioni, sigurimet, industria automotive, industria plastike, shoqëritë audituese, industria farmaceutike, industria e energjisë, tekstilit dhe industria e transportit, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.