Futboll

Edhe zyrtarisht: FIFA nis procedurat kundër Serbisë, Zvicra dhe Xhaka nuk dënohen

Ndër të tjera, zyrtarët dhe futbollistët serbë do të hetohen për sjelljet e pahijshme nga lojtarët dhe zyrtarët si dhe për diskriminim, njoftoi FIFA të hënën

Ajo që ishte përfolur nga mediat në orët e paradites së sotme, tashmë u vërtetua edhe zyrtarisht: Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur procedurat disiplinore ndaj serbëve pas ndeshjes shpërthyese preliminare të Kupës së Botës ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës (2:3), transmeton albinfo.ch. Ndër të tjera, do të hetohen sjelljet e pahijshme nga lojtarët dhe zyrtarët si dhe diskriminimi, njoftoi FIFA të hënën.

Ndeshja e së premtes ishte ndër më të “nxehtat” të luajtura ndonjëherë. Serbët, për shkak të humbjes dështuan sërish në fazën e grupeve.

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është përplasur me pankinën serbe në pjesën e dytë dhe ka bërë një gjest që është konsideruar si i pahijshëm, shkruan sda.ch. Pas ndeshjes ai ka veshur fanellën e bashkëlojtarit të tij, Ardon Jashari, përcjell alboinfo.ch. Jashari është edhe emri i një luftëtari të pavarësisë, i cili konsiderohet si bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbol i rezistencës ushtarake kundër serbëve. Ky veprim nuk kishte prapavijë politike, kishte kundërshtuar Xhaka zërat kritikë.

FIFA nuk ka njoftuar për ndonjë hetim ndaj 30-vjeçarit me rrënjë kosovare. Zvicra do të përballet me Portugalinë në fazën e 16-të të martën.