Kosova

Kosovë: Pasiguri e të dhënave bankare

Qytetarët e Kosovës janë përdorues mjaft aktivë të shërbimeve të ndryshme online dhe blerjeve me kartela bankare, por me rritjen e teknologjisë, është rritur edhe pasiguria tek ata, pasi ka raste të keqpërdorimit të kartelave dhe mënyra të tjera me të cilat po i preken të ardhurat e tyre.

Policia e Kosovës i ka thënë KosovaPress-it, se nga janari i vitit 2020 e deri në qershor të vitit 2022, ka trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare. Sipas Policisë, disa prej formave të evidentuara janë mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale, Mashtrimet e bizneseve përmes internetit, “Peshkimi i të dhënave ose Fishing” dhe Klonimi i kartelave bankare.

Tentimet për mashtrimin e qytetarëve vazhdojnë të jenë të ndryshe. Disa u kërkojnë qytetarëve të dhënat personale kinse kanë fituar ndonjë shpërblim, e disa paraqiten si të punësuar në bankë, duke kërkuar të dhëna bankare.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxha për KosovaPress, se bankat duhet të mbajnë fushata ndërgjegjësuese lidhur me këtë problematikë, gjë që ai nuk ka parë ende nga bankat në Kosovë.

“Të gjithë tentojnë që të arrijnë deri tek të dhënat financiare dhe mënyra më e lehtë që të vidhen të dhënat bankare.. Kemi personat të cilët tentojnë të mashtrojnë qytetarin me arsyetime të ndryshme, qoftë që qytetari ka fituar ndonjë shpërblim apo banka quhet si auditor apo person i certifikuar i bankës dhe kërkon të dhëna të tilla bankare…Bankat të mbajnë fushatë ndërgjegjësuse lidhur me mashtrimet, në momentin e parë që ndodh një lloj mashtrimi të vendos apo të rris masat e kontrollit dhe t’i njoftoj qytetarët….Nuk kam parë deri më tani asnjë këshillë të asnjë prej bankave, se si duhet të kujdesemi për kartelat bankare. Po tregoj për një rrezikshmëri të madh ku ne të gjithë i ekspozohemi vjedhjes së të dhënave bankare dhe në hapësirën kibernetike do të shohim çdo ditë e më shumë, dhe normalisht këto mashtrime do të perfeksionohen çdo ditë e më shumë”, tha ai.

Hoxha theksoi se në Black Friday organizohen mashtrime të mëdha dhe qytetarët që blejnë online, duhet të kujdesen që të mos japin shumë të dhëna personale, sepse, siç thotë ai, banka nuk mban aspak përgjegjësi për këto blerje.