Muzikë
Mesazhe artistike dhe frymë festive për Ditën e Flamurit, në Winterthur
I gjithë programi i prezantuar nga Ansambli "Trojet", në Winterthur përmes mesazheve të qëlluara artistike, ka sjellë frymën festive, të munguar prej vitesh
Vargun e aktiviteteve festive të zhvilluara në Zvicër, për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, këtë vit e nisi Ansambli “Trojet” nga Winterthuri.
Të shtunën që shkoi, më 26 nëntor, në sallën e madhe në Töss Zentrum të këtij qyteti mbretëronte një gjallëri që nuk ishte parë prej kohësh: qindra shqiptarë ia kishin mësyrë kësaj qendre për të kremtuar së bashku Ditën e Flamurit, shkruan albinfo.ch. Vendet në sallë nuk mjaftonin as për së afërmi për të zënë vend të gjithë të interesuarit, prandaj u desh të silleshin karrige shtesë dhe sërish shumë nga festuesit mbetën të qëndrojnë këmbë ose madje, të ndiqnin programin nga korridori.
Sigurisht, mungesa e aktiviteteve për një kohë të gjatë, për shkak të pandemisë, ka ndikuar në “përmallimin” e publikut për një mbrëmje festive si kjo. Dhe, duhet thënë se prania në këtë mbrëmje “ju shpërblye” të gjithëve me një program mjaft të pasur artistik, të përgatitur nga “Trojet”.
Publikun në sallë, me pak fjalë mirëseardhjeje dhe me urime për 28 Nëntorin e ka përshëndetur kryetari i ansamblit, Zeqë Gashi ndërsa me një fjalë për historikun e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë është paraqitur anëtari i kryesisë, Blerim Bunjaku.
Në vazhdim, moderatori i mbrëmjes, Ramadan Morina, fjalën ja ka dhënë kreut të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati. Duke përshëndetur familjarët e dëshmorëve dhe gjithë publikun e pranishëm, kryekonsulli Kastrati ka thënë veç tjerash se “28 Nëntori është dita kur ne reflektojmë mbi historinë e dhimbshme të kombit shqiptar, nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë”.
Një fjalë përshëndetjeje në emër të familjarëve të dëshmorëve ua ka drejtuar të pranishmëve Agim Pajaziti, vëllai i Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, shkruan albinfo.ch. Ai ka bërë thirrje që të respektohet sakrifica e dëshmorëve dhe të punohet për jetësimin e amanetit të tyre.
Mbrëmja ka vazhduar me programin e pasur, të përgatitur me përkushtim nga grupet e ndryshme të valltarëve të ansamblit dhe të kurorëzuar me këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqiptare ga Zvicra.
Loja koreografike “Marshi i Djalërisë” mbi këngën e njohur të Ilir Shaqirit, e përgatitur dhe e drejtuar me mjeshtëri të lëvdueshme artistike nga koreografi Arsim Berisha ka hapur programin artistik. Ajo, me shenjat e veçanta koreografike ka sjellë para publikut mesazhet e dëshmorëve dhe e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve, ndër shekuj.
Ishte shumë emocionuese paraqitja e grupit të më të vegjëlve, në fillim si kor e pastaj edhe si grup valltarësh, një tregues i qartë ky për rëndësinë që ansambli i jep bartjes së trashëgimisë sonë kulturore te brezat më të rinj.
Në vazhdim, me valle të ndryshme nga repertori i pasur i Ansamblit “Trojet” janë paraqitur grupet tjera të valltarëve, duke dëshmuar një përgatitje dhe nivel të lartë artistik të tyre dhe punë me përkushtim, të realizuar nga koreografi, Arsim Berisha.
Këngëtarja tashmë e njohur, Gentjana Tafili, ka sjellë frymën e këngëve shkodrane, të shoqëruar me timbrin e saj të ëmbël të të kënduarit ndërsa këngëtarët tjetër, si Xhemail Murtishi, Naim Selmani dhe Flutur Bytyqi kanë sjellë në sallë emocione të këngëve të njohura epike shqiptare, kryesisht kushtuar dëshmorëve dhe atdheut.
Për fund mund të thuhet se i gjithë programi i prezantuar më 26 nëntor në Winterthur përmes mesazheve të qëlluara artistike, ka sjellë frymën e vërtetë festive, të munguar viteve të fundit.
(Fotot: Ani Avdyli dhe Adnan Asllani)
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra