Lajme

Shkrimtarët dhe krijuesit shqiptarë në Austri shënojnë 10-vjetorin e aktivitetit

Për gjatë dhjetë vjetëve, LSHKSHA-ja ka organizuar mbi 70 orë letrare dhe ka botuar mbi 50 libra nga krijuesit shqiptarë në Austri.

Në një ambient të bukur të “Europahaus” në Vjenë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri për nder të 10 vjetorit të themelimit dhe festave të nëntorit, organizoi një orë letrare me disa krijues nga Austria.

Në këtë organizim, përveç miqve dhe dashamirëve të letërsisë shqiptare nga mbarë Austria, të pranishëm ishin  edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, z.Roland Bimo dhe z.Lulzim Pllana.

Nën prezantimin e moderatores Kaltrina Durmishit, në këtë mbrëmje u bë prezantimi i monografisë “Aktivitete letrare në Austri” me autor Hazir Mehmetin dhe katër librave të tjerë të autorëve: Kimete Zahiti – Tërnava “Kthehu nga drita”; Ramiz Selimi “Rrënjët e Kujtesës”; Angjelina Marku “Shtyje hënën” dhe Besim Xhelili “Vijat e atdheut”

Ambasadori Roland Bimo në fjalimin e tij, theksoi rëndësinë e mbajtjes së jetës kulturore në mërgim, e në këtë aspekt edhe aktivitetet letrare që organizohen nga LSHKSHA-ja ku promovohen  libra të ndryshëm nga autorë tani të dëshmuar.

Edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z.Lulzim Pllana veçoi punën e mirë që janë duke e bërë krijuesit dhe shkrimtarët shqiptarë në Austri në promovimin e vlerave të mirëfillta kulturore në fushën e letërsisë.

Në vazhdim kryetari i lidhjes (LSHKSHA-së) Hazir Mehmeti  paraqiti  periudhën 10 vjeçare të ecjes së kësaj lidhjeje nëpër kohë, me theks të veçantë, veprat Illyricum 1dhe 2  dhe shumë vepra të tjera të botuara në këto dhjetë vite. Pjesë e pandarë e kësaj veprimtarie ishin edhe promovimet dhe orët letrare të organizuara në disa  qytete të Austrisë edhe me miqtë austriakë duke bashkëpunuar në mënyrë të kënaqshme.

Me këtë rast, për monografinë, ”Aktivitete Letrare në Austri” me autor Hazir Mehmeti, foli shkrimtarja, Violeta Allmuça, e cila theksoi se monografia vjen si një kontribut që paraqet shumë veprimtari të ndryshme si promovime të veprave letrare-artistike, ekspozita, aktivitete me krijues austriak, etj.

Ajo foli gjithashtu edhe për romanin e Angjelina Markut,”Shtyje  hënën”, vëllimin me poezi të Kimete Zahiti Tërnavës “Kthehu nga drita “, romanin e Ramiz Selimit,”Rrënjët e kujtesës”.

Në këtë takim z.Anton Marku, bëri një vështrim të shkurtër mbi vëllimin  e 10-të me poezi “Vijat e Atdheut”, nga Besim Xhelili ku ceku temat me të cilat merret ky shkrimtar si atdheu,  heronjtë dhe dashuria.

Me disa poezi dhe tregime në vazhdim u paraqiten edhe shkrimtarët: Angjelina Marku,Kimete Zahiti Tërnava,Anton Marku, dhe Ramiz Selimi.

Për dhjetë vjet, 70 orë letrare dhe mbi 50 botime librash

Në lidhje me përvjetorin e LSHKSHA-së, z. Anton Marku shtoi: “Për këto 10 vjet, kemi organizuar mbi 70 orë letrare, mbi 50 botime, anëtarët tanë tashmë janë pjesë e PEN  grupit austriak. Anëtarët e LSHKSHA-së shpesh janë nderuar me çmimet kryesore në mitingjet me të mira në trojet shqiptare”, tha ai dhe shtoi. “Ne, nuk jemi futbollist të mbushim stadiumet, as artistë të mbushim sallat koncertare, por kemi një publik të përzgjedhur që vjen dhe përcjell vazhdimisht organizimet tona. Uroj që “Lidhja..” të vazhdoj edhe dhjetë vite të tjera, njëzet, tredhjet…Disa anëtarë që kanë qenë, janë largua, disa të tjerë kanë mbetur, por unë besoj se ka me pasur edhe shumë të tjerë që do të na bashkohen në të ardhmen”, përfundon ai.

Këtë takim e zbukuroi edhe më shumë disa instrumentale muzikore në violonçel të artistes shqiptare në Vjenë, Marigona Komanit.

Në fund, organizatori kishte përgatit edhe një koktej rasti dhe disa ushqime tradicionale shqiptare.