Lajme

Sondazh: Inflacioni, shqetësimi kryesor i gjermanëve

Rritja e çmimeve në pothuajse të gjithë sektorët është në krye të shqetësimeve të qytetarëve në Gjermani, sipas një sondazhi.

“Edhe lufta në Ukrainë, ndryshimet klimatike dhe koronavirusi nuk ishin aq shqetësuese sa rritja e kostos së jetesës”, thuhet në sondazhin e publikuar nga eksperti i konsulencës së menaxhimit “McKinsey”, Marcus Jacob.

Rreth 57% e më shumë se 1 mijë të anketuarve thanë se shqetësimi i tyre më i madh për momentin ishte inflacioni, shkruan KosovaPress.

Më shumë se dy të tretat e të anketuarve, në sondazhin e kryer midis 23 shtatorit dhe 2 tetorit, thanë se prisnin që çmimet të vazhdonin të rriteshin.

Ndërsa, vetëm 18% e të anketuarve e quajtën luftën në Ukrainë si shqetësimin e tyre më të madh, 6% ishin të shqetësuar për ndryshimet klimatike dhe 3% për pandeminë e Covid-19.

Sipas Jacob, më shumë se një e treta e konsumatorëve tashmë duhet të kufizojnë konsumin e produkteve jo thelbësore. Më shumë se gjysma e tyre nuk po kursejnë më.