Shqipëria

Mbi 6.4 milionë të huaj vizituan Shqipërinë, 30% më shumë se më 2021

Shqipëria është afër një bumi turistik dhe marketingu në mediet më prestigjoze ndërkombëtare, por edhe investimet në infrastrukturë, po japin efektet pozitive, si sa i përket rritjes së numrit të turistëve, ashtu dhe tek të ardhurat që ekonomia përfiton nga turizmi.

INSTAT publikoi sot raportin mbi lëvizjen e shtetasve, sipas të cilit mbi 6.4 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në nëntëmujorin janar-shtator të këtij viti, duke shënuar rritje me 31.8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur vendin tonë e vizituan 4.8 milionë shtetas të huaj.

Nga këta, 6 milionë kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre është për pushime dhe vizitë te të afërm. Përgjatë nëntë muajve të 2022-shit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4 herë dhe Anglia me 2 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 11,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vetëm gjatë muajit shtator, referuar të dhënave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar janë 1.2 milionë. Ky tregues rezulton me një rritje 52.2 për qind, krahasuar me shtatorin e 2021-shit.
Në shtator të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 761.544. Ky numër është rritur me 54.1 për qind, krahasuar me shtatorin e 2021-shit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se shpenzimet e të huajve në Shqipëri, në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi vuante ende pasojat e pandemisë.
Edhe në raport me 2019-n, prurjet valutore të të huajve në Shqipëri u rritën me 32 për qind./TCH