Lajme

Scholz: Perëndimi do të ofrojë mbështetje për Ukrainën për dekadat e ardhshme

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se Perëndimi synon t’i ofrojë ndihmë Ukrainës “për dekadat e ardhshme”, duke vënë në dukje se një “Plan Marshall i shekullit të 21” ishte në rendin e ditës.

Deklaratën Scholz e dha këtë të martë, në konferencën ndërkombëtare në Berlin mbi rindërtimin e Ukrainës, shkruan Euronews, përcjell albinfo.ch.

“Tani është momenti për të diskutuar se cila duhet të jetë e ardhmja e Ukrainës dhe si duhet të financohet. Ne jemi këtu sot për të shqyrtuar se si të sigurojmë dhe të mbajmë fondet për rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës për vitet dhe dekadat në vijim,” tha Scholz, duke shtuar se nuk ishte thjesht një konferencë donatorësh, por diçka më themelore.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse krijimi i një plani të ri Marshall për shekullin 21 – një detyrë për brezat që duhet të fillojë tani,” theksoi Scholz.

Në të njëjtën kohë, ai e përshkroi si “vendim të duhur gjeopolitik” mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kievin. Për më tepër, Scholz siguroi se mbështetja perëndimore për Ukrainën do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.