Lajme

Gjermani: Fond prej 200 miliardë eurosh, ndihmë për qytetarët

Parlamenti gjerman votoi propozimin për borxhe të reja deri në 200 miliardë euro. Këto para do të përdoren për frenimin e çmimeve të energjisë dhe ndalimin e inflacionit.

Bundestagu vendosi për krijimin e “mburojës financiare”, të planifikuar dhe të propozuar nga qeveria për zbutjen e krizës energjetike. Në këtë mënyrë, pezullohet për të dytën herë brenda këtij viti frenimi i borxheve, i parashikuar me Kushtetutë. Një hap i tillë lejohet në një “situatë të jashtëzakonshme emergjente”.

Qeveria gjermane e justifikon shfuqizimin sërish të rregullit për frenimin e borxhit me efektet e agresionit rus në Ukrainë ndaj çmimeve të energjisë. Sipas vendimit, rritja drastike e çmimeve paraqet një barrë të konsiderueshme, ndonjëherë kërcënuese për vetë ekzistencën e njerëzve që preken nga çmimet e larta, por edhe të kompanive në Gjermani.

Vendimi parashikon krijimin e Fondit për Stabilizim Ekonomik (WSF), ku do të paguhen 200 miliardë euro të marra kredi. Këto para ishin parashikuar më parë për luftimin e pasojave të pandemisë COVID-19, ndërsa tani do të derdhen në këtë fond. Fondet mund të përdoren deri në mesin e vitit 2024.

Krahas frenimit të çmimit të gazit, do të financohet pjesërisht edhe frenimi i çmimit të energjisë elektrike, si dhe ndihma për kompanitë dhe importuesit e gazit, të cilat po hasin në vështirësi si pasojë e krizës energjetike.

Kritika të shumta janë dëgjuar nga radhët e opozitës. Eksperti i financave i CDU-së, Mathias Middelberg, foli për një premtim pa kushte të qeverisë.

“Askush në këtë vend nuk e di saktësisht se çfarë do të bëhet me këto para”, tha Middelberg.

Mungesa e projekteve konkrete

Se si do të ulen saktësisht çmimet e rritura të gazit dhe energjisë elektrike ende nuk dihet. Në rastin e gazit, një komision i ngritur nga qeveria ka propozuar që qeveria federale të marrë fillimisht faturat e dhjetorit dhe të veprojë në bazë të tyre.

Në dhjetor pritet një zbritje për këtë muaj. Ndërsa prej muajit mars pritet të përcaktohet edhe çmimi më i lartë i gazit, për 80 për qind të konsumit normal, që do të thotë se konsumatori për këtë sasi gazi do të ketë një garanci të çmimit të caktuar.

Edhe te energjia elektrike po mendohet për përcaktimin e një kufiri të tillë të çmimit. Por qeveria insiston që qytetarët të kursejnë, pavarësisht çmimeve. /Deutsche Welle