Lajme

Ulja e prodhimit të naftës nga OPEC+, e dëmshme për ekonominë e botës

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se masa e Organizatës së Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC+) për të ulur prodhimin e naftës ishte “e padobishme dhe e pamatur” për ekonominë botërore, veçanërisht për tregjet në zhvillim, të cilat janë duke u përballur me çmime të larta të energjisë.

Administrata e presidentit Joe Biden ka qenë tepër kritike ndaj vendimit të këtij karteli të naftës, të mbështetur nga Arabia Saudite dhe Rusia, i cili e ndërmori hapin në kundërshtim me presionet amerikane për të mbajtur në nivele të ulëta çmimet botërore të naftës.

“Mendoj se vendimi i OPEC-ut është i padobishëm dhe i pamatur – nuk dihet me siguri se çfarë ndikimi do të ketë ai, por sigurisht, është diçka që, për mendimin tim, nuk duket e përshtatshme në rrethanat ku ndodhemi. Ne jemi shumë të shqetësuar për vendet në zhvillim dhe për problemet me të cilat përballen ato”, tha Yellen.

SHBA-ja shpreson që të mund t’i përdorë këto takime për të nxitur vendet evropiane që t’i ofrojnë ndihmë ekonomike Ukrainës në një kohë shumë më të shpejtë, pas zhgënjimeve në rritje në Uashington se disa nga aleatët nuk po i përmbahen me përpikëri përmbushjes së premtimeve të tyre për të ndihmuar financiarisht Kievin.

“Shumë vende kanë premtuar një ndihmë të konsiderueshme ekonomike, por thjesht nuk e kanë distribuuar akoma atë. Ritmi i transferimit të parave në Ukrainë është tepër i ngadaltë. Ka shumë angazhime, por paratë duhet të jepen”, shtoi ajo.

Ndërsa, nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se blloku po synon të përshpejtojë disbursimet e fondeve të saj për Ukrainën dhe do të “punonte intensivisht” me vendet anëtare për të zhbllokuar 3 miliardë euro nga një paketë prej 9 miliardë euro, për të cilën liderët e unionit u angazhuan në fillim të këtij viti.