Kuriozitete

Tesla shet mbi 300 mijë vetura për 3 muaj

Tesla ka dërguar 343.000 automjete në tremujorin e tretë 2022.

Shtëpia automobilistike e makinave elektrike, Tesla, sapo ka publikuar shifrat në lidhje me prodhimin dhe dërgesat e automjeteve në tremujorin e tretë 2022:
– Dërgesat totale T3 2022: 343.000
– Prodhimi total T3 2022: 365.000
Dërgesat janë rezultati më i afërt i shitjeve të deklaruara nga Tesla dhe më të ulëta se pritshmëritë e analistëve prej 364.660 automjetesh, sipas vlerësimeve të Street Account, në pronësi të FactSet.
Në raportin e vet, Tesla deklaroi se ka prodhuar 19.935 automjete të modelit S dhe X, me çmim më të lartë dhe 345.988 automjete të modelit 3 dhe Y, më të përhapura gjatë tremujorit të tretë.
Prodhimi total është rritur krahasuar me tremujorin e mëparshëm të vitit 2022, kur Tesla deklaroi se prodhoi 258.580 automjete.
Në të njëjtin tremujor një vit më parë, Tesla deklaroi se dërgoi 254.695 automjete dhe se prodhoi 237.823 të tilla, ku 8.941 makina ishin të modelit S e X, më të kushtueshmet e kompanisë.
Në tremujorin e tretë 2022, Tesla u përball me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, ndryshimin e drejtuesve (me largimin e liderit të Inteligjencës Artificiale, Andrej Karpathy në korrik) dhe problemet e rritjes së fabrikave të reja në Gjermani dhe Teksas.
Tesla nuk i ka publikuar kurrë shifrat e prodhimit dhe dërgesave të automjeteve sipas rajoneve.
Në korrik të këtij viti, Tesla pezulloi përkohësisht pjesën më të madhe të prodhimit në fabrikën në Shangai, për të bërë ndërhyrje në impiant. Në gusht, megjithatë, prodhimi dhe dërgesat e kompanisë në Kinë u rimëkëmbën, sipas të dhënave China Passenger Car Association.
Në Shtetet e Bashkuara, në fund të tremujorit të dytë, pushoi nga puna një departament të tërë të Inteligjencës Artificiale dhe kreu shkurtime të tjera në personel. Musk u ka kërkuar të gjithë punonjësve të punojnë në zyrë të paktën 40 orë në javë, edhe pse më parë mund të punonin në distancë.
Të premten e kaluar, në një artikull, Reuters shkruante se Tesla parashikon të rrisë ndjeshëm prodhimin global të automjeteve elektrike Model Y dhe Model 3, modelet më të shitura, në tremujorin e katërt, dhe të vijojë rritjen deri në vitin 2023, kur fabrikat e reja në Austin dhe Berlin do të rrisin prodhimin – sipas planeve të brendshme të analizuara nga Reuters.
Parashikimi i prodhimit të Tesla, nëse do të përmbushet, do të bënte që prodhuesi i automjeteve elektrike të arrinte objektivin e prodhimit të Elon Musk në tremujorin e katërt.
Nëse do të përmbushet, Tesla do të arrinte përmasat e shtëpisë automobilistike gjermane të luksit BMW deri në fund të vitit 2023.
Musk dhe Tesla njihen për vendosjen e objektivave ambiciozë që jo gjithnjë kompania i ka arritur.
Në prill, për shembull, Musk deklaroi se Tesla do të mund të arrinte rritje 60% në dërgesa. Në korrik, kompania e reduktoi objektivin në 50% për këtë vit.
Objektivi ambicioz është arritur, pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme në zinxhirin e furnizimit, ngadalësimit të ekonomisë, rritjes së konkurrencës dhe rënies së dërgesave të Tesla.
Por parashikimi, që përfshin katër tremujorët e ardhshëm me radhë, vendos një objektiv ambicioz për të prodhuar thuajse 495.000 Model Y dhe Model 3 në tremujorin e katërt të këtij viti. Këto dy modele përfaqësojnë rreth 95% të prodhimit të Tesla.
Me planet e prodhimit, Tesla do të kapërcente me thuajse 10 herë parashikimet e rritjes së tregut global të automjeteve në vitin 2023, me rritje të prodhimit më shumë se 50% për atë vit.
Reuters e konfirmon objektivin e prodhimit global të Model Y dhe Model 3 nga dy persona që kanë dijeni mbi parashikimet. Ata folën me kusht që të mos përmendeshin, pasi parashikimet janë të rezervuara.
Dhe rritja e Tesla ka qenë e kushtueshme. Në fund të majit, Musk deklaroi se fabrikat e reja në Teksas dhe në Gjermani po humbnin miliarda dollarë, duke i krahasuar ato me “furra gjigante parash”.
Sipas parashikimeve, shtëpia automobilistike do të rimëkëmbet shpejt nga ngadalësimi i tremujorit të mëparshëm, kur prodhimi në Shangai u godit nga masat kufizuese për shkak të COVID-19./ CNBC & Reuters