Lajme

Kriptomonedhat, në ditë të vështira

Tregtimi i kriptomonedhave ka treguar shenja stabilizimi në fillim të kësaj jave, ndërsa Bitcoin të martën u shit për herë të parë pas më shumë se një jave mbi 20 mijë dollarë.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se oferta mbetet ende më e madhe se kërkesa, ndërsa kostoja e dhe vështirësia e prodhimit të Bitcoin është rritur me rreth 12 për qind.

Kjo ka reduktuar fitimet e prodhuesve dhe dekurajuar aktivitetin e mihjes. Javën e kaluar, Bitcoin humbi 10 për qind të vlerës dhe i njëjti trend ishte edhe për kriptomonedhat e tjera, ndërsa tregu total i tyre ra nën 1 trilion dollarë.

Rritja e shkallës së vështirësive për prodhimin e Bitcoin shihet nga disa si sinjal pozitiv. Sipas tyre, ky është tregues i një rrjeti të fortë dhe në rritje prodhimi kriptomonedhash.

Bitcoin ra nën 20 mijë dollarë javën e kaluar dhe aktualisht është duke u përpjekur që të ruajë këtë nivel. Me përjashtim të së martës, kur e tejkaloi 20 mijë dollarëshin, në pjesën tjetër tregtimi i tij ka qenë rreth 19 mijë dollarëve.