Futboll

Rusia përjashtohet nga “Euro 2024”

Rusia tani zyrtarisht e përjashtuar edhe nga “Euro 2024”

Zyrtarisht Rusia nuk do të marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian që mbahet në vitin 2024 në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Federata ruse u përjashtua fillimisht nga Liga e Kombeve që u përmbyll të martën mbrëma, derisa tani do të jetë jashtë garës më të madhe për përfaqësuese në Evropë.

Tashmë dihet se ky përjashtim vjen nga sulmet që Rusia i filloi më 24 shkurt të këtij viti ndaj Ukrainës.

Kjo gjendje po vazhdon edhe tani, andaj UEFA ka marrë vendim që të mos e lejojë Federatën ruse të marrë pjesë në kualifikimet e “Euro 2024”.

Natyrisht se ky është një dëm i madh për futbollin rus, derisa edhe lojtarët nuk guxojnë të kundërshtojnë pushtimin që Vladimir Putin po tenton ta bëjë ndaj Ukrainës.

Vlen të përmendet se Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e këtyre kualifikimeve, të vendosura në vazon katërt, respektivisht tre.

Nga ky përcaktim i vazove, Dardanët dhe Kuqezinjtë mund të jenë në të njëjtin grup, short ky që nuk do të ishte i mirëpritur.