Lajme

Ylfete Fanaj nominohet për Këshillin Qeveritar të Lucernit

Ylfete Fanaj do të garojë për të fituar vendin në Qeverinë e Kantonit të Lucernit për PS-në e kantonit, vend ky, të cilin PS e kishte humbur në vitin 2015

Politikania e suksesshme shqiptare në Lucern, Ylfete Fanaj është nominuar për Këshillin Qeveritar të Kantonit të Lucernit, në zgjedhjet e 2 prillit të vitit 2023.

Ylfete Fanaj do të garojë kështu për të fituar vendin në këshillin qeveritar të Lucernit për PS-në e kantonit të Lucernit. Vend ky, të cilin PS e kishte humbur në vitin 2015, transmeton albinfo.ch. Partia e ka nominuar zyrtarisht 40-vjeçaren pasditen e së shtunës në Wolhusen LU.

Fanaj ka fituar ndaj dy kandidateve të tjerë në dy votime, ka thënë sekretari i partisë Sebastian Dissler, shkruan sda.ch. 180 veta kanë marrë pjesë në takimin e nominimit, në Wohlhusen.

Në votimin e parë Ylfete Fanaj mori 81 vota, Melanie Setz Isenegger 52 vota dhe Yvonne Zemp Baumgartner 38 vota. Në raundin e dytë Fanaj mori 95 vota, ndërsa Setz, 73 vota.

Këshilli qeveritar i Lucernit aktualisht përbëhet nga 5 burra, të gjithë të partive të djathta. Nga viti 2015 aty nuk ka pasur asnjë përfaqësues nga partitë e majta dhe asnjë grua.

Njoftimin për nominimin e saj e ka bërë të ditur Ylfete Fanaj në rrjetet sociale, përcjell albinfo.ch.

“Jam e kënaqur që jam nominuar si kandidate për këshillin qeveritar për zgjedhjet e 2 prillit 2023!

Dëshiroj të falënderoj partinë time për besimin e madh. Jemi shumë gati për fushatën zgjedhore! Ju tashmë mund të më mbështesni: bashkohuni në komisionin tim www.ylfetefanaj.ch!

Do të doja të falënderoja Yvonne Zemp Baumgartner dhe Melanie Setz për kohën e mrekullueshme së bashku!

Kam mësuar shumë nga ju. Ne mund të ndryshojmë vërtet vetëm nëse më shumë prej nesh janë të dukshëm dhe mbështesim njëri-tjetrin”, ka shkruar Fanaj.

Ylfete Fanaj është shqiptarja që ka arritur më së larti në politikën zvicerane deri më tani. Ajo ka qenë kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, pas një përvoje rreth 15 vjeçare si asambleiste e qytetit të Lucernit dhe pastaj, e kantonit të Lucernit.