Lajme

Flutura Dedinja prezanton koleksionin e saj në Javën e Modës në Vjenë

Për koleksionin e fundit, ajo ka thënë se do të sjellë para audiencës stile unike të frymëzuar nga qyteti i Vjenës

Kreatorja e njohur nga Kosova, Flutura Dedinja, sot në “Museum Quartier” në Vjenë do të prezantojë koleksionin e ri të veshjeve, raporton albinfo.at.

Ajo do të marrë pjesë për herë të parë në Javën e Modës në Vjenë.

Kreatorja Flutura Dedinja është njëra nga emrat më të njohur të disenjatorëve në Kosovë. Në vitin 2021 ajo është shpërngulur nga Prishtina për të jetuar përkohësisht në Vjenë.

Flutura veçohet për guximin dhe vlerat artistike që transmeton dhe përfaqëson te çdo grua, ndërkohë për koleksionin e fundit ka thënë se do të sjellë para audiencës stile unike të frymëzuar nga qyteti i Vjenës, përcjell albinfo.at.

Java e Modës në Vjenë po zhvillohet për të 14-tën herë. Hapja u bë më 12 shtator, ndërkohë kreatorja kosovare do të paraqitet me koleksionet e saj ditën e shtunë, më 17.09.2022, duke filluar nga ora 16:00, që është edhe dita e fundit e këtij eventi.

Një rast i mirë për dashamirët e modës për të shijuar krijimet e kreatores Flutura Dedinja, në Vjenë.

Flutura Dedinja, disenjatore e modes