Shqiperia

Macron konfirmon mbështetjen për Shqipërinë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e hapur të negociatave, përcjell albinfo.ch.

“Unë mendoj që fakti që arritëm të menaxhojmë gjatë presidencës sonë zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, na dha mundësinë që të zhbllokojme situatën e hapjes së negociatave edhe për Shqipërinë. Ka një shtim të përpjekjeve të forcave destabilizuaese që duan të shfrytëzojnë tensionet mes komuniteteve. Ne nuk mund të tolerojmë situata të tilla, duke u dhënë këtyre shteteve një perspektivë të qartë për integrimin evropian”, është shprehur Macron.

Macron paralajmëroi takimin e parë me liderët ballkanikë në Pragë më 6 tetor, në kuadër të komunitetit të ri politik evropian.

“Në Pragë më 6 tetor ne do të zhvillojmë takimin e parë të formatit të ri të komunitetit të ri politik evropian.

Kjo do të na lejojë që të takohemi çdo gjashtë muaj ne si shtete anëtare të Bashkimit Evropian, me udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë.

Ne duhet të ndërtojmë me këto shtete marrëdhënie ndërqeveritare rreth furnizimit me energji, politikës së jashtme dhe të sigurisë, lëndëve të para dhe sigurisë ushqimore”, është shprehur Macron.

Sipas presidentit Macron, ideja e tij për krijimin e Komunitetit Politik Evropian nuk zëvendëson procesin e zgjerimit.