Kosova

Rama lavdëron Vuçiqin: Dha sinjal të qartë paqeje në raport me Kosovën

Rama: Vuçiqi dha sinjal të qartë paqeje

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë merita iniciativës “Ballkani i Hapur” për shumë procese. Aty ka përfshirë edhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Rama në samitin që po mbahet në Beograd ka thënë se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me karta identiteti nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Kryeministri shqiptar ka falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pasi sipas tij, ky i fundit ka treguar qartë se është për paqe dje me gjendjen e qetë që është treguar në kufirin Kosovë-Serbi.

“Dje mund të ishte një tjetër ditë, ku mediat të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe zgjidhja e Ballkanit të Hapur. E them me krenari se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhje nga Ballkani i Hapur. Nuk do të ishte nevoja që të shpenzohej aq shumë kohë e energji, nëse edhe Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanin e Hapur. I shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja, zgjidhja për njerëzit. Kjo nuk zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, theksoi Rama.