Kriza në Ukrainë

OKB e alarmuar, u hodhën sërish raketa drejt centralit bërthamor në Ukrainë

Raortohet se të paktën 10 raketa ranë pranë zyrës dhe stacionit të zjarrfikësve në termocentralin bërthamor më të madh në Evropë.

Edhe mëngjesin e sotëm dhe mbrëmë është raportuar për sulme të tjera me raketa në drejtim të centralit bërthamor të Zaporizhzhia, mes Rusinë dhe Ukrainën që akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësinë.

Mediat raportojnë se të paktën 10 raketa ranë pranë zyrës dhe stacionit të zjarrfikësve në termocentralin bërthamor më të madh në Evropë, përcjell Albinfo.

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i thirrur për të diskutuar situatën, kreu i Agjencisë Bërthamore, Rafael Grossi, paralajmëroi se kjo është diçka e rëndë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha gjithashtu se ngjarja mund të çojë në një katastrofë të rëndë.

Kina dhe SHBA kërkuan që ekspertët e OKB-së të lejohen urgjentisht të vizitojnë centralin, por kërkesa të ngjashme në të kaluarën deri më tani nuk janë pranuar.

Më herët, SHBA-ja bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth tij, por përfaqësuesi i Rusisë në OKB tha se çmilitarizimi nuk është një opsion, pasi ai do ta bënte centralin më të prekshëm ndaj provokimeve dhe sulmeve terroriste./Albinfo.ch