Maqedonia

Maqedoni: Rritja e çmimeve ka kaluar mbi 10 përqind

Inflacioni në Maqedoninë e Veriut ka kaluar rritjen prej 10 përqind. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore të këtij vendi për periudhën janar-korrik 2022 rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur në energji dhe ushqim.

Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se çmimet e konsumit në korrik janë rritur 14 për qind në baza vjetore, ndërsa kostoja e jetesës 16 për qind.

Banka Qendrore vlerësoi sot se nuk ka nevojë për një rritje të katërt të normës bazë të interesit, të cilën e mbajti në nivelin 2.5 për qind.

Në raportin e fundit tremujor, të publikuar në maj, Banka Popullore e Maqedonisë për këtë vit parashikoi inflacion prej 8.8 për qind, me rritje ekonomike prej 2.9 për qind.

Banka Popullore e Maqedonisë pret që inflacioni të stabilizohet në 3 për qind në vitin 2023 dhe rritja ekonomike të arrijë në 3.6 për qind vitin e ardhshëm.