Lajme

Ministri Latifi: Shëndetësisë kosovare i duhen investime në kapacitete njerëzore, infrastrukturë dhe diplomaci mjekësore

“Kurrë më parë, në rrugëtimin tonë për shtet-rindërtim nuk kemi pasur me shumë nevojë për patriotizëm mjekësor dhe dashuri për Kosovën nga të gjithë ne mjekët, infermierët, dhe gjithë punëtorët shëndetësorë”

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, dr.Rifat Latifi, pak ditë më parë ishte për një vizitë disaditore në Austri. Gjatë vizitës së tij ai u takua me personalitete të ndryshme politike dhe vizitoi institucione të rëndësishme në Austri. Po ashtu, ministri Latifi kishte takime të shumta me grupe dhe shoqata të mjekëve shqiptarë në Grac dhe Vjenë. Ai takoi edhe bashkatdhetarë e veprimtarë të shquar shqiptarë. Për shkak të agjendës së ngjeshur të tij, me ministrin Latifi u dakorduam që intervista të realizohet me anë të postës elektronike, të cilën po jua sjellim në vijim.

Për albinfo.at, ministri Latifi flet për vizitën dhe takimet në Austri, për problemet e ndryshme më të cilat ballafaqohet Ministria e Shëndetësisë, për menaxhimin e pandemisë, ikjen e personelit shëndetësor, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore…

 Albinfo.at: Ditë më parë kishit vizitë zyrtare disaditore në Austri. Mund të na thoni, cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Ministri Latifi: Meqë Republika e Kosovës dhe ajo e Austrisë kanë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të duhur në të gjitha fushat, duke përfshirë  edhe sistemin e shëndetësisë, vizita ime në Austri kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve. Dua të potencoj se shkëmbimi i ekspertëve në lëmi të ndryshme shëndetësore, bashkëpunimi sa u përket hulumtimeve shkencore, trajnimi i stafit mjekësor dhe çështje të tjera kërkojnë mbështetje dhe përkrahje, në mënyrë që gjeneratat e reja të mjekëve të Kosovës, të avancohen me standarde evropiane. E gjithë kjo mund të arrihet përmes diplomacisë shëndetësore, përmes së cilës mund të krijohen aleanca me shtetet mike të Kosovës, në këtë rast me Austrinë, për avancimin e sistemit shëndetësor të vendit. Theksoj se riorganizimi i sistemit shëndetësor bëhet edhe duke krijuar Universitetin Mjekësor të Kosovës, krijimin e 14 Qendrave të Ekselencës dhe 22 subspecializimeve për më shumë se 52 ekspertë shëndetësorë nga Kosova.

Albinfo.at: Keni pasur takime të ndryshme me personalitete të larta politike dhe jopolitike në Austri si dhe me grupe të ndryshme me bashkatdhetarë. Mund të na i veçoni disa prej tyre?

Ministri Latifi: Kam pasur shumë takime me personalitete të rëndësishme të Vjenës dhe Gracit, ku veçoj: takimet me  Z. Johannes Rausch, Ministër i Mbrojtjes Sociale, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë; Z. Christoph Drexler, Guvernator i Shtetit Federal të Styria (Steiermark) ; Znj. Elke Kahr, kryetare e Qytetit të Gracit;  Z. Lukas Mandl dhe Z. Andreas Schieder, deputetë austriakë në Parlamentin Evropian, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë Austri – Kosovë; Prof. Dr. Oswald Wanger,  zëvendës Rektor i Universitetit Mjekësor të Vjenës; Dr. Michael Sacherer, kryetar i Odës së Shëndetësore të Steiermark; Përfaqësuesit e sistemit shëndetësor publik të Grazit; Univ. Prof. Ing. Dr. Gerhard Stark, përgjegjës i spitaleve publike të Republikës së Steiermark dhe Klinikës Univerzitare të Grazit; Univ. Prof. Mag. Dr. Juliane Bogner Straus, udhëheqëse e sektorit të shëndetësisë së Republikës së Steiermarkut; Përfaqësuesit e Klinikës Universitare të Grazit si Prof. Dr. Wolfgang Kole, Drejtor i Përgjithshëm i Klinikës Universitare të Gracit, Prof. Med. Dr. Norbert Jakse, Drejtor i Dep. për Mjekësi Dentale dhe Shëndet Oral, Prof, Dr. Michael Paja, Dekan për PHD, Prof. Dr. Martin Lorensoni, Prof. Dr. Karl Glockner, Prof.Dr.Wolfgang Zemann, e po ashtu kam pasur edhe takime me komunitetin e mjekëve dhe studentëve shqiptarë në Grac dhe me komunitetin e mjekëve dhe studentëve shqiptarë në Vjenë.

Ministri Latifi, gjatë takimit me kryetarin e Landit të Steiermarkut, Christoph Drexler

Albinfo.at: Zoti ministër, e morët detyrën e ministrit në një kohë jo të lehtë dhe mjaft sfiduese, duke u përballur në njërën anë me pandeminë, në anën tjetër me shumë probleme të tjera në sistemin shëndetësor në Kosovë. Si është gjendja aktuale në Ministrinë e Shëndetësisë?

Ministri Latifi: Ashtu siç thatë edhe ju, sistemi shëndetësor në Kosovë është shumë sfidues dhe gjendja aktuale në këtë sektor nuk është e mirë. Në të njëjtën kohë, ne jemi para një mundësie historike ta ndryshojmë seriozisht dhe fundamentalisht këtë gjendje, dhe të vendosim bazamentin më të fortë për ndryshime të mëdha në shëndetësi dhe në shkencat mjekësore. Por, për përmirësimin dhe zhvillimin e këtij sistemi, unë kam bërë publik, dhe tashmë qytetarët janë të njoftuar, me planin tonë të transformimit të shëndetësisë në Kosovë.

Për këtë, listoj shtatë shtyllat e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2022-2025, si në vijim:

  1. Programi legjislativ, ku hynë 6 ligje dhe 18 Udhëzime Administrative dhe dy nota të konceptit;
  2. Masa për kthimin i trurit të humbur dhe ruajtja e trurit që kemi tash këtu, përmes; programeve të ndryshme konkrete, të cilat do ta forcojnë mirëqenien e mjekëve dhe avancimin e tyre profesional;
  3. 14 Qendrat apo programe të ndryshme klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike me kuadro të avancuara klinike, duke futur këtu edhe Qendrën për Simulime dhe Edukime Teknologjike;
  4. Qendra për kërkime shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese;
  5. Akreditimit ndërkombëtar (në fillim) e pastaj vetanak i spitaleve, programeve të veçanta klinike dhe specializimeve;
  6. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe ngritje e standardit të kualitetit të këtyre shërbimeve përmes programeve të specializuara ndërkombëtare;
  7. Decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i QKUK-së;

Të gjitha këto shtylla, ndërtimi i të cilave kërkon kohë dhe investime të mëdha, nga secili prej nesh individualisht, veçmas nga personeli shëndetësor, nga shteti ynë, nga diaspora dhe partnerët tanë, do të ndërtohen me idenë se pacienti është në qendër të vëmendjes, Kosova është në qendër të vëmendjes. Edhe diçka shumë të rëndësishme: Kurrë më parë, në rrugëtimin tonë për shtet-rindërtim nuk kemi pasur me shumë nevojë për patriotizëm mjekësor dhe dashuri për Kosovën nga të gjithë ne mjekët, infermierët, dhe gjithë punëtorët shëndetësorë. Është vërtet koha e fundit në këtë proces të shtet-rindërtimit të Kosovës, të gjithë ta japim kontributin tonë, duke mësuar më shumë nga shtetet tjera sikurse është Izraeli e shembuj tjerë, duke u bërë mjekë më të mirë, infermierë dhe laborantë më të mirë, duke menduar për shtetin tonë, e jo vetëm për një pasurim të shpejtë dhe duke e injoruar të ardhmen e Kosovës.

Albinfo.at: Zoti ministër, ditëve të fundit ka rritje të rasteve pozitive me virusin Covid-19. Sa është e përgatitur ministria për një valë të re?

Ministri Latifi: Situata është nën kontroll. Indikatorët matës janë ashpërsia e sëmundjes, pra hospitalizimet dhe rastet e vdekjes nga Covid-19. Numri i infeksioneve mund të jetë edhe më i lartë, por numri i të hospitalizuarve është i ulët.

Kjo tregon edhe efektin e vaksinave, të cilat  e kanë ndryshuar situatën për Covid-19, krahasuar me valët e vitit 2020-2021. Por, edhe përkundër kësaj, ne e përcjellim situatën çdo ditë, me shumë vigjilencë me të gjitha trupat profesionale, marrim rekomandime nga ata, dhe në proporcion i marrim edhe masat e nevojshme.

Unë u bëj thirrje qytetarëve që të testohen të gjithë ata që kanë simptoma dhe të izolohen nëse rezultojnë pozitiv. Po ashtu, qytetarët të mbajnë maskën në ambiente të mbyllura dhe mbi të gjitha të vaksinohen.albu

Albinfo.at: Pikërisht në këtë periudhë të rritjes së rasteve pozitive kemi edhe fluksin e mërgimtarëve, të cilët vinë në Kosovë për pushime. A e bën kjo më të vështirë menaxhimin e situatës?

Ministri Latifi: Si çdo herë, ne jemi të përgatitur për fluksin e mërgimtarëve, të cilëve ju urojmë mirëseardhje në vendlindjen e tyre, dhe njëherësh ju jemi shumë mirënjohës për gjithë kontributin që kanë dhënë në kohët më të vështira për vendin dhe qytetarët.

Është e vërtetë se fluksi i madh i njerëzve e bënë pak më të vështirë menaxhimin e situatës, por Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKSHPK, dhe institucionet relevante, ka në menaxhim situatën, dhe sipas nevojave edhe do të merren masat e duhura, konform gjendjes së përgjithshme.

Pas takimit me homologun austriak, minsitrin, Johannes Rauch

Albinfo.at: Cilat janë çështjet apo problemet urgjente, me të cilat është duke u ballafaquar Ministria e Shëndetësisë?

Ministri Latifi: Siç thashë më parë, shëndetësia e Kosovës është në gjendje të rëndë dhe kërkon rindërtim dhe transformim rrënjësor. Ne kemi zgjedhur, një metodologji dydrejtimëshe dhe me shumë rrugëzime. E para, duhet transformuar infrastrukturën tonë të vjetër dhe atë të ndërtuar “shkel e shko” dhe e dyta, krijimin e kapaciteteve njerëzore me njohuri të reja, dhe programeve klinike, që nga trauma dhe emergjenca, kujdesi ndaj kancerit, avancimet klinike moderne – të gjitha ato për të cilat pacientët tanë janë të detyruar të marrin ndihmë jashtë vendit. Këtë rrugëtim, në kërkesë të shërimit jashtë Kosovës, mund dhe do ta ndalim me këto programe, por neve na duhet përkushtim i mjekëve që të  mësohen, shteti të bëjë infrastrukturë dhe partneritet me vendet mike, pra na duhet diplomaci mjekësore. Për këtë të fundit, diaspora jonë mund të na ndihmojë shumë.

Albinfo.at:  Gjatë një takimi në Austri keni thënë se jeni duke u përpjekur për kthimin e trurit. Mund të na flisni konkretisht, çka duhet të nënkuptojmë me këtë?

Ministri Latifi: Ndër shtatë shtyllat, që unë i kam prezantuar për transformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, është edhe kthimi i trurit. Për këtë çështje, unë jam duke punuar fort, bashkë me stafin tim, duke komunikuar çdo ditë me mjekët tanë nëpër botë, dhe të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të kthehen dhe të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Në takimet që kam pasur me mjekët dhe studentët në Austri, kemi biseduar për këtë çështje, dhe bashkë do të konkretizojmë pikat, për të cilat Kosova dhe sistemi shëndetësor ka më së shumti nevojë. Ne në Kosovë, duhet dhe jemi në proces të ndërrimit të disa ligjeve, në mënyrë që ky kthim të jetë më i lehtë.

Albinfo.at: Në anën tjetër, një dukuri mjaft shqetësuese është largimi i mjekëve nga Kosova drejt BE-së. A ka ministria ndonjë strategji për parandalimin e këtij fluksi, z. ministër?

Ministri Latifi: Dukuria e migrimit të personelit shëndetësor është shqetësuese dhe si fenomen ka filluar prej vitesh dhe po vazhdon edhe tani, jo vetëm në Kosovë. Në përgjigje ndaj kësaj situate, Ministria që unë drejtoj është duke hartuar Planin për resurset humane në shëndetësi, me projeksione për të ruajtur e fuqizuar kuadrin tonë dhe në këtë aspekt është duke shfrytëzuar edhe asistencë të ekspertëve të huaj rreth përcaktimit të standardeve që duhet të arrihen në këtë drejtim.

Gjithashtu, kam filluar edhe reformimin e procesit të specializimeve, për çka, unë kam angazhuar në ekip një ekspert të njohur nga SHBA-të që merret me këtë çështje, me qëllim që mjekëve të rinj t’u krijohen programe efektive të shkollimit specialistik dhe edukimit të vazhduar profesional; duke u dhënë prioritet lëmive deficitare, krijim të kushteve më të mira të punës përmes transformimit të shëndetësisë dhe përmirësimit edhe të infrastrukturës dhe përmirësimit të mirëqenies materiale dhe profesionale të tyre.

Po ashtu, jemi duke u angazhuar intensivisht dhe personalisht UNË, që profesionistëve shëndetësor t’u krijohen mundësi më të mira pune, rritje të shkathtësive profesionale përmes pjesëmarrjes në programe ndërkombëtare dhe tashmë kemi pasur edhe kuadrot e para që kanë shkuar në programe të tilla si në Izrael dhe ajo që është angazhim i drejtpërdrejt i imi, është kthimi i profesionistëve tanë për të kontribuar në Kosovë, sikur e ka bërë me shembullin e tij personal.

Ky nuk është proces i lehtë dhe as që stabilizohet lehtë, siç nuk është as shkuarja jashtë vendit diçka që ka nisur tani, por që si Ministër i Shëndetësisë, e kam në prioritet të lartë dhe po punoj në këtë drejtim, përfshirë edhe bashkëpunimin me institucionet e tjera, për të përmirësuar edhe pagat e profesionistëve shëndetësorë.

Kemi dëgjuar mjaft këtyre ditëve figura të ndryshme të diskutojnë për migrimin e mjekëve/infermierëve dhe ajo që është shqetësuese është fakti që më të zëshmit për këtë temë janë ata që kanë qeverisur si individë apo përmes subjekteve të tyre me shëndetësinë dhe nuk kanë bërë diçka konkrete sa kanë pasur vetë mundësinë.

Ministri Latifi në takim me eurodeputetin austriak, Lukas Mandl

 

Albinfo.at: Një çështje tjetër problemore është edhe shërimi i pacientëve jashtë vendit, veçanërisht në Turqi, ku kostot për shërim janë të papërballueshme. Cila është zgjidhja e kësaj problematike dhe kur pritet që pacientët të shërohen e trajtohen në spitalet kosovare?

Ministri Latifi: Shkuarja e pacientëve të Kosovës jashtë vendit për shërim (herë-herë edhe më bazik) është pasojë e neglizhimit të përgatitjes së mjekëve dhe stafit tjetër, moskrijimit të infrastrukturës, dhe pazareve të mëdha të bëra ndër vite në kurriz të Kosovës dhe pacienteve tanë. Ndërtimi i kuadrit të avancuar klinik, infrastrukturës dhe ndërtimit të kushteve të punës me kompensim dinjitoz dhe ngritje të mirëqenies, të stafit do ta ndërrojë këtë situatë dramatikisht. Nuk do të ketë shumë sëmundje, përveç ndonjë të komplikuar sikurse është transplantimi i mëlçisë,  i zemrës, i mushkërive, që nuk duhet të bëhet në Kosovë.

Albinfo.at: Keni premtuar se jeni duke përgatitur ligjin për sistemin e sigurimeve shëndetësore. Kur mund të kenë qytetarët e Kosovës sigurime shëndetësore? A mund të jetë Austria model i sigurimeve shëndetësore?

Ministri Latifi: Ligji për Sigurime Shëndetësore – dokumenti si Draft-Ligj, tashmë është përfunduar nga grupi punues, dhe është dorëzuar në administratën e Ministrisë së Shëndetësisë (përkatësisht në zyrën ligjore), dhe pastaj përcjellet tek unë, tek kabineti, dhe natyrshëm e analizojmë.

Ndoshta duhet ta bëjmë një analizë edhe nga ndonjë ekspert ndërkombëtar, para se ta përcjellim tutje për diskutim publik, e më vonë në Qeveri.

Albinfo.at:  Si një profesionist që keni jetuar shumë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e njihni sistemin shëndetësor atje, por edhe në vende të ndryshme evropiane, a mund të na thoni se cilin model duhet të ndjekë Kosova, me qëllim përmirësimin e cilësisë?

Ministri Latifi: Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ka nevojë për modelet më të mira, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atje ku jam zhvilluar, kam punuar e jam angazhuar, si kirurg i përgjithshëm-traumatolog, por edhe për modelet të shteteve të tjera, të cilat kanë një sistem shumë të zhvilluar shëndetësor.

Për një zhvillim sa më avancuar shëndetësor, unë do të bashkëpunoj shumë me homologët e shteteve të ndryshme, ku shëndetësia është shumë e zhvilluar, në mënyrë që të marrim përkrahje dhe mbështetje sa u përket eksperiencave të tyre dhe ato t’i bëjmë realitet në Kosovë.

Hulumtimet shkencore, shkëmbimi i ekspertëve, trajnimi i stafit mjekësor, bashkëpunimi për projekte madhore dhe përmirësimi i infrastrukturës, janë shtyllat kryesore të përmirësimit të sistemit shëndetësor. Por, modeli më i mirë është ai që garanton cilësi të mirë, akreditim ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, dashuri dhe respekt për njeriun tonë, pacientin dhe respekt për Kosovën. Këtë do ta bëjmë.

Dr. Rifat Latiti, takoi grupe mjekësh shqiptarë dhe bashkatdhetarë tjerë në Austri