Shqiperia
Struga, perla shqiptare e fshehur në Jugperëndim të Ballkanit
Mbi 10 mijë turistë mund të akomodohen brenda ditës në qytet dhe rrethinë, në sektorin privat dhe në hotele
Struga, si destinacion turistik disponon me vlera të afirmuara turistike, të cilat paraqesin potencial tepër të rëndësishëm për zhvillimin turistik dhe në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të saj. Ndodhet në pjesën jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e vendosur pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit dhe lumit Drini i Zi, i cili e përshkon qytetin mespërmes. Ndonëse e rrethuar me male të larta, komunikon mjaft mirë me rajonet fqinje: në veriperëndim me rrugë automobilistike lidhet me rajonin e Dibrës, në veri me rajonin e Kërçovës, për të vazhduar më tej për Gostivar, Tetovë dhe Shkup. Në pjesën perëndimore, përmes Qafës së Thanës lidhet me Republikën e Shqipërisë. Aeroporti Ndërkombëtar që ndodhet vetëm 7 km larg lidh atë me pjesën tjetër të botës. Klima në fushëgropë sipas gjerësisë gjeografike është e ngrohtë, kurse sipas lartësisë absolute që ajo ka, është kontinentale. Temperaturat gjatë vitit në Strugë kanë rëndësi tepër të veçantë, sepse janë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e turizmit. Temperaturat maksimale mesatare arrijnë 270C në muajt korrik dhe gusht, por ndodh që në ditët më të nxehta të verës temperaturat të zënë 30-350C.
Temperatura mesatare e ujit të Liqenit të Ohrit në verë arrin 260C, kurse temperatura mesatare vjetore kap rreth 120C. Numri mesatar i ditëve me temperaturë verore lëviz nga 73 deri 78 ditë, me intensitet më të lartë në muajt korrik dhe gusht. Me 2,208 orë diell në vit, zë ndër vendet e para në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në përgjithësi, në kapacitetet hoteliere mund të vendosen rreth 4,000 turistë, kurse në kapacitetet private rreth 6,000 turistë në ditë. Në këtë mënyrë, gjatë sezonit veror mund të qëndrojnë afërsisht 10,000 turistë në ditë, me synimin që ky numër të rritet edhe më tej. Përveç tjerash, për këtë, kontribut më të madh ka dhënë rregullimi i plazheve të qytetit në këto vitet e fundit. Këto dhe disa detaje të tjera interesante, tregon për albinfo.at, Armend Pushkule, shef i Sektorit për Turizëm në komunën e Strugës.
“Sa i përket strukturës së turistëve, më së tepërmi e kanë vizituar turistët e vendit, kurse turistët e huaj vijnë nga vendet fqinje si nga: Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Greqia dhe Serbia, por edhe nga Mbretëria e Holandës, Turqia, Izraeli, Polonia etj. Është një kartolinë që nuk mund t’u mungojë pushimeve verore dhe listës për ta vizituar këtë vend. Si qytet piktoresk gjithnjë e më shumë po bëhet destinacion i vizitorëve të shumtë nga të katër anët e botës. Zërin e mirë po ia çojnë larg këtij qyteti, ata që kanë ardhur një herë nga jashtë dhe nuk e lënë pa u kthyer përsëri”, shprehet Armend Pushkule.
Sipas tij, oferta turistike në vitet e fundit përmban një cilësi plotësisht të re, si rezultat i lëvizjeve dhe trendëve të tregut ndërkombëtar turistik, pranimit të përvojave nga destinacionet e zhvilluara turistike dhe zhvillim të ekuilibruar të elementeve ekonomike,ambientaliste dhe infrastrukturore.
“Nga periudha 2016-2021, në bazë të të dhënave statistikore, këtu kanë pushuar 490,611 turistë, të cilët kanë realizuar 2,068,703 bujtje. Krahas bukurisë kaq tërheqëse të qytetit, janë edhe rrethanat e tjera, të cilat po ndikojnë në rritjen e turizmit në këtë qytet. Në “zemër” të qytetit gjendet edhe “Drini Mall”, qendra më e madhe tregtare në Strugë e ndërtuar me standarde të larta evropiane, ndërsa në katin e sipërm gjendet edhe restoranti “Sky Drini”, një ambient mjaft i bukur dhe komod që ofron kënaqësinë e freskisë por edhe mundësinë për të parë gjithë bukurinë e Strugës.
Kështu, nëse dikur çmimet për shërbimet turistike silleshin prej 200 denarë (4.5euro) deri në 300 denarë (5 euro) për shtrat në sektorin privat, deri në 30 apo 60 euro në hotelet më reprezentative dhe nga 700 (11 euro) deri më 900 denarë (15 euro) në Autokamp shtëpizat në bregun e liqenit, sot këto çmime mund vetëm t’i ëndërrojmë pasi që viteve të fundit kanë shkuar shumë lart. Por, pavarësisht kësaj, nuk mungon aspak prania e turistëve nga të gjitha anët e botës”, thekson mes tjerave Pushkule.
Mërgimtarët, “ajka” e Strugës
Struga, është një nga qytetet dhe komunat në Maqedoninë e Veriut e cila njihet për numrin e madh të qytetarëve të saj në mërgatë. Edhe pse mungojnë statistikat burimore të numrit të struganëve në diasporë, supozohet se më shumë se njëzetmijë qytetarë me origjinë nga Struga, jetojnë dhe punojnë prej dekadash nëpër botë.
Strugës, edhe më shumë gjallëri gjatë sezonit veror i jep ardhja e mërgimtarëve. Ata janë “ajka” e Strugës. Gjatë dy viteve të fundit sa ishte pandemia, ishin mërgimtarët dhe turistët vendas, ata që shpëtuan sezonin veror në Strugë. Edhe këtë vit mërgimtarët pritet të mbushin qytetin e Strugës dhe t’ i japin shkëlqimin këtij qyteti.
“Festivali këngëve dhe valleve popullore të përpunuara dhe të stilizuara “Këngë jeho” mbahet çdo vit në Strugë në fillim të muajit gusht. Ky festival, i themeluar në vitin 1992, për shumë vite rresht ka shpalosur vlerat kulturore dhe artistike të tabanit kombëtar shqiptar, kolorite kostumesh, emocione, ka transmetuar mesazhe nga thesari popullor shqiptar. Ndër manifestimet më të rëndësishme kulturore dhe turistike është “Revyja e veshjeve popullore”, me karakter tradicional që mbahet çdo vit në Strugë në mes të muajit gusht. Ky manifestim ka për qëllim prezantimin dhe afirmimin e thesarit të veshjeve dhe qëndisjeve popullore me motive nga tradita e komunitetit shqiptar, maqedonas, turk, vllah dhe të tjerë që jetojnë në komunën e Strugës”, sqaron më tej Pushkule duke thënë se qyteti njihet edhe për nga artizanalët e shumta dhe tepër të vjetra. Në këtë aspekt mund të përmenden përpunimi i bizhuterisë së argjendit, filigranëve, thurja në vek, drugdhendja dekorative, prodhimi i enëve nga balta dhe lloje të tjera të artizanaleve që janë të vendosura kryesisht rreth çarshisë së vjetër të qytetit.
Ofertë e pasur, në çdo stinë
Sofra tradicionale strugane, që me shekuj kultivohet në këto anë, edhe sot ju ofron ushqime tepër të shijshme. Ejani për të shijuar ngjalën dhe troftën të përgatitur në mënyrë strugane, flinë e rreshkur në saç, petën strugane, groshën e përgatitur në tavë balte, bakllavanë dhe ëmbëlsirat tjera. Adhuruesit e natyrës kanë mundësinë që t’i vizitojnë fshatrat turistike malore të Vishnjës dhe Belicës së Epërme përplot borë gjatë dimrit, plot lule gjatë pranverës, plot gjelbërim gjatë verës dhe me vjeshta të praruara. Ndërsa adhuruesit e kaltërsisë së Liqenit të Ohrit mund të pushojnë në fshatrat turistike të Kalishtit dhe Radozhdës.
“Para së gjithash, sot, është i domosdoshëm pasurimi i ofertës turistike me përmbajtje të reja, me produkte dhe shërbime që rrisin komoditetin për turistët, modernizimi i kapaciteteve ekzistuese hoteliere dhe private, transformim të sistemeve të menaxhimit, dhënia e një forme funksionale dhe përmbajtjesore të elementeve atraktive të hapësirës. Duke i pasur parasysh përparësitë komparative dhe forcën tërheqëse të bukurive tona natyrore dhe të atraksioneve antropogjene, mund të presim që produkti turistik i Strugës, i adaptuar kah kërkesa specifike turistike dhe i drejtuar kah disa segmente të caktuara të tregut turistik, përfundimisht të marrë fizionomi dhe imazh që meriton”, përfundon Pushkule, nga Komuna e Strugës.
Box
Kapacitetet turistike dhe hotelerike:
– 20 hotele,
– 10 motele,
– 2 autokampe,
– 2 pushimore,
– 60 restorante,
– 30 fast-food kapacitete,
– 60 kafene,
– 20 agjenci turistike
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve