Lajme
Lirigzona, kuadër drejtues në doganën zvicerane
Lirigzona Zeqiri-Rullani prej vitesh ushtron profesionin e doganierës në Zvicër dhe tani pa dyshim është një ndër emrat të suksesshëm në Doganën e Zvicrës “BAZG”.
Të punosh në doganë është përgjegjësi e lartë. Duhet etikë pune dhe angazhim individual për t’ia dalë mbanë. Këto janë disa nga cilësitë kryesore të Lirigzonës që i shërbyen për të qenë sot një doganiere e suksesshme në “BAZG” të Zvicrës.
Ka plot 13 vjet që Lirigzona punon në këtë kompani, në Zonën Operative, sidomos në Kontrollet e Jashtme, për Shërbimet e Lëvizshmërisë Doganore.
Që kur ishte 3 vjeçe Lirigzona migroi së bashku me familje nga Gjilani në Zvicër, për një jetë më të mirë. Shkollimet i përfundoi në Zvicër. Ndërsa shkollën për doganë e kreu për tre vjet. Është “Shefe e shërbimit”, “Eksperte Doganiere e Diplomuar”, përfundoi shkollën e lartë të Doganës “HF” dhe njëkohësisht punon si “Zëvendësshefe e Shefit Einheit ne BAZG”.
Albinfo.ch: Lirigzona, fillimisht na trego pak rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë?
Lirigzona: Jam e lindur më 21.11.1988 në qytetin e Gjilanit, Kosovë. Në moshën trevjeçare kam ardhur në Zvicër me prindërit e mi. Shkollën obligative e kam kryer prej fillimit në shtetin e Zvicrës.
Albinfo.ch: Na flisni pak për jetën në Zvicër, si ndodhi emigrimi në këtë shtet?
Lirigzona: Normalisht për një jetë më të mirë. Unë me prindërit e mi dhe katër fëmijë të tjerë jemi rritur në një fshat (Sarmenstorf) në Kantonin Aargau. Aty kemi njohur të gjithë banorët, sepse ishte një fshat i vogël. Këtu kemi pasur mbështetje të fortë prej banorëve, sepse prindërit kishin barriera gjuhësore, p.sh. përkthime, sepse regullat dhe ligjet në shkollë e në komunë nuk ishin të njëjtat si në Kosovë. Kjo ishte për fillim një ngarkesë e madhe për prindërit. Por, edhe për ne fëmijët në përgjithësi. Ne dëshironim që sa më parë të integroheshim dhe të mos kemi gjëra negative. Ishte shumë e vështirë kur nuk i njeh rregullat dhe zakonet në një vend të panjohur. Ne kishim fat që kishim një familije zvicerane që na mbështeste për gjithçka. Pa mbështetjen e tyre, integrimi do ishte shumë më i vështirë. Prindërit e mi na mbështetën në çdo mënyrë, edhe kjo ishte shumë e rëndësishme për ne fëmijët, veçanërisht për karrierën tonë shkollore. Motrat dhe vëllezerit e mi, përfshirë edhe mua, ishim të gjithë në gjendje të përfundonim një arsimim të mirë, sepse e kemi pasur mbështetjen shumë të fortë nga prindërit dhe jemi edukuar në atë frymë që shkollimi është gjithçka. U jam shumë mirënjohëse dhe krenare që i kam prindërit e tillë.
Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të ambientohesh në Zvicër me një shoqëri tjetër, kulturë tjetër?
Lirigzona: Pasi erdha në moshën trevjeçare dhe këtu u rrita, nuk ishte shumë e vështirë në Zvicër të integroheshim. Si fëmijë gjuhën e mësuam shpejt, nga ana tjetër, fëmijët e tjerë shpejt të marrin në rrethin e tyre dhe kësisoj u ambientuam më lehtë edhe në shoqëri, edhe në kulturën zvicerane.
Albinfo.ch: Na flisini për shkollimin tuaj, në pika të shkurtra në Zvicër?
Lirigzona: Kam përfunduar shkolla obligative, “Kindergarten /Primarschule /Sekundarschule”
Po ashtu kam përfunduar edhe një praktikë të rëndësishme (Lehre) për 3 vjet, si komercialiste e diplomuar në Profil «E».
Shkollën e Doganës, 3 vjet shkollim për doganiere, /Mësuese Shefe e Shërbimit, / Eksperte Doganiere e Diplomuar – shkolla e lartë e Doganës (HF) dhe Zëvendësshefe.
Albinfo.ch: Nga të lindi dëshira të bëheni doganiere?
Lirigzona: Para përfundimit të shkollës komerciale në vitin 2009, babai im kishte parë në gazetën “20- Minute” vende të cilat kërkonin punëtorë në Doganë. Më lajmëroi menjëherë dhe unë konkurrova për të punuar në doganë.
Albinfo.ch: Na flisini pak për specializimet për Doganë?
Lirigzona: Unë jam gjithmonë shumë e interesuar për të mësuar diçka të re dhe dua të theksoj «Bundesamt für Zoll und Grenzsicherheit (BAZG)», ku ka mundësi të shumta për zhvillim në profesion, në drejtime të ndryshme dhe profesionale.
Albinfo.ch: Qe sa vjet punoni në Doganën e Zvicrës EZV?
Lirigzona: Prej 2009, d.m.th. qe 13 vjet.
Albinfo.ch: Në cilin departament saktësisht punoni dhe për çfarë shërben kjo punë?
Lirigzona: Unë punoj në Zonat Operative, sidomos në kontrolle të jashtme, p.sh. Shërbimi i Lëvizshmërisë Doganore.
Albinfo.ch: Prej kur jeni emëruar të punoni në Doganë, cilat janë përparimet që keni shënuar në punë në krahasim me të kaluarën?
Lirigzona: Ka përparime në drejtime të ndryshme. Për shkak të gjërave të reja që më sjell kjo punë, mbetet gjithmonë interesante.
Albinfo.ch: Lirigzona, për fund të kthehemi te vendlindja juaj, sa ju merr malli për vendlindjen, sa herë në vit e vizitoni?
Lirigzona: Duke qenë se pjesa më e madhe e familjes sonë jeton në Zvicër, vetëm gjyshërit, dy axhallarët dhe një teze jetojnë ende në Kosovë. Unë shkoj së paku 1 herë në vit në Kosovë, për shkaqe të ndryshme. Në njërën anë i vizitoj familijarët dhe, në anën tjetër, unë ndjej ende një lidhje të veçantë me vendlindjen. Kultura shqiptare, njerëzit para së gjithash, zemërgjerësia dhe shprehja e hapur e njerëzve për mua janë shumë të çmuara.
E-Diaspora
-
Manifestim kulturor për festat e nëntorit, organizuar nga KMSHZ Nën moton „Mërgata në shërbim të Kombit dhe të Fesë“, Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër, më...
-
LAPSH në Gjenevë, kërkon ndihmë për nxënësit e Shkollës Shqipe
-
Limaj në Gjermani tha se mbështetja e mërgimtarëve është forcë për Kosovën
-
Bedri Hamza takon mantelbardhët shqiptarë në Zvicër, i quan mjekë me përvojë të jashtëzakonshme
-
Prof.Dr. Cuculi, njeriu në mes të doktorit të zemrës dhe menaxherit
Jeta në Zvicër
-
Kantonet presin një marrëveshje më të mirë me BE-në Kantonet zvicerane po vendosin kufij për negociatat me BE-në. Shefi Markus Dieth po kërkon kufizime në...
-
Kjo shkollë në Zvicër është më e mira në botë
-
Qyteti i Lucernit dëshiron të frenojë trafikun e autobusëve turistikë me ‘tarifë të re’
-
Trafiku i trenave për dhe nga Gjeneva do të ndërpritet totalisht
-
Evakuimi i banorëve të Brienz, fshati po monitorohet në mënyrë elektronike