Kosova

Shqipëri, jepen 711 nënshtetësi, shumica nga Kosova, Turqia, Siria dhe Italia

Në bazë të statistikave, 2021 shënoi rritje të kërkesave për azil në Shqipëri.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave numri i azilkërkuesve arriti në dymijë e 533,  rreth 13.5 për qind më shumë se krahasuar me vitin 2020, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se pjesa dërrmuese e tyre janë azilkërkues nga Afganistani, me gati dymijë e 498 persona, ndërsa 19 azilkërkues janë regjistruar nga Siria, shifër ndjeshëm më e ulët se në vitin 2020, kur shtetasit e këtij vendi dominonin pjesën më të madhe të azilkërkuesve në Shqipëri së bashku me azilkërkuesit nga Iraku.

Ndërkohë, statistikat flasin se piku i aplikimeve të kërkesave për azil në Shqipëri është shënuar përgjatë muajve shtator-nëntor, ndikuar edhe nga situata politike në Afganistan.

Refugjatët që vijnë në Shqipëri kanë të drejtë që të kërkojnë azil në këtë vend dhe ata që pranohen kanë mundësi që të qëndrojnë në qendrat pritëse të ngritura për azilkërkuesit.

Ndërkohë, përgjatë vitit të kaluar janë 711 persona që kanë fituar shtetësinë shqiptare, gati dyfish më shumë se krahasuar me vitin 2020. Shumica e tyre janë shtetas me origjinë nga Kosova që kanë marrë shtetësinë shqiptare, ndjekur nga Turqia, Siria dhe Italia dhe dominon kryesish grupmosha nga 30 deri në 39 vjeç.

Ndërsa numri i personave që kanë lënë shtetësinë rezultoi edhe më i lartë me 724 raste të personave që hoqën dorë nga shtetësia shqiptare.